SHKRESA/ PD kërkon të futet në rend dite përsëri, ndryshimi i ligjit të dekriminalizimit

24 Shkurt 2016, 17:22Politika TEMA
SHKRESA/ PD kërkon të futet në rend dite përsëri,

 

Partia Demokratike i a kërkuar Kuvendit të Shqipërisë të fus me procedurë të përshpejtuar për ditën e enjte në Kuvend një projektligj që ndryshon sërisht ligjin e dekriminalizimi. Në shkresën firmosur nga Edi Paloka kërkohet që “Kuvendi të vendos në seancën plenare të datës 25.02.2016, miratimin e këtij projektligji, për t’i hapur rrugë mosprezencës së personave me veprimtari kriminale në sallën e Kuvendit. “

Sipas PD, projektligji propozohet të futet në rendin e ditës me propozim të një subjekti që legjitimohet (Kryetari i një grupi parlamentar), si dhe në fazën e duhur (paraqiten me shkrim para fillimit të seancës). Kushti i tretë kërkon edhe vullnetin e mazhorancës parlamentare, me qëllim që ky propozim të miratohet me kuorumin e nevojshëm (vendim me jo më pak se tre të pestat e deputetëve të pranishëm). Ky qëndrim është në përputhje edhe me jurisprudencën e Gjykatës Kushtetuese. Konkretisht, në vendimin nr. 19, datë 15.04.2015 të Gjykatës Kushtetuese, është specifikuar se: “Në parashikimet e nenit 31/2 të Rregullores përcaktohet si përjashtim se për çështje që janë jashtë kalendarit të punimeve, Kuvendi merr vendim me jo më pak se tre të pestat e deputetëve të pranishëm për të diskutuar ose vendosur në seancë plenare për çështje që nuk janë në rendin e ditës. Propozimet për vendosje të çështjeve të tjera në rend të ditës duhet të paraqiten me shkrim nga të paktën 10 deputetë, nga një kryetar grupi parlamentar ose nga Këshilli i Ministrave vetëm para fillimit të seancës, para fillimit të diskutimit të një pike të rendit të ditës ose kur është pezulluar diskutimi. Ky rregullim është ndjekur dhe në rastin konkret, si përjashtim nga rregulli i përgjithshëm i diskutimit në seancë plenare të çështjeve të parashikuara nga kalendari 3- javor i punimeve. Gjykata konstaton se kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste, me shkresën nr.2575/1, të datës 23.07.2014, në emër të Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste ka parashtruar kërkesë për futjen në rendin e ditës të datës 31.07.2014 për shqyrtim të projektligjit për ndarjen administrativo-territoriale. Ky propozim është votuar me 3/5 e anëtarëve të Kuvendit, (megjithëse Rregullorja kërkon 3/5-at e anëtarëve të pranishëm të Kuvendit), duke u përfshirë në rendin e ditës të kësaj seance plenare. Në këto kushte, Gjykata vlerëson se vetë Rregullorja le hapësira që në rendin e ditës të përfshihen projektligje që kërkojnë shumicë të cilësuar, me kusht që të ndiqen rregullat e parashikuara mbi subjektet që bëjnë propozimet, fazën në të cilën bëhet ky propozim, si dhe kuorumin e nevojshëm për votimin dhe miratimin e propozimit.”.

Ja projekligji i plotw qw propozon swrish PD

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

GRUPI PARLAMENTAR I PARTISË DEMOKRATIKE

Nr. ______Prot.                                                                      Tiranë, më _____/_____/2016

 

DREJTUAR:               ZOTIT ILIR META

KRYETAR I KUVENDIT TË SHQIPËRISË

 

OBJEKTI:                   PROPOZOHET PËR SHQYRTIM DHE MIRATIM NJË PROJEKTLIGJ

 

BAZA LIGJORE:                   Neni 81 i Kushtetutës të Republikës së Shqipërisë dhe neni 68 i Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë.

 

Në funksion të arritjes së qëllimeve të plota të procesit të dekriminalizimit, bashkëlidhur ju dërgojmë për shqyrtim dhe miratim projektligjin “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, sëbashku me relacionin shoqërues. Projektligji është iniciativë e deputetëve të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike.

 

Përsa më lart, kërkojmë shqyrtimin me prioritet të këtij projektligji në Kuvendin e Shqipërisë dhe miratimin e tij pa asnjë vonesë të pajustifikuar.

 

DEPUTETËT:

REPUBLIKA E SHQIPËRISË

KUVENDI

PROJEKTLIGJ

Nr. ______/2016

PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 138/2015 “PËR GARANTIMIN E INTEGRITET TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE”

Në mbështetje të neneve 6/1, 81 pika 1 dhe 2, 83 pika 1, dhe 84 pika 4 të Kushtetutës, me propozimin e një grupi deputetësh,

 

KUVENDI

I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË

VENDOSI:

Në ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

Neni 1

 

Në nenin 2 bëhen këto shtesa dhe ndryshime:

 

“1. Nuk mund të kandidojnë dhe as të zgjidhen deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, kryetar bashkie apo qarku, këshilltar në këshillin bashkiak apo të qarkut, drejtues të njësive administrative, dhe në çdo rast nuk mund të marrin një funksion me votim nga Kuvendi, përfshirë funksionin e Kryeministrit apo anëtarit të Këshillit të Ministrave, apo me votim nga këshillat bashkiakë ose të qarkut, personat e dënuar me vendim gjyqësor të formës së prerë, brenda apo jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, për:”.

 

“a/1) ndaj të cilëve është zbatuar masa e arrestit në flagrancë për krime kundër jetës të kryera me dashje, ose veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit.”.

 

Neni 2

 

Pika 6 e nenit 4, ndryshohet si më poshtë vijon:

 

“6. Për personat e dëbuar sipas parashikimeve të germës “b” të pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, kohëzgjatja e ndalimit për kandidim, zgjedhje apo ushtrim të funksionit është:

iii) 10 vjet për dëbim, në lidhje me rastet e parashikuara nga neni 2, pika 1, shkronja “c”, pavarësisht uljes së dënimit për shkak gjykimi të shkurtuar apo procedure të ngjashme me të që passjell uljen e dënimi.”.

 

Neni 3

 

Pika 4 e nenit 5 ndryshohet si më poshtë vijon:

 

ç) pranë Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për anëtarët e Këshillit të Ministrave që nuk kanë mandat deputeti dhe nuk kanë paraqitur vetëdeklarim, sipas shkronjës “a” të kësaj pike;

ë) pranë Departamentit të Administratës Publike, për rastet e parashikuara nga shkronja “e”, të pikës 1, të nenit 3, të këtij ligji;

 

Neni 4

Paragrafi 5, i nenit 10, ndryshohet si më poshtë vijon:

 

​“5. Për personat që plotësojnë kushtet e shkronjës “a” dhe “a/1” të pikës 2, të nenit 2, të këtij ligji, ndalimi që zbatohet për ta është pezullimi i ushtrimit të funksionit, me përjashtim të rasteve të parashikuara në pikën 1, të nenit 16, të këtij ligji. Për rastin e parashikuar nga shkronja “a” e pikës 2 të nenit 2 të këtij ligji, pezullimi zgjat përgjatë gjithë periudhës që ekzistojnë rrethanat për të cilat zbatohet ky ndalim. Në cdo rast, pezullimi mbaron kur personi deklarohet i pafajshëm, me vendim gjyqësor të formës së prerë.”.

 

Neni 5

Hyrja në fuqi

 

Ky ligj hyn në fuqi menjëherë dhe botohet në Fletoren Zyrtare.

 

 

Miratuar më _____/_____/2016.

 

 

KRYETARI

ILIR META

RELACION PËR PROJEKTLIGJIN

‘PËR DISA SHTESA DHE NDRYSHIME NË LIGJIN NR. 138/2015 “PËR GARANTIMIN E INTEGRITET TË PERSONAVE QË ZGJIDHEN, EMËROHEN OSE USHTROJNË FUNKSIONE PUBLIKE”’

Kapja e pushtetit publik nga krimi nëpërmjet përfshirjes së individëve me rekorde të rënda kriminale nga partitë politike në kandidaturat dhe zgjedhjen e tyre në Kuvend apo pushtetin vendor, si dhe nëpërmjet emerimit në funksione të larta apo funksione kyçe të administrates publike dhe organeve ligjzbatuese, përbën një kërcenim të rëndë për integritetin dhe funksionimin e demokracisë dhe institucioneve demokratike. Në demokraci duhet garantuar që personat që konsiderohen nga shumica e votuesve si të papërshtatshëm për të vendosur për interesat e tyre të qendrojnë jashtë vendimmarrjeve legjislative apo Qeverisë. Qëllimi i këtyre kufizimeve ka për synim mbrojtjen e funksionimit demokratik të institucioneve nga ndikimi i personave me rekorde të rënda penale apo që konsiderohen që mund të ndikojnë negativisht, mbi bazën e dyshimeve të arsyshme. Është interes i lartë publik që politikbërja dhe vendimmarrja të imunizohen nga ky ndikim.

 

Me ligjin nr. 138/2015 “Për garantimin e integritet të personave që zgjidhen, emërohen ose ushtrojnë funksione publike”, janë miratuar rregullat bazë për mbrojtjen dhe garantimin e mirëfunksionimit demokratik të Kuvendit, organeve të qeverisjes vendore, institucioneve kushtetuese apo të krijuara me ligj, administratës publike, Forcave të Armatosura, organeve të rendit publik, sigurisë kombëtare dhe çdo institucioni apo entiteti tjetër ekonomik shtetëror, nga ndikimi apo pjesëmarrja në politikëbërje dhe/ose vendimmarrje i personave, të cilët janë dënuar apo ndaj të cilëve janë marrë masa sigurie ose janë dënuar me vendim jopërfundimtar për kryerjen e krimeve. Miratimi i këtij ligji ishte padyshim suksesi më i rëndësishëm i Kuvendit të Shqipërisë gjatë vitit 2015 dhe reforma kyce e përkrahur gjerësisht nga partnerët ndërkombëtar. Tashmë Shqipëria duhet të ndërmarrë hapa konkret për zbatimin e këtij ligji dhe pastrimin e organeve publike nga ndikimi i personave me rekorde kriminale.

 

Mirëpo, në ligjin nr. 138/2015 vërehet se mungojnë një rrethanë e cila në vlerësimin tonë është me rëndësi parësore në arritjen e qëllimit të vetë ligjit. Konkretisht, ligji nuk parashikon mundësinë e pezullimit nga detyra të funksionarëve publik në rast se ato arrestohen në flagrancë për krime kundër jetës të kryera me dashje, ose veprat penale të kryera me dashje kundër shëndetit. Arrestimi në flagrancë për kryerjen me dashje të një veprave penale kundër jetës ose shëndetit, nënkupton se zyrtare nuk mund të vijojë ushtrimin e funksionit, pa u përfunduar cështja me vendim gjyqësor të formës së prerë, për shkak se ajo bie ndesh me parimet që udhëheqin ushtrimin e funksionit publik dhe që ka të bëjë me ofrimin e shërbimeve ndaj qytetarëve, përfaqësimin dhe mbrojtjen e interesave të tyre. Nëse një funksionar publik arrestohet në flagrancë për kryerjen me dashje të një vepre penale kundër jetës ose shëndetit të shtetasve, atëherë krijohet dyshimi i bazuar për pamundësinë ligjore që ai njëkohësisht të ushtrojë funksionet publike në shërbim të qytetarëve.

 

Për këtë qëllim, në nenin 2 është shtuar një formulim ndalues, i cili nuk passjell shkarkimin e tij nga detyra, për arsye të respektimit të parimit të prezumimit të pafajësisë, por pezullimin nga detyra deri në përfundimin e cështjes me vendim gjyqësor të formës së prerë. Nëse funksionari publik deklarohet i pafajshëm me vendim gjyqësor të formës së prerë, atëherë pezullimi konsiderohet i pushuar. Në të njëjtën linjë me këtë shtesë, është riformuluar edhe pika 5 e nenit 10 të ligjit, ku rrethana e parashikuar nga shkronja “a/1” e pikës 2 të nenit 2, është shtuar në rastet e pezullimit të funksionarit nga detyra. Nga ana tjetër, është riformuluar edhe pika 1 e nenit 2, edhe për shkak se konstatohet se nuk janë përcaktuar në mënyrë shteruese të gjitha funksionet publike që duhet të përfshihen. Konkretisht, janë shtuar funksionet e kryetarit/këshilltarit të qarkut, dhe drejtuesit e njësive administrative, në përputhje me ligjin e ri të organizimit dhe funksionimit të pushtetit vendor, si dhe është përputhur parashikimi me shkronjën “dh”, të pikës 2 të nenit 71 të Kushtetutës.

 

Gjithashtu, për shkak të procedurave të gjata të shqyrtimit të këtij projektligji nga Komisioni i Posacëm Parlamentar dhe ndërhyrjeve në të deri në momentet e fundit, pas miratimit të projektligjit nga Kuvendi, është dërguar për zbardhje pranë strukturës përgjegjëse të Kuvendit, versioni i projektligjit me disa gabime në referimin e brendshëm të ligjit. Konkretisht, gabime në referim janë vërejtur:

Për këtë arsye, është e nenvojshme që të bëhen këto saktësime, me qëllim që ligji të mos keqzbatohet në praktikë.

 

Në përputhje me pikën 4 të nenit 84 të Kushtetutës, ku specifikohet se: “Në rastet e masave të jashtëzakonshme, si dhe në rast nevoje e urgjence, kur Kuvendi vendos me shumicën e të gjithë anëtarëve dhe Presidenti i Republikës jep pëlqimin, ligji hyn në fuqi menjëherë, vetëm pasi të jetë njoftuar publikisht. Ligji duhet të botohet në numrin më të parë të Fletores Zyrtare”, dispozita e hyrjes në fuqi parashikon se ligji hyn në fuqi menjëherë. Nevoja dhe urgjenca që paraqet fillimi nga zbatimi sa më parë të jetë e mundur e legjislacionit për dekriminalizimin, është jetike për funksionimin normal të vetë institucioneve publike. Shqipëria dhe shqiptarët meritojnë një përfaqësim dinjitoz, jo nga njerëz me rekorde kriminale, por nga burra dhe gra që punojnë në interes të tyre. Ky projektligj i shërben pikërisht këtij qëllimi dhe për pasojë duhet të përkrahet nga të gjitha forcat politike në Kuvend, si një tregues i vullnetit të tyre të sinqertë për dekriminalizimin e politikës dhe mos përdorimit të krimit për të ardhur apo mbajtur pushtetin.

 

DEPUTETËT:

 

 

1 komente në “SHKRESA/ PD kërkon të futet në rend dite përsëri, ndryshimi i ligjit të dekriminalizimit”

  1. Spiro says:

    Po kta pse dhane dakordsine per ligjin e dekriminalizimit kur paskan pas gjera te tejta per te shkrujt?! Apo kshu esht kur mban kshilltar o bylyku i bashve qe sdi nga lidhet ligji. Te pakten mos e kishin bene te firmoste debilin. Se ky e negocioni ligjin e dekriminalizimit. Pse e pranoi ky kur nuk ish ne rregull. Opozit leshi me gjasme jurista

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje