Të pakënaqur me PS; Idrizi kërkon një minister. Milo: Nuk na duan

7 Mars 2016, 20:01Politika TEMA

PDIU nuk është e kënaqur me funksionimin e deritanishëm të koalicionit me Partinë Socialiste.

“Ne nuk kemi akoma sot, përveç marrëveshjes kur hymë në zgjedhjet e pushtetit lokal, një marrëveshje të shkruar me mazhorancën e sotme. Ne kemi dizenjuar linjat e përgjithshme dhe po mendojmë dhe shpresojmë që kjo mazhorancë të jetë korrekte në këtë pikë”, deklaron kryetari Shpëtim Idrizi për Top Channel.

Duke iu referuar peshës në Kuvendin e Shqipërisë, zoti Idrizi rithekson se PDIU duhet të përfaqësohet me një post ministror.

“Pesha jonë specifike, numri i deputetëve në Kuvendin e Shqipërisë, qartësisht forca e katërt politike, kjo e parë në disa zgjedhje, e bëjnë të natyrshme që me grup parlamentar ne, në rast të kompozimit të qeverisë, të përfaqësohemi me një ministër. Sepse pesha jonë specifike është e tillë, por edhe kapacitetet që ne kemi e mundësojnë këtë gjë”, thotë Idrizi.

Zoti Idrizi thekson se pavarësisht gjithçkaje, PDIU do të ruajë identitetin e saj në lidhje me çështje të caktuara ai ajo e lustracionit, dekoratat, çështja kombëtare ku përfshihet edhe ajo çame, apo kundërshtia për varrezat greke. Por jo vetëm PDIU ka pakënaqësitë e saj. Edhe një aleat tjetër tradicional.

“Mungesa e respektit dëshmon që nuk na duan dhe përsa kohë që nuk na duan, dhe kjo është një përshtypje jo vetëm e jona por edhe e opinionit publik, atëherë ne nuk na mbetet gjë tjetër veç se të mendojmë se ç’duhet bërë”, thotë Paskal Milo, kryetar i PDS.

Po çfarë do të bëjë në këtë situatë PDS-ja?

“Por, patjetër që pas kongresit të Partisë Socialiste, ne do të mblidhemi, do të gjykojmë dhe do të vendosim”, nënvizon Milo.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje