Shqipëria pranë deflacionit, në shkurt, çmimet u rritën me vetëm 0.2 për qind

8 Mars 2016, 16:42Ekonomia TEMA

Nga Gjergj Erebara

Indeksi i Çmimeve të Konsumit të matur nga Instituti i Statistikave shënoi një rritje vjetore prej vetëm 0.2 për qind në shkurt 2016, niveli më i ulët i rritjes së çmimeve që nga janari i vitit 2003. Shifrat e publikuara nga INSTAT tregojnë se Shërbimi Arsimor është grupi i shpenzimeve më rritjen më të madhe vjetore prej 4,8 për qind, rritje që i dedikohet drejtpërsëdrejti politikave të qeverisë për të shtrenjtuar pagesat vjetore për studentët e arsimit të lartë. Përveç arsimit, grupi Pije Alkoolike dhe Duhan u shtrenjtua me 2.6 për qind si pasojë e taksave shtesë mbi duhanin ndërsa grupi i ushqimeve pësoi rritje prej 2.2 për qind, kryesisht si pasojë e shtrenjtimit të frutave me 28 për qind dhe zarzavateve me 9.6 për qind.

Në anën negative, transporti qe 4,1 për qind më i lirë se sa një vit më parë, kryesisht si pasojë e rënies së çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar ndërsa veshjet dhe këpucët kushtuan 3,4 për qind më lirë.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit në Shqipëri, sipas studimeve të mëparshme të Bankës së Shqipërisë, ka një tendencë të brendshme statistikore drejt rritjes dhe zyrtarisht, Banka e Shqipërisë konsideron si situatë deflacionare gjendjen kur rritja e inflacionit është pranë zeros. Gjithsesi, një pjesë e shkaqeve të inflacionit shumë të ulët aktual është shkaktuar nga mallrat e importit si nafta, ecuria e të cilave nuk varet nga politika që ndjek Banka e Shqipërisë.

Objektivi zyrtar i Bankës së Shqipërisë është për inflacion të shënjestruar prej 3 për qind në vit, me një bandë luhatjeje plus minus 1 për qind. Indeksi i Çmimeve të Konsumit ka qëndruar në nivele shumë të ulëta që nga viti 2013, me rritje të vogla të shkaktuara kryesisht nga rritja e taksave.

Në tërësi, inflacioni i ulët në kushtet e rritjes së vazhdueshme të taksave përgjatë dy viteve të fundit tregon ecuri shumë të keqe të ekonomisë. Qeveria shqiptare shpreson që rritja ekonomike të përmirësohet këtë vit, ndërsa parashikimet e saj kanë dalë huq në vijimësi përgjatë dy viteve të fundit. Inflacioni në nivel kaq të ulët vë në pikëpyetje pretendimet e shpeshta të qeverisë për rigjallërim të ekonomisë dhe për sukses të planit të saj të reformave makroekonomike.

Inflacioni në nivelin 0.2 për qind, në një kohë që kategoria e çmimeve të administruara si shërbimet arsimore dhe taksat janë rritur, tregon se ecuria e ekonomisë është shumë më e keqe nga sa pretendohet. Për ekonomistët, nuk mund të ekzistojë rritje ekonomike në kushtet e mungesës së inflacionit.

Indeksi i Çmimeve të Konsumit nuk është treguesi i vetëm i ecurisë së dobët të ekonomisë përgjatë viteve të fundit. Interesat vjetore të depozitave në lekë kanë rënë aktualisht në më pak se 1 për qind, ndërsa interesat reale, të cilat marrin parasysh inflacionit, janë në territor negativ tashmë që prej një viti.

3 komente në “Shqipëria pranë deflacionit, në shkurt, çmimet u rritën me vetëm 0.2 për qind”

  1. DIA says:

    Mos i nxirrni sot keto lajme se piktori eshte i zene me festimet per diten e grave qe neser do na e rilinde perseri ekonomine.

  2. KORÇARI says:

    Ekonomia e një Shteti nuk rritet duke ngritur Taksat,apo duke PASURUAR BANKËN, ekonomia e një Shteti RRITET DUKE INVESTUAR NË EKONOMINË E BRENDSHME DHE EKSPORTET,PRA DUKE INVESTUAR NË RRITJEN E NIVELIT TË HAPJES SË NDËRMARJEVE KOMBËTARE NË MOS PRIVATIZIMIN E INSTITUCIONEVE KYÇE SIÇ JANË— ENERGJIA -UJI – BANKAT – USHTRIA- POSTAT DHE TELEFONAT- PAURITË MINERALE(NAFTA- GAZI NATYROR- KROMI ,NIKELI, QYMYRI ETJ), SEPSE KËTO JANË PIKA KYÇE ,STRATEGJIKE SEPSE JANË GJITHMONË , GJITHMONË FITIMPRURËSE.
    EKONOMIA E NJË SHTETI QË SHET DHE PRIVATIZON GJITHÇKA ËSHTË E DESTINUAR TË RRËNOHET DUKE SJELLË KËSHTU SKLLAVËRIMIN E PLOTË TË MASAVE ,PRA TË POPUJVE.
    Këto që shkruani ju i dashur botues KËTU JANË MËSIMET E SHKOLLËS SË SAN FRANÇISKOS,MËSIMET E SË CILËS ÇAUN DREJ KAOSIT POLITIK SHOQËROR DHE FINANCIAR KILIN, SEPSE ATJE U PËRDOR PËR HERË TË PARË DHE MË VONË ARGJENTINËN DHE TANI MË SË FUNDMI GREQINË,
    KJO METODË SHTYN DREJT VARFËRISË EKSTREME POPUJT POR MBIPASURON TË PASURIT,PRA ZHDUK KLASËN E MESME E CILA SOT NË SHQIPËRI PËRBËN 80% TË POPULLSISË DUKE KRIJUAR VETM DY KLASA ATË TË VARFËR (ME VARFËRI TË SKAJSHME) DHE ATË TË PASUR (ME PASURI PËRRALLORE)

  3. Fori says:

    Tani Z.Profesor nuk po te kuptojme dot. Mungesa e rritjes se cmimit coka ne perkeqesim te ekonomise ? Po rritja e cmimeve ku na con mor xhan apo ju jeni si ajo fabula i ke dhene uje gomarit ?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje