Ngjarja e rëndë dhe e paprecedentë që ndodhi “Ditën e Verës” në Shalës të Cërrikut, ku një burrë u masakrua në shtëpinë e tij nga baxhanaku i të birit dhe babai i këtij të fundit, u spostua në Gjykatën e Elbasanit.
Në ballafaqimin mes dy personave babë e bir, të vënë nën akuzën e grabitjes me pasojë vdekjen e mikut të familjes, kanë hedhur akuza të rënda kundër njëri-tjetrit.
Ndërsa i ati pretendoi të ruante nderin dhe egon e vet dhe të familjes, duke i thënë gjykatës se ai s`mund të ishte i pabesë të vriste mikun e shtëpisë dhe se këtë, nëse e kishte bërë djali i tij, duhej të vrisnin, djali ka mbajtur thuajse të njëjtin qëndrim mohues për veten, por jo për të atin:
“Kur shkova unë në shtëpinë e tij, Bajramin e gjeta të pajete”, tha ai, raporton Shekulli.
Prokuroria ka dokumentuar një pjesë të mirë të aktit makabër, ndërsa ka sjellë para gjykatës edhe ekspertimin e kufomës, duke i bërë me dije gjykatës se burri ishte masakruar pas koke me mjete të forta.
Naim Çekrezi, 56-vjeç, ka mohuar në mënyrë kategorike të jetë ai autori i kësaj vrasje, duke i kërkuar gjykatës të lihej i lirë, pasi ishte turpëruar gjithë familje e tij, ndërsa i biri, në dëshminë e tij, ka pranuar në prokurori: “Po, e mora unë në telefon Bajramin se ma kërkoi babi. Ai donte të shkonte të sqarohej me të pasi ai kishte folur ca fjalë për nënën”.
Edhe prokuroria, në materialin e saj, pranon se thirrja është gjetur në telefonin e Bajramit, edhe pse aparati celular është gjetur në sobën e druve krejtësisht i djegur.
Po ashtu prokuroria, ka fiksuar faktin se zarfin me para që është gjendur te “Kodra e Patateve”, futur nën tokë te pema e ullirit e ka marrë Ilir Çekrezi, 26-vjeçari që tashmë mban edhe peshën më të madhe në këtë ngjarje, ndërsa prokuroria, nuk bën me dije asnjë lloj elementi që implikon Naim Çekrezin në këtë krim, përveç faktit se ai ka qenë në vendin e ngjarjes dhe ka pirë raki me viktimën para se ai të vritej.