Prokuroria e Krimeve të Rënda ka dorëzuar në gjykatë, akuzën për 9 të pandehurit e laboratorit të drogës që u zbulua në fillim të vitit 2015 në Xibrakë të Elbasanit. “Trafik droge” dhe “grup i strukturuar kriminal”, është akuza për Ermal Hoxhën dhe të akuzuarit e tjerë.
Mediat print kanë publikuar sot dosjen e plotë për të pandehurit ku dalin në dritë faktet, bisedat me kod të përgjuara nga prokuroria dhe fakti që lënda kimike e përdorur për laboratorin u ble me kuponë dhe fatura tatimore
Gjithashtu referuar bisedave të përgjuara nga ana e prokurorisë të pandehurit i referohen me “ata shokët” kur e kanë fjalën për dy shtetastit kolumbianë.
Ndërsa Ermal Hoxha përdorte emrin “Shkodër” kur i referohej Elbasanit si destinacion.
Genci Xhixhës i referoheshin me emrin “i shëndoshi” ose “Daku”, raporton Ora News.
Si mberriti informacioni nga Gjermania
Në datën 17.12.2014, ka mbërritur në Prokurorinë për Krime të Rënda një informacion nga ana e autoriteteve gjermane mbi organizimin e një aktiviteti të trafikimit të një sasie lënde narkotike, të dyshuar si kokainë, nga Shqipëria drejt Gjermanisë.
Nga hetimi i kryer përmes përgjimeve telefonike dhe vëzhgimeve, rezultoi se Ilir Hyseni, pas mbërritjes në Shqipëri kishte kontakte me shtetasin Kastriot Imeri. Në vijim të veprimeve të tij, Ilir Hyseni përveç kontakteve me Kastriotin kishte kontakte edhe me Ermal Hoxhën. Në këto kushte policia gjyqësore vazhdoi me vëzhgimin e lëvizjeve të Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, derisa në datën 13 janar 2015, u zbulua se këta shtetas udhëtuan nga Tirana për në ish-magazinat e Rezervave Shtetërore në Xibrakë të Elbasanit.
Në këto kushte vazhdoi vëzhgimi i këtyre ambienteve, nga ku rezultoi se, përveç Ilir Hysenit dhe Ermal Hoxhës, aty kishin akses edhe Klemend Dalipi, pronari i magazinës, Arjan Dalipi, Gentian Gjonaj dhe Saimir Batku. Rezultoi nga përgjimet telefonike se personat e mësipërm kishin komunikime të shpeshta me njëri-tjetrin.Nga vëzhgimet u konstatua se dhe dy shtetas të huaj, të cilët më pas rezultuan se ishin kolumbianë, Cesar Avila dhe Valther Moren Moreno, kishin akses tek ambientet.
Kontrolli i Magazines
Nga provat e gjetura në vendngjarje rezulton se magazina shërbente për të fshehur një laborator për transformimin dhe përpunimin e lëndëve që kishin përmbajtje kokaine, të cilat pas përpunimit dilnin në produkt përfundimtar që ishte kokainë e gatshme për t’u hedhur në treg. Në magazinë u sekuestrua e vendosur në një peshore një sasi prej 435 gramësh kokainë. Gjithashtu u sekuestruan edhe shumë pajisje të cilat përdoreshin në procesin e përpunimit.
“Një sërë faturash tatimore apo kuponësh tatimorë që i janë sekuestruar shtetasit Sajmir Batku, për blerjen e lëndëve të ndryshme kimike, si acid klorhidrik, sodë kaustike etj, apo veshje pune, kova, peshore etj në periudhën mes fundit të nëntorit dhe fillimit të dhjetorit të vitit 2014 të cilat më pas e gjetën dhe në laboratorin ku ekstraktohej lënda narkotike e provojnë këtë” thuhet në dosje.