Rrëfimi i ish-basketbollistit Ferdinand Hodo: si e solla Hans Ditrich Gensher-in në Elbasan

3 Prill 2016, 17:15Dossier TEMA

Nga Bardha Nergjoni

Të gjithë e përmendin sheshin qendror të Elbasanit me emrin “Gensher”, por pak kush e di se si është vendosur ky emër. Shpesh është diskutuar edhe për tu hequr, ka pasur edhe thyerje të pllakës emërtuese por vizitën e hershme të vitit 1992; dhe, lidhja e sheshit kryesor me diplomatin e shquar që njihet edhe si arkitekt i  ribashkimit të dy Gjermanive, Hans Dietrich Genscher, njihet shumë pak nga shqiptarët.

Emri i tij u kthye në vëmëndje pas lajmit se ndërroi jetë dy ditë më parë. Njerëz që e takuan, kanë fiksuar impresionin e tyre, mediat shqiptare shkruan për diplomatin gjerman që disa prej fotografive në Shqipëri i ka pikërisht nga Elbasani.

Vizita e tij ishte historike për Shqipërinë në periudhën e ndryshimeve të mëdha. Por pse Gensher erdhi në Elbasan pas 24 vitesh, pak kush mund ta tregojë.

Ishte hera e parë dhe e vetme që një politikan i këtij niveli vinte në qytetin e Shqipërisë së mesme, mbante një fjalim historik në sheshin para pallatit të sportit “Tomorr Sinani” dhe ekzaltonte mijëra njerëz.

Fedinand Hodo, një ish-basketbollist, biznesmen i njohur në Elbasan, është një ndër organizatorët e ardhjes së Gensherit në këtë qytet. Sot të gjithë bëjnë çudi për emrin e politikanit gjerman në qendër të qytetit, por në fakt është pikërisht ky emërtim që solli zv/kancelarin gjerman dhe i hapi rrugë ndihmave, investimeve dhe vëmendjes së BE drejt Shqipërisë. Hodo, një ndër anëtarët e shoqatës së miqësisë Shqipëri-Gjermani të asaj kohe, tregon detajet e vizitës historike në periudhën e ndryshimeve të mëdha që erdhi si rezultat i mardhënieve të krijuara nga kjo shoqatë më parë me ambasadën gjermane nëpërmjet një interlokutori mjaft të përgatitur si Aleko Rada.

Hodo, ju keni qënë ndër iniciatorët e ardhjes së Gensherit në Elbasan. Pse erdhi kjo vizitë?

Ishin vitet e para të ndryshimeve demokratike dhe ne në atë kohë krijuam një shoqatë që pati anëtarë të majtë e të djathtë me qëllim miqësinë Shqipëri-Gjermani. Një ndër organizatorët kryesor të shoqatës ishte Aleko Rada, i cili kishte kontakte të mëparshme me investitorë gjermanë dhe ambasadën gjermane. Deri në organizimin e aktivitetit u bënë pjesë Bashkim Progri, Bukurosh Stafa, etj. Pati që u tërhoqën disi dhe nuk u afruan ditën e ardhjes së Gensher pasi ai shoqërohej nga Berisha dhe këto ndarjet e mëdha politike sidomos në atë kohë shikoheshin.

Pse u vendos që ndalesa e parë të ishte sheshi kryesor në qendër të Elbasanit?

Një ditë më parë, në darkë, ku merrja pjesë edhe unë, u vendos intenerari i lëvizjeve në ministrinë e jashtme shqiptare i monitoruar nga ambasada gjermane. Gjithçka ishte e organizuar deri në detaje. Ndalesa e parë ishte në bulevardin kryesor ku do të zbulohej një pllakat. Më pas, nga sheshi shkuam në pallatin e sportit ku Gensher mbajti një fjalim për demokracinë bashkë me Berishën. Fjalimi u përqëndrua në ndryshimin e sistemit dhe vlerat e lirisë. Kontributi i tij për demokracinë ishte jashtëzakonisht i madh dhe sigurisht që në vitet e para të ndryshimit të sistemeve kjo vizitë ishte historike.

Pra, emërtimi i sheshit erdhi para se të bënte vizitën Gensher në Shqipëri?

Po. Si shoqatë ne vendosëm të propozojmë vendosjen e emrit të këtij sheshi në nder të zv/kancelarit gjerman. Nuk di pse u mendua ky shesh. Mund të ishte menduar një shkollë, një lulishte apo një shesh tjetër, por kjo ka pak rëndësi. Ne nuk bëmë asgjë për interesa personale. E menduam dhe dërguam propozimin në Komitetin e Rrethit të asaj kohe. Mbaj mend që drejtohej nga Argjir Panariti i cili mblodhi këshillin e rrethit, u diskutua dhe u vendos që këtij sheshi ti vendosej emri Gensher. Pra Gensher erdhi në Elbasan për të zbuluar pllakën e emrit bashkë me Berishën. është historike kjo vizitë dhe vendosja e atij emërtimi e ka një histori.

Shpesh kam parë që është diskutuar heqja e emrit, ndoshta qytetarët nuk e dinë këtë histori. Ka pasur raste që është hequr pllaka, e raste të tjera kur është vendosur prapë. Por duhet të dini se Elbasani nuk ka ngjarje më të madhe historike si kjo. Këtu nuk ka ardhur një ministër i jashtëm i një shteti ballkanik e jo më i një vendi si Gjermania.

A mund të sillni detaje nga kjo vizitë?

U deshën të paktën 4 orë intenerar për të ardhur e për t’u larguar nga Elbasani me gjithë agjendën që kishte. E mbaj mend që kishte një protokoll strikt zyrtar i llogaritur deri me minuta. Kur kanë zbritur përpara Kalasë në të njëjtën makinë të dy, më kujtohet se si Berisha ishte ulur djathtas dhe ai majtas. E pritëm kur zbriti tek Kalaja dhe shkuam tek sheshi ku u hap pllakata.

Çfarë solli kjo vizitë për Elbasanin?

Pas kësaj vizite shumë njerëz nga Komuniteti Europian vizituan Elbasanin. Ishin kryesisht komisionerë të KE. Një prej tyre, që ishte kryesor në atë kohë e kemi dërguar në spitale ku ka parë gjendjen e tyre. Mbaj mend që ka qarë ndërsa shikonte kirurgjinë tonë, edhe pse për ne nuk ishte dhe aq keq. U skandalizua nga gjendja këtu.  Pas kësaj vizite pati ndërhyrje e investime. Gjermania ka qenë promotori i Shqipërisë në ndihma. Dihet që pjesa më e madhe e fondeve nga BE vijnë nga Gjermania.

Ju si shoqatë udhëtuat edhe drejt Gjermanisë?

Ne vazhduam kontaktet me ambasadën. Kemi udhëtuar drejt Gjermanisë disa herë. Jemi pritur  edhe në Bundestag ku janë organizuar disa takime. Aty kemi takuar sërish Gensherin, edhe pse vetëm për 5 minuta. Ai kishte agjendë të ngjeshur. Ishte fat i madh të vizitojë Bundestagun në atë kohë. Në ato 5 minuta ne i bëmë kërkesa për nevoja emergjente siç ishin ilaçet. Janë sjellë gati tre kamionë me medikamente në atë kohë në Elbasan. Shqipëria kishte nevojë për gjithçka por sidomos për medikamente.

Ju thatë se një njeri ishte promotor i kësaj marrëdhënieje. Cili ishte ai?

Aleko Rada ishte një ndër organizatorët kryesorë. Sot është në Angli. Fliste anglisht, dhe ishte gjermanishtfolës shumë i mirë. Ai ishte promotori i gjithë kësaj mardhënie që kishte nisur me punën e tij me industrialistë gjermanë. Ata në fakt investuan në Uzinën 12-të që mund të kishte qenë ndërhyrja më e rëndësishme ekonomike për kohën. Nuk di pse u la përgjysëm por i gjithë investimi i bërë u shkatërrua në 97-tën. Shoqata u bë urë lidhëse si para ashtu dhe pas vizitës së Gensherit. Komisionerët që vizituan Elbasanin në atë kohë, panë se çfarë duhej dhe disa nga investimet kanë ardhur pikërisht prej këtyre vizitave.

Hapja e degës së gjermanishtes në universitetin e Elbasanit erdhi si rezultat i kësaj mardhënieje?

Pas vizitës së Gensherit, ambasada gjermane solli një pedagoge që ka dhënë mësim në Universitetin e Elbasanit. Ajo ka qëndruar fillimisht edhe në shtëpinë time. Pedagogen e paguante ambasada dhe nga aty lindi dhe idea për hapjen e gjermanishtes si degë.

Sot jemi në periudhën që shqiptarët kanë ikur në masë drejt Gjermanisë. A e mendoni zgjidhje emigrimin?

Nëse s’ka zgjidhje këtu mirë bëjnë që ikin por qëlloi periudhë e keqe pasi këtë gjë mund ta kishin bërë më parë. Çfarë ka ndryshuar këto 3 vjet? Në krizë kemi qenë edhe më parë. është pasojë e krizës dhe vendet në zhvillim janë të fundit që përjetojnë valën goditëse të saj. Të shpresojmë që gjërat do të ndryshojnë.

Tesheshi.com

11 komente në “Rrëfimi i ish-basketbollistit Ferdinand Hodo: si e solla Hans Ditrich Gensher-in në Elbasan”

  1. Isuf Myzyri says:

    Eshte nje tregim me se i sakte i zotit Hodo, mirenjohje zotit Rada qe e beri Elbasanin aq te njohur neper qarqet gjermane dhe europiane ne ate kohe, uroj qe keto marredhenje te shkojne edhe me tej. Ne ato vite Elbasani u be qendra e te gjithe aktivitetit diplomatik te ambasades gjermane. Zoti Rada ne ate kohe ka qene edhe udherrefyesi i ambasadorit Zaganjori qe morri ne ato vite titullin ambasadori me i mire ne Gjermani. Ju faleminderit zoti Rada dhe ju uroj suksese ne Angli, ne profesionin e bukur te pedagogut

  2. Isuf Myzyri says:

    Eshte nje e vertete me se historike. ka qene nje nder shoqatat me aktive ne vitet e demokracise me Bukurosh Stafen si kryetar dhe Aleko Raden, interlokutorin dhe njohesin e famshem te gjuhes gjermane. Elbasani ne ate kohe u be kryeqendra e diplomacise gjermane. Ambasadori Christian Nakonz ashtu edhe Dr. Klaus e ngriten zerin e qytetit tone ne axhenden e cdo politikani apo parlamentari gjerman. Aleko Rada qe nderkohe edhe keshilltari i Xhevair Zaganjorit qe morri titullin e ambasadorit me te mire ne Gjermani, kujtime te bukura por qe edhe na ben krenare me keto figura si Aleko Rada, Bukurosh Stafa, Bashkim Progri, Ferdinand Hodo, ansambli me simpatik i qytetit tone. Nje mirenjohje nga zemra per te madhin Aleko Rada qe beri aq shume per qytetin tone

  3. emigranti says:

    Emigrantet shqiptare nga te gjitha trevat qe kane pasur pune me emigracionin e njohin mire se cfare ” burri ” eshte Aleko Rada si dhe ata qe kane punuar me te.
    Ndersa Gensher nuk ngeli ne dore te Ferd Hodos apo Aleko Rades per te ardhur ne Elbasan.

    1. Historiani says:

      Nga vete titulli qe i ke vu emigranti nuk ia vlen te flasesh shume me nje cope injorant. Gensheri ka ardhur vetem prej angazhimit te Ferd Hodos dhe Bukurosh Stafes, po ti je emigrant dhe jeton neper baraka keshtu qe nuk ke se nga ta diesh

      1. Historiani says:

        ose ke pase qene i zene duke lare pjatat ne ndonje restorant kurd ose duke pastruar halet ne ndonje qytet te Gjermanise deri ne oren 12 te nates dhe nuk ke pasur kohe te ndjekesh lajmet e ARD apo te ZDF qe tregonin per viziten e Gnesherit ne qytetin tone ashtu sic tregonte edhe Ferd Hodon, Bukurosh Stafen, Bashkim Progerin, Christian Nakonzin etj

  4. Aleksander says:

    Me vjen shume keq per Elbasanin !-Eshte nje nga qytetet qe gjeneron kulture e qytetari por qe harrohet sistematikisht nga te gjitha qeverite ,te majta e te djathta sapo arrijne qellimin e marjes se votave.Universiteti,rruga e re ,hekurishtet e mbetura te Metalurgjikut nen meshiren e Kurum-it e kohes, jane shume pak per t’i sjelle zhvillimin qe meriton Elbasani.Uroj qe gjenerata e re ,qe me siguri do te prodhoje intelektuale e njerez mendjehapur,te arrije ta shkepuse kete qytet nga kthetrat e injoranteve e interesaxhinjve te politikes qe e mban ne balten e budallallekut te saj, Elbasanin ashtu edhe Shqiperine.

  5. Punonjesi i ambasades says:

    Gezohem pa mase qe shikoj nje shkrim per gjigandin e marredhenjeve shqiptaro-gjermane zotin Rada. Nje vizionar, nje diplomat, nje interlokutor dhe njeri i paarritshem ne ndertimin e relacioneve me personalitete te politikes nderkombetare. Zoti Rada eshte i vetmi nga vendi i yne qe ka mbaruar studimet ne akademine e ekonomise ne Köln, nje institucion qe eshte promotori dhe udheheqesi i ekonomise gjermane. Zoti Rada nuk e pranoi ftesen e ministrit te atehershem per tu akredituar prane ambasades sone ne Bonn por preferoi qe te ishte nje konsulent i jashtem duke na bere sherbime te pakrahasueshme ne vitet e demokracise ne thellimin e marredhenjeve te miqesise midis shtetit tone dhe Gjermanise. shume vizita te parlamentareve gjermane dhe ministrave gjermane te asaj kohe i detyrohen vetem zotit Rada. I uroj suksese nga ana ime ne Angli.

    1. Punonjesi i dyte i ambasades says:

      I bashkangjitem edhe une kolegut tim te ambasades, e kam njohur Alekon ne disa takime qe kam pasur, ishte me te vertete nje interlokutor i papare, nje gjerman-foles i paarritshem, te gjithe ishim te magjepsur nga aftesia e tij mbinjerezore per te ndertuar marredhenje me kupolen e larte gjermane. e theksoj kete sepse cdo gje e arrinte ne planin privat pa pasur ndonje status diplomatik, i paarritshem ishte!!! I kujtoj edhe respektin qe gezonte nga e gjithe elita gjermane duke filluar nga Peter Reuschenbach, Dr. Klose, sekretaret e shtetit Schwarz apo falenderimet e Genscherit dhe te Kohlit ne darken ne Bonn Bundesviertel. I uroj atje ku eshte nga ana ime te gjithe te mirat o miku i im i dashur. Alles gute mein liber Freund!!

  6. Ambasada says:

    Si sekretar i ambasades i mbaj mend ato vite dhe pa dyshim ishte nje sukses i madh per vendin tone qe Genscher vinte ne atdheun tone fale impenjimit te zotit Rada. Pa ekuivoke zoti Genscher ka ardhur vetem nga zoti Rada dhe i gjithe personeli i ambasades e admironte zotin Rada per lidhjet e fuqishme qe kishte me te gjithe kupolen e politikes gjermane duke filluar qe nga parlamentaret dhe duke mbaruar tek zyrtaret e ministrise se jashtme apo tek sekretaret e shtetit. E admirueshmja ishte qe zoti Rada keto marredhenje i kishte ndertuar ne planin privat pa pasur nje status diplomatik por kishte elokuencen dhe zoterimin perfekt te gjuhes gjermane si dhe njohjen e etiketes ne ndertimin te ketyre marredhenjeve. I uroj zotit Rada suksese ne Angli .

  7. Hydajeti says:

    Miku i im i dashur, jam perpjekur kaq shume te te takoja por ndjeva nje sodisfaksione te papershkruar kur pashe artikullin mbi punen tende unikale ne ato vite te hershme te demokracise, i kam te pashlyera dhe te paharruara ne jeten time ato takimet tona ne Bonn ne rezidencen e qeverise gjermane, te ministrise se jashtme gjermane apo ne darkat zyrtare, rrezatoje vetem kulture, edukate dhe erudicion, ishe i paarritshem ne elokuencen e gjuhes gjermane, kur nuk do ta harroj kur sekretari i shtetit mendonte qe ti ishe gjerman por qe flisje shqip, te falenderojme per punen shembullore qe ke bere per te ndihmuar te gjithe stafin tone, te gjithe kemi fituar nje pervoje shume te vyer nga eksperienca e jote ne planin diplomatik, te uroj miku i im te gjithe te mirat dhe suksese ne punen e juaj ne Angli

  8. Andi says:

    Rastesisht e pashe kete artikull mbi aktivitetin e zotit Rada per thellimin e marredhenjeve diplomatike midis dy vendeve tona, eshte thene pak mbi angazhimin e zotit Rada si dhe mbi ndihmesen qe ka dhene per konsolidimin e marredhenjeve tona, ishte nje diplomat i lindur, me nje intuite te papare per te ndertuar relatat e duhura me njeriun e duhur, njifte ne menyre perfekte mbi 8 gjuhe te huaja, ishte i komplementuar me njohurite e nevojshme ne fushen e diplomacise, i papertuar per te ndermarre nisma qe do te conin ne konkludimin e arritjeve qe i kishte vene vetvehtes edhe pse ne pamjen e pare te dukeshin surealiste dhe fiktive, i asimiluar plotesisht nga kultura gjermane dhe ndertimi i raporteve diplomatike te nivelit me te larte, kam takuar dikur zotin Christian Nakonz, nje diplomat i rregjur i ministrise se jashtme qe me fliste me superlativat me te larta per zotin Rada dhe kjo me beri kurioz qe ta takoja dhe mbeta me te vertete i befasuar nga erudicioni, shkathtesia, ishte nje vizionar i permasave gjigande, cdo gje qe u arrit u arrit fale urtesise dhe impenjimit te zotit Rada, fatkeqesia e zotit Rada ishte se aktiviteti i tij dhe shpalosja e aftesive te tija prej nje gjigandi diplomatik qe ne nje kohe te gabuar dhe te papershtateshme per vendin tone gje qe beri terheqjen e tij nga aktiviteti diplomatik,per nje gje jam i sigurte qe kjo ishte nje goditje e heshtuar dhe nje humbje e pallogaritshme per diplomacine shqiptare dhe ne vecanti per marredhenjet ndermjet dy vendeve te tona, humbja dhe largimi nga skena e ketij kolosi, suksese i nderuari zoti Rada ne Angli

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

1 Komente

  1. M
    Mike Bala

    E kam njohur mire zotin Aleko Rada kam jetuar ne Kiel me te,eshte me te vertet nje kolos.Eshte nje nga njerzit me te zgjuar te ketij vendi.Do kisha deshir ta takoja.

    Përgjigjjuni

    Lini një Përgjigje