Mos ta tundim derën kot!

9 Prill 2016, 20:15Blog TEMA
Mos ta tundim derën kot!


Artan Xh. DUKA

Tani ka dalë Panamaja dhe ca kohë kafen do e gjerbim duke i dhënë dum asaj por ama edhe fatin e Shtëpisë së Bardhë nuk e harrojmë se helbete, amerikanëve u duhen hapur sytë! Se për mënd, falim pa hesap. Ama, ndryshe qytetari anonim që vret ca orë me hamëndjera dhe ndryshe zyrtari e politikani lart që ashtu esëll, rri, rri e këput ca publikisht dhe as nuk frenon por insiston më tej. Tundim ky që as një kryeministër nuk i reziston sikurse me opinionin rreth Trump në Amerikë.

Se kë duan apo u duhet amerikanëve si president, është puna e tyre. Ne të vëmë gjërat në terezi këtu se ka 26 vjet që qorrollepsemi nga syresh që i kanë bërë të gjitha dhe nuk i bëjmë dot zap. Jo vetëm nuk na e fërshëllen kush por dhe futim veten në sëkëlldi kot se bën vaki e shkon prapë puna “pështy e lëpi”, pale që i jep material edhe zëhollit dhe pusetave në opozitë që të mbetur pa kauzë, se janë vetë kauza, rendin të bëjnë proamerikanin e ditës.

Çfarë ndodh në Amerikë sigurisht prek botën mbarë. Ndaj, normal edhe komentet për zgjedhjet presidenciale tek ne por (“por” e madhe kjo) pa lënduar ndjenjat e kombit që na është gjëndur në udhëkryqe historike (të tilla kemi ende plot para). Vërtet fjala nuk “kushton” por prek “tela” dhe mund të na kushtojë dhe megalomania e të “voglit” është kusuri i tij.

 

Miku shekullor

E solli fati që me SHBA të jemi tok. U jemi borxhli për gjithshka kanë bërë për kauzën tonë. Falë tyre por dhe Austrisë e Britanisë së Madhe, mbijetuam 1912-tën dhe sot po afirmohemi faktor në Ballkan – nga Kosova e lirë, futja me “mik” në NATO etj.

Miqësia shekullore me SHBA sot është më shumë se fat dhe emrat e përveçëm që shkojnë e vijnë në politikën zyrtare nuk janë veçse “etiketa” të rradhës së partneritetit historik. Ndaj nuk ka përse lakohet kush. Republikan, demokrat apo i pavarur në Shtëpinë e Bardhë, mbeten partnerët tanë dhe ne duhet të sillemi si të tillë duke dëshmuar përgjegjshmërinë e pritshme.

Të respektojmë vetveten duke mbajtur vëndin që na takon. Nëse amerikanët janë pranë punëve tona të brëndëshme, ndodh sepse kemi nevojë për ta – por dhe atëhere ata nuk përflasin publikisht politikanët shqiptar apo marrin anë. Sesa diplomaci, është respekt dhe besim ndaj nesh. Amerika heq vija të kuqe në Shqipëri veç për vlera dhe norma demokratike por në fund, beson tek vota dhe e respekton atë (ndryshe nga tanët që rreshtohen publikisht me koalicione ideologjike në fushatat zgjedhore në perëndim se nuk e kanë galje të bëjnë “Uria Hipin” me fituesin pavarësisht ngjyrimit ideologjik).

 

Moda e portretizimit bardhë e zi!

Zgjedhjet amerikane duhen komentuar brënda etikës dhe premisës se kushdo që vjen në Shtëpinë e Bardhë, mbetet partner strategjik. Fituesi nuk dihet dhe askush nga kandidatët nuk është i përsosur (ca më pak këta ekspertët tanë që ndajnë “shapin nga sheqeri”) por para se të flasim për moral në betejën e tjetrit, të merremi me amoralin e politikës sonë ku “orgjirat” dhe “prostitucioni” politik janë sheshit dhe në modë (partitçka që hyjnë e dalin nga dera e PS dhe PD, moda e lëpirjes së LSI nga PD dhe PS për mbajtur pushtet etj).

Trump është një individ që ka arritjet e tij, pa komplekse e që flet mëndjen e tij për problemet e Amerikës dhe atë që ai mendon se është e shtrënjtë për të. Ndoshta nuk bëhet president por për këtë nuk do na marrin dorën ne. Ne si politikë dhe shoqëri shqiptare na takon të respektojmë zgjedhjen e popullit amerikan dhe të dëshmojmë partneritet paekuivok ndaj SHBA dhe jo sikundër me armët kimike kur në emër të “ambjentalizmit” iu fut shkop nën rrota gjeo-politikës proshqiptare amerikane duke ngazëllyer antishqiptarët në rajon.

Një fjalë e pavënd ndaj mikut historik, sëkëlldis këdo – atë që e thotë që duhet të zgjedhë mes ndjesës apo bërjes tërkuzë, shoqërinë që nuk ndan mendim të njëjtë etj sikurse i ngre dhe ca vetulla matanë Atlantikut. Më mirë një “no comment” se sa zell për të qënë “origjinal” e portretizuar pafre. Nuk na takon të gjykojmë por të shpresojmë dhe urojmë. Aq më tepër “ajka” e politikës që nuk heq dorë nga huqi i portretizimit bardhë e zi (sikundër ende bën për Zogun, Enverin etj).

Edhe nëse përfliten deklarata përtej Atlantikut, e fundit nuk thuhet e para. Hatërmbetje e keqkuptime mund të ketë se lobi greko-sërb në Amerikë nuk bën sehir por fjala duhet peshuar mirë. Nuk bëhet fjalë për marrëdhënien dhe egon mes dy personash por interesin e një kombi të tërë se në Ballkanin e trazuar, kemi nevojë për SHBA, pavarësisht presidencës së saj. Se ç’ka zemra brënda nuk e di kush por fjalët të artikulohen veç për të forcuar vëndin e Shqipërisë në Amerikë dhe lobin shqiptar si “ambasadori” atje. Gjeo-politika amerikane nuk kufizohet në katër vite apo prej ngjyrave partiake. Çdokush në Shtëpinë e Bardhë vihet në shërbim të saj dhe ne për fat, mbetemi kaluar!  Pse e tundim derën kot!

1 komente në “Mos ta tundim derën kot!”

  1. edka says:

    Shume i drejte e ke mo vella po hajde kujt ti thuash,Most te hyfte vetja ne qejf thone nga shkodra,qe k/m e ka dhjere kte po e sheh dhe qorri e po e merr vesh dhe shurdhi nuk merret me punet e veta po don me i dhane mend amerikaneve .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje