Projekti për sheshin “Skënderbej”, ndryshohen linjat e transportit urban në Tiranë

13 Prill 2016, 15:58Sociale TEMA

Linjat e autobusëve brenda qytetit të Tiranës do të ndryshojnë, për shkak të projektit për sheshin “Skënderbej”, në dy faza.

Me nisjen e punimeve në muajin qershor të këtij viti, Bashkia e Tiranës do të publikojë një hartë të re të linjave urbane, e gjithashtu edhe të stacioneve të çdo linje, për t’u përshtatur gjatë periudhës së punimeve në qendër të kryeqyetit.

Me përfundimin e projektit për sheshin, zyrtarët në bashki thonë se do të bëhet edhe rifreskimi i të gjitha linjave dhe stacioneve, për shkak të zgjerimit të hartës së Tiranës.

“Do të krijojmë një rrjet të ri linjash, duke zgjatur e ndërthurur linjat ekzistuese. Rrjeti i qytetit do të zgjatet për t’i shërbyer ndarjes së re administrative dhe do të ndërtohet me rrjetin e linjave të ish-komunave.

Po ashtu do të ketë edhe një ndërthurje në terminale respektive në transportin ndërqytetas”, tha Enton Bonavia, drejtor për Trafikun dhe Lëvizshmërinë në Bashkinë e Tiranës.

Ndërkohë të mërkurën nisi procesi i dëgjeses me banorë të Njësisë numër 10 për projektin e sheshit, i cili do të jetë i përdorshëm edhe përpara se të përfundojë plotësisht.

Në perimetrin e tij do të krijohen 11 parqe, me rreth 35 mijë pemë që do të rrethojnë sheshin. Zyrtarët e institucionit thanë se, për të evituar temperaturat e nxehta në ditët e verës, brenda hapësirës së ngurtë do të instalohen 110 shatërvanë në formën e burimeve ujore.

1 komente në “Projekti për sheshin “Skënderbej”, ndryshohen linjat e transportit urban në Tiranë”

  1. Emer says:

    O qytetare, mos pranoni shesh pa kalime dhe parkime nentokesore! Mos bini pre e interesave zgjedhore te kryetareve!!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje