Ministri i Financave Arben Ahmetaj ka zhvilluar pasditen e djeshme në Durrës një takim me Drejtorinë Rajonale të Tatimeve dhe Doganave dhe me përfaqësues të komunitetit të biznesit.
Qëllimi i takimit ishte prezantimi nga afër me fazën e dytë të aksionit kundër informalitetit dhe planin e detajuar operacional në terren.
Sikurse theksoi Ministri, faza e dytë e aksionit kundër informalitetit është bazuar në një qasje më afatgjatë dhe më inteligjente përmes platformës së riskut e cila mundëson një model të ri komunikimi me sipërmarrjen.
“Ne nuk do të bëjme asnjë ndryshim tatimor, madje edhe akcizën që kemi parashikuar në ligj nuk do ta ndryshojmë, pra do të kemi ngrirje të akcizës në nivelin aktual. Të vetmet ndryshimet fiskale do të jenë lehtësimi i procedurave. Pra paketa e re fiskale që ne do të paraqesim në Qeveri dhe në Parlament, do të jetë thjeshtëzimi i procedurave qoftë tatimore, qoftë doganore. Madje I ftoj ekspertët kontabël, përfaqësues të sipërmarrjes apo individë nga sipërmarrje, detyrimisht edhe administata, të na sugjerojnë për ato procedura që janë të panevojshme dhe janë penguese për klimën e biznesit dhe sipërmarrjen” – u shpreh Ministri.
Ministri informoi edhe për rishikimin e ligjit të procedurave tatimore, i cili do të rikthehet në Kuvend për miratim. “Kemi menduar të përfshijmë edhe një element, i cili do t’ju ndihmojë jashtëzakonisht, edhe tatimet, por mbi të gjitha ju si sipërmarrje. Aty do t’i japim të drejtën sipërmarrjes që përpara se të ketë ardhur kontrolli i tatimeve, ju të keni një mundësi të dytë për t’u vetëkorrigjuar pa penalitete, gjë që ne besojmë se është një shenjë jashtëzakonisht shumë e maturuar e një marrëdhënieje të re me sipërmarrjen”.
Shtylla e katërt e rëndëishme e strategjisë është ajo e lidhur me edukimin e sipërmarrjes për vetëkorrigjim të përgjegjësisë tatimore. “Dikush që nuk paguan taksat, thellë brenda vetes mund t’i duket sikur ka fituar. Ka humbur fëmija e i tij. Ka humbur rrugë më të mirë, ka humbur siguri më të mirë, prindi juaj ka humbur një pension më të mirë, ujësjellës më të mire, shërbime publike më të mira” – tha Ministri.
Ndërsa në takimin me administratën doganore Ministri u ndal tek rëndësia e Doganës së Durrësit si një portë hyrëse në vend, e cila duhet të reflektohet si në kontributin në mbledhjen e të ardhurave dhe në përmirësimin e imazhit të vendit, vecanërisht në shërbimin ndaj sipërmarrjes.
“Keni një detyrë specifike që është përmirësimi i shërbimit ndaj eksportuesve. Dua që në procedurë të jemi shumë të shpejtë, shumë modest, të punojmë 24 orë për eksportuesit. Eksporti neto për herë të parë pas shumë e shumë vitesh kishte një kontribut pozitiv në rritjen ekonomike. I kam kërkuar Drejtoreshës së Përgjithshme që të hartojë një procedurë shumë të shpejtë, për eksportin bujqësor dhe për fasonin,
por kryesisht për eksportuesit, të kemi një korsi jeshile reale. Përsa I përket pikave të grumbullimit, të cilat eksportojnë, të kemi një marrëdhënie të drejtpërdrejtë me ta informuese, ku Dogana do të bëjë procedurën, ndoshta ndoshta një ditë më parë në pikat e grumbullimit apo të garantojë që eksportuesit shqiptarë të produkteve bujqësore të mos rrinë, pothuajse fare, në doganë. Së dyti, problemi i skanerit. Sigurisht që ai koncension është i trashëguar për ne, por është shumë mirë që të kemi një procedurë, e cila të bëjë të mundur përshpejtimin e procedurës doganore të eksportuesve” – tha ministri.