Ahmetaj: Ne nuk do të bëjmë më ndryshime taksash. Edhe akciza e planifikuar në 1 janar, nuk do të ndryshojë

16 Prill 2016, 18:27Ekonomia TEMA

Në kuadër të takimeve me Drejtoritë rajonale të Tatimeve dhe Doganave dhe përfaqësuesit e sipërmarrjes për prezantimin e pikave të planit operacional të aksionit kundër informalitetit, Ministri I Financave Arben Ahmetaj është ndalur në Fier, i shoqëruar edhe nga zv. Ministrja Beqiraj si dhe Drejtoresha e Përgjithshme e Tatimeve dhe ajo e Doganave.

“Jemi fokusuar tek biznesi I madh por sigurisht që brenda planit operacional, fokusi do të jetë edhe biznesi i vogël. Do të fokusohemi me kampione, tek i madhi dhe tek I vogli, dhe sigurisht me kampione edhe sipas rajoneve dhe është modestia në sjelljen me tatimpaguesit ajo që do të na bëjë të jemi qoftë profesionalë, qoftë këmbëngulës. Këmbëngulës, profesionalë, modestë, vetëm kështu kemi mundësi të furnizojmë parimin bazë të vetëdeklarimit. Në qoftë se administrata është e maturuar, këmbengulëse, modeste dhe profesionale, sigurisht që sipërmarrja do të na e kthejë me të njëjtën monedhë” – tha Ministri.

Ahmetaj u ndal edhe në disa elemente të tjerë të planit që janë të rëndësishëm në përmirësimin e klimës së biznesit.

“Ne po rishikojmë disa elemente të ligjit të procedurave tatimore dhe sërish do t’ia japim të drejtën sipërmarrjes me ligj, që të vetëkorrigjojë përgjegjësinë tatimore përpara se tatimet të kenë ardhur për kontroll.

Shumë shpejt do të lancojmë një aplikacion i cili do të jetë shumë i thjeshtë edhe në telefonat tuaj, që do të quhet tatimpaguesi dixhital. Përmes këtij aplikacioni, nga tel tuaj ju mund të komunikoni me ne, me tatimet, me doganat përmes qendrës operative në Ministrinë e Financave, sipas tre kategorive kryesore që janë sugjerim, pyetje dhe denoncim.

E treta që vlen dhe këtu dua që administrata ta shpërndajë jashtëzakonisht mirë këtë mesazh dhe në praktikë të na kthejë mbrapa informacion. Sot ne kemi krijuar në Ministrinë e Financave grupin e punës të procedurave administrative. Një grup i cili do të ulet, në bashkëpunim edhe me sipërmarrjen, do të hartojë procedura më të thjeshtësuara, duke u bazuar në eksperiencën e tyre.

Ne nuk do të bëjmë më ndryshime taksash. Edhe akciza e planifikuar në 1 janar, nuk do të ndryshojë. E vetmja paketë fiskale do të jetë ajo që unë përmenda, pra ndryshimi i procedurave” – theksoi Ministri.

 

 

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje