Konsumi i shqiptarëve ra gjatë vitit 2015, për herë të parë që nga 1998

18 Prill 2016, 13:32Ekonomia TEMA

Nga Gjergj Erebara, BIRN

Të dhënat e Institutit të Statistikave mbi Prodhimin e Brendshëm Bruto sipas metodës së shpenzimeve, tregojnë se konsumi final i Shqipërisë ra me 0.5 për qind vitin e kaluar, gjë që nuk ka ndodhur që nga viti 1998.

Konsumi final i Shqipërisë ra me 0.5 për qind gjatë vitit 2015, si pasojë e rënies së konsumit final të popullsisë me 0.17 për qind dhe rënies së konsumit final të adminstratës publike me 2.75 për qind, bëhet e ditur nga të dhënat e llogarive kombëtare të publikuara së fundmi nga Instituti i Statistikave.

Konsumi ka qenë forca udhëheqëse e rritjes së Prodhimit të Brendshëm Bruto përgjatë dy dekadave të fundit në Shqipëri dhe rënia e konsumit në terma realë gjatë vitit 2015 ndodh për herë të parë që nga viti 1998.

Prodhimi i Brendshëm Bruto u rrit me 2.6 për qind në terma realë sipas metodës së prodhimit, si pasojë e shtimit të investimeve.

Instituti i Statistikave e mat Prodhimin e Brendshëm Bruto përmes metodës së prodhimit dhe asaj të konsumit. Matja me metodën e konsumit e nxjerr PBB-në si rezultat i konsumit plus investimet plus eksportet, minus importet.

Konsumi final ka qenë në nivele shumë të ulëta që nga viti 2009, kur Shqipëria u përfshi nga kriza e përgjithshme ekonomike dhe financiare botërore. Konsumi qe rritur me mesatarisht 6 për qind në vit në periudhën 2000-2007 ndërsa u rrit me mesatarisht 1.3 për qind në periudhën 2009-2015.

Problemi me buxhetin e shtetit

Shkaku kryesor i rënies së konsumit duket se lidhet me rënien e konsumit nga ana e administratës publike në masën 2.75 për qind, ndërkohë që rënia e konsumit final të popullatës qe vetëm 0.17 për qind. Përgjatë viteve të fundit është vërejtur se rritja e shpenzimeve të qeverisë ka një ndikim të drejtpërdrejtë në rritjen e konsumit edhe të popullatës, gjë që nuk ndodhi gjatë vitit 2015. Qeveria nuk qe në gjendje të realizonte planin e vet të të ardhurave buxhetore, (të ardhurat finale qenë rreth 260 milionë euro më pak se sa plani fillestar), gjë që e detyroi qeverinë të ngurtësojë shpenzimet për të ruajtur të pandryshuar masën e deficitit buxhetor.

Fondi Monetar Ndërkombëtar, ndërsa lavdëroi përpjekjet për ruajtjen e deficitit, e kritikoi qeverinë për faktin se ruajtja e deficitit po bëhej përmes uljes së shpenzimeve, gjë që në fund, e dëmton ekonominë.

Situata pritet të jetë edhe më e pasigurt këtë vit, pasi qeveria ka planifikuar të ulë më tej shpenzimet publike në krahasim me vitin e kaluar. Pagat e sektorit publik pritet të vijojnë të jenë “të ngrira” edhe për së paku dy vjet ndërsa pensionet pritet të indeksohen me normën e inflacionit pa rritje reale. Shpenzimet e qeverisë për investime pritet të vijnë në pakësim përgjatë viteve të ardhshme.

3 komente në “Konsumi i shqiptarëve ra gjatë vitit 2015, për herë të parë që nga 1998”

  1. statisticien amator says:

    O gazeta Tema, pse botoni keto shkrime te rrumbullakosura. une lexova para ca ditesh se konsumi kishte rene vetem ne fillim te 2015-es, por ishte ngritur ne tremujoret e fundit. ja ku eshte lajmi per kete gje: http://www.respublica.al/2016/04/12/konsumi-i-popullat%C3%ABs-u-rrit-n%C3%AB-6-mujorin-e-dyt%C3%AB-t%C3%AB-2015-%C3%ABs-ra-n%C3%AB-t%C3%AB-parin

  2. Ana says:

    Situata ne periferite e qyteteve eshte realisht e rende panvaresisht se shqiptaret jane popull qe mban.

  3. Fation Karroçi says:

    Si nje njeri qe jeton me vellain, Gjergji duhet dhe ta kete kuptuar qe ka rene konsumi.
    Mesa duket ja ka blere vellai gjerat.
    Eshte momenti te dalesh te ecesh vetem Gjergji, njesoj si Beni.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje