Serbia po zhvillon zgjedhje të parakohshme parlamentare. Zgjedhjet po mbahen edhe në vendbanimet serbe në Kosovë. Deri në orën 10 kishin votuar 8.85 për qind e votuesve. Rezultate paraprake priten rreth orës 21:00.
Deri në orën 10:00, pjesëmarrja në votime në zgjedhjet ishte 8.85 për qind, sipas Komisionit Zgjedhor Republikan. Pjesëmarrja e votuesve në Serbinë Qendrore ishte 8.58 për qind, 9.83 për qind në Vojvodinë dhe Beograd 8.34 për qind. Në zgjedhjet e vitit 2014 deri në orën 10:00 kishin votuar 9.06 për qind e votuesve.
Organizata për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) deklaroi se deri në orën 10:00 në të gjitha vendvotimet në Kosovë, për zgjedhjet parlamentare në Serbi votuan 7,925 vetë ose 7.4 për qind e numrit të përgjithshëm të votuesve të regjistruar. OSBE-ja ka për detyrë të mbledhë votat dhe t’i paraqesë ato në fund të votimit para KQZ.
Hapja e qendrave të votimit kaloi në përgjithësi në përputhje me procedurat e përcaktuara dhe pa incidente.
Këto zgjedhje shihen si test midis synimit të shpallur të kryeministrit Aleksandar Vucic për ta anëtarësuar vendin në Bashkimin Evropian dhe emocioneve nacionaliste, të cilat favorizojnë lidhje më të ngushta me Rusinë.
Vuçiçi i thirri zgjedhjet dy vjet para kohe, me shpresë që të forcojë pushtetin e tij për të zbatuar siç ka deklaruar reforma. Por kritikët thonë se synimi i vërtetë i tij është të forcojë sundimin e tij autokratik edhe për katër vite të tjera, për aq kohë sa ai ka ende mbështetje te zgjedhësit.
46 vjeçari, që është konsideruar për shumë kohë nacionalist i vijës së ashpër, ka premtuar se do të privatizojë sipërmarrjet shtetërore me humbje, nëse rizgjidhet. Sipas sondazheve ai pritet të fitojë një shumicë absolute në Parlament. Partia Serbe e Progresit, e drejtuar nga Vuçiçi pritet të fitojë shumicën e 250 mandateve të parlamentit.
Por tablloja politike e Serbisë mund të ndërlikohet nga forcimi i radikalëve të djathtë të Vojislav Shesheljit. Pritet që partia e tij të rikthehet në Parlament si partia e tretë, për herë të parë që në vitin 2012.
Ky do të ishte një triumf faktik për Shesheljin, më pak se një muaj pasi tribunali i Hagës për krime lufte e nxorri atë të pafajshme për krime lufte gjatë shpërbërjes së Jugosllavisë.
Në zgjedhje janë thirrur të marrin pjesë 6,7 milionë votues./DW