Drejtuesit e Skënderbeut ndodhen në Gjenevë për tu përgjigjur para UEFA-s në lidhje me akuzat për trukim të ndeshjeve.
Klubi korcar ka konfirmuar lajmin që kishte nisur të qarkullonte në disa portale të ndryshme duke bërë të ditur nëpërmjet një komunikate për shtyp, se është njoftuar nga UEFA për tu paraqitur në një seancë dëgjimore, ku i duhet të jape shpjegime në lidhje me një hetim të nisur në ngarkim të klubit të Skënderbeut nga organizmi qeverisës i futbollit europian.
Interesant është fakti se inspektorët e UEFA-s, përvec disa ndeshjeve të luajtura në Kupat e Europës në të kaluarën kanë ngritur dyshime dhe mbi vërtetësinë e rezultateve të klubit të Skënderbeut në disa ndeshje të kampionatit shqiptar.
Vetë klubi korcar bën të ditur se bëhet fjalë për takimet kundër Partizanit, Teutës, Tiranës dhe Vllaznisë, por pa saktësuar se cilës fazë i përkasin ato.
Hetimi i UEFA-s ka nisur nga informacionet e vëna në dispozicion nga kompanitë e basteve shqiptare dhe të huaja, por edhe nga aludimet në rrjetet sociale e media të caktuara.
Skënderbeu sqaron se e ka vlerësuar maksimalisht këtë situatë dhe është përgatirur për tu dhënë shpjegime inspektorëve duke këmbëngulur se ka fituar gjithcka me meritë dhe se rezultatet e skuadrës korcare kanë qenë gjithmonë të merituara.
Përballë frikës së tifozëve për një penalizim të skuadrës Skënderbeu kërkon tu injektojë qetësi duke u shprehur se në klubin korcar janë të bindur në vertetësinë e punës së tyre dhe po pregatiten për një përfaqësim dinjitoz në Kupat e Europës.