Pas fitores së betejës ligjore, Bashkia e Tiranës ka mundur që të shemb godinën e ish-INSIG duke i hapur rrugë kështu vijimit të projektit për ndërtimin e Unazës së Vogël.
Punonjësit e ndërmarrjeve të bashkisë, IMT-së dhe shërbimit zjarrfikës, mundën që për disa ditë me radhë të bëjnë shembjen graduale të kësaj godine me mjetet e tyre pa përdorur lëndë eksplozive dhe duke shmangur kështu çdo rrezik për dëmtime të godinave apo aktiviteteve që kryhen në zonën përreth.
Punën e kryer e ka vlerësuar edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj i cili ka postuar sot edhe një album me foto nga procesi i çmontimit të strukturës së kësaj godine, duke siguruar gjithashtu se edhe kjo betejë tregon se pavarësisht pengesave Bashkia është e vendosur për ta transformuar Tiranën në një qytet më të mirë për qytetarët e vet.
“Tirana nuk ndalet, kush pengon, gabon! Faleminderit kolegëve të IMT-së dhe Zjarrfikëses për profesionalizmin. Unaza e Vogël pranë fundit. Ky është vetëm fillimi! Tirana 1 vit në punë”, shprehet kryetari i Bashkisë në komentin e vet.
Ndërkohë që paralelisht me shembjen e godinës është bërë edhe heqja e materialeve inerte si dhe nisja e menjëhershme e punës për ndërtimin edhe të këtij segmenti të Unazës së Vogël. Përfundimi i këtij segmenti është lidhur ngushtësisht me nisjen e një procesi tjetër po aq të rëndësishëm për kryeqytetin, siç është ai i transformimit të sheshit “Skënderbej”.
Menaxho zhurmat nga kafet se cmende njerzit.
Bravo Erion! Vazhdo punen se ke mbeshtetjen e njerezve qe duan nje Tirane evropiane!
Bravo, Veliaj, je nje shprese e fuqishme per popullin e varfer te Shqiperise!