Detajet e videos së re: Natën e rrahjes fëmija i dhunuar nga Anjeza Shabani nuk fjeti gjumë, por vetëm ulërinte

22 Qershor 2016, 09:19Kronika TEMA

Dhuna e ushtruar prej kohësh nga Administratorja Anjeza Shabani ndaj 3-vjeçarit në kopshtin privat “Diren”, ka lënë pasoja të rënda tek fëmija i mitur. Emisioni investigativ “STOP” sjell sonte detaje të reja lidhur me këtë rast dhune të transmetuar një natë më parë. Vetëm një ditë pas videos së regjistruar në ambientin e kopshtit nga kamerat e “STOP”, babai i djalit 3-vjeçar e ka filmuar atë teksa trembet natën në gjumë. Në një moment tjetër, po në një video që babai i ka bërë, fëmija kalon në momente acarimi duke ulëritur dhe duke i rënë kokës me grushtet e tij.

Në një intervistë të dytë për mikrofonin e “STOP”, babai i vogëlushit shprehet i shokuar për pamjet e transmetuara dhe dhunën që ka përjetuar i biri në këtë kopsht. Por, gjithashtu ai është shprehur se në atë kopsht është ushtruar dhunë edhe më përpara dhe jo vetëm ndaj djalit të tij. Ai pohon se dhe shumë fëmijë të tjerë kanë qenë viktima të kësaj dhune.

Gazetarja: Cili ishte reagimi juaj pas gjithë kësaj historie të tmerrshme dhune?

Babai: “Të gjithë si familje ishim të shokuar, nuk po ju besonim syve, pavarësisht se ishim të përgatitur se kishte një material për tu paraqitur. Ishte një “shok” për ne. Fëmija im ka përjetuar një dhunë që as në kampin e Aushvic-it nuk mund të ndodhë diçka e tillë. Unë kam ardhur të denoncoj edhe një rast tjetër, çfarë pasojash ka krijuar ajo dhunë nga të goditurat që ka marrë. Ju e keni parë edhe videon që fëmija im dridhet. Në orën 2 afërsisht deri në 3 të mëngjesit pasi është regjistruar edhe materiali i dhunës me datën 14, është marrë nga nëna në momentin që ka qenë zgjuar dhe nga unë si baba dhe është munduar të qetësohet. Kemi shkuar në ambientet e dhomës tjetër, kemi ndezur televizorin me muzikë me kukulla dhe ai nuk qetësohej, por ulërinte, hidhej dhe po godiste kokën. Duke manifestuar dhunën që ai ka përjetuar, ndjej veten fajtor vetëm për arsye që e kam dërguar në atë kopsht dhe u bëj një apel të gjithë prindërve që të mos i dërgojnë fëmijët e tyre në kopshte jo të sigurta. Shumica prej nesh kur çojmë makinën në servis i rrimë tek “koka”, pra një vlerë materiale, jo një vlerë njerëzore. Dhe fëmijët i lëmë në kopsht edhe ikim në punë, e i marrim pasdite vetëm kaq. Dëshira më e madhe e imja do ishte që këto fakte dhune të mos ekzistonin, që dyshimet e mija të binin, që fëmija im të mos përjetonte këtë dhunë, por ju falënderoj shumë që ju më bëtë të mundur të vërtetoj dhunën ndaj fëmijës tim dhe drejtësia duhet të vendoset. E bëra dhe për fëmijët e tjerë që të mos dhunohen në atë kopsht sepse aty janë dhunuar edhe fëmijë të tjerë, edhe nga edukatorja që ka qenë më përpara. Jam i bindur që është ushtruar dhunë edhe ndaj fëmijëve me iniciale S.B.T dhe një vajzë tjetër, këta edhe më tepër. Madje një moment kur kemi parë videon thuhet aty: Cili po rrihet? Kërkoj një dënim sa më të ashpër për atë femër sepse nuk është thjeshtë një dhunë, është një dhunë psikologjike, traumatike dhe nuk e di nëse fëmija im do të bëhet më. Aty është një dhunë e shënuar në një ditë për dy orë sepse djali im vetëm 3 orë shkon në kopsht, imagjinoni çfarë ka ndodhur aty për 6 muaj rresht.”/klan/

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje