Ministria e Energjisë dhe Industrisë prezantoi sot para publikut draftin e Master Planit të Gazit për Shqipërinë. Studimi zgjati 12 muaj dhe u mundësua përmes një fondi grant të Bashkimit Evropian prej 1.1 milion eurosh. Dokumenti shqyrton të gjitha aspektet afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata të furnizimit me gaz natyror duke përfshirë dhe çështjet teknike, ligjore, rregullatore, ekonomike, tregtare, mjedisore, dhe sociale që lidhen me futjen e gazit në Shqipëri.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë z.Damian Gjiknuri tha se ky Master Plan do të jetë skeleti bazë dhe më pas gjithçka do të ndërtohet mbi të. “Ne po përcaktojmë tashmë piketat dhe më pas do mund të ftojmë edhe investitorët për të zhvilluar këtë sektor. Plani përcakton konsumin në të ardhmen, përcakton raportin se çfarë do të përdoret për energjinë elektrike dhe çfarë do të përdoret për nevoja të tjera industriale, në një fazë të mëtejshme edhe për përdorim familjar”, u shpreh z.Gjiknuri.
Ministri tha se këto janë plane afatgjata. “Bëhet fjalë për një proces shumë vjeçar, një zhvillim që do të marrë kohë 20-30 vite. Këto sektorë kështu zhvillohen edhe nëse shikoni ecurinë e vendeve të tjera që janë gazifikuar. Studimi ka parashikuar që baza e furnizimit me gaz në të ardhmen do jetë gazsjellësi TAP por pse jo edhe burimet që ka vendi në gaz. Qeverisë i del një detyrë që këtë Master Plan ta kthejë në plane zhvillimi. Ne kemi hedhur hapat e para dhe njëkohësisht kemi mbështetjen e BE-së por edhe partner si SOCAR i Azerbajxhanit. Do kemi më pas planet e detajuara edhe për lidhjen e tubacionit kryesor me degëzimet e tij brenda Shqipërisë”, nënvizoi z.Gjiknuri.
Gjetjet kryesore të draftit të Master Planit
Kërkesa totale e parashikuar për energji termike në familje, shërbime dhe industri që mund të mbulohet nga përdorimi i gazi natyror në Shqipëri është rreth 2,167 milion m3 në vitin 2040 (duke përfshirë bujqësinë dhe transportin). Potenciali i përdorimit të gazit natyror për prodhimin e energjisë elektrike mund të jetë rreth 770 milion m3 në vitin 2040, dhe përdorimi i gazit natyror nga rafineritë në vitin 2040 mund të jetë rreth milion m3.
Zona e Tiranës dhe Durrësit përbën zonën kryesore me konsum të pritshëm të konsiderueshëm të gazit. Kontributi i sektorit rezidencial përbën rreth 32% të totalit të konsumit dhe po kaq është edhe konsumi nga sektori i shërbimeve, ndërsa sektori industrial zë pothuajse 37% të totalit të konsumit. Për këtë arsye, rekomandohet që zona Tiranë-Durrës të konsiderohet si një qendër e përbashkët e shpërndarjes së gazit.
Ndërkohë, zona Fier – Vlorë – Ballsh paraqet një trekëndësh të rëndësishëm të konsumit industrial të gazit që mund të shërbejnë si konsumatorë spirancë që do të mundësojnë gazifikimin e zonave përreth.
Rrjeti i propozuar i transmetimit të gazit ndahet në pesë degë kryesore:
Dega Veriore, që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Fierit) në drejtim të Shkodrës dhe më tej drejt Malit të Zi.
Dega Elbasanit që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Fierit), kalon nëpërmjet Lushnjës dhe Dumresë dhe përfundon në Elbasan,,
Dega Jugore që furnizon zonat e Fierit, Vlorës, Ballshit, Tepelenës dhe Gjirokastrës,
Dega Perëndimore që fillon nga pika e lidhjes me TAP-in (pranë Korçës) dhe vazhdon drejt Pogradecit, Prrenjasit dhe më pas drejt ish Republikës Jugosllave të Maqedonisë,
Dega e Kosovës, që fillon nga Miloti dhe përfundon në pikën kufitare të Morinës në afërsi të Kukësit.
Katër skenarë të sistemit të transmetimit të gazit u shqyrtuan:
Skenari 1:
Ndërtimi i rrjetit kombëtar të gazit për furnizimin e njësive administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit
Ndërtimi i IAP me diametrin e tij të paracaktuar (drejt Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë)
Ndërtimi i gazsjellësit drejt Kosovës dhe Maqedonisë.
Skenari 2:
Ndërtimi i rrjetit kombëtar të gazit për furnizimin e njësive administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit
Ndërtimi i IAP me diametrin e tij të paracaktuar (drejt Malit të Zi, Bosnjës dhe Kroacisë)
Skenari 3:
Ndërtimi i rrjetit kombëtar të gazit për furnizimin e njësive administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit
Furnizimi i Kosovës nga Kuksi dhe i Maqedonisë nga Prrenjasi.
Skenari 4:
Ndërtimi i rrjetit kombëtar të gazit për furnizimin e njësive administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit.
Sistemi i transmetimit është e optimizuar për 80% të kërkesës së mundshme të gazit në njësitë administrative vendore me konsum të qenësishëm të gazit në Shqipëri, kërkesës totale të konsumatorëve të mëdhenj potencialë të gazit (termocentralet, rafineritë etj.) plus konsumin e parashikuar të gazit në Kosovë dhe në Maqedoni. Sistemi i transmetimit është konfiguruar edhe në përputhje me praktikat më të mira të planifikimit të tubacioneve.
Depozitimi i gazit natyror ka një ndikim të rëndësishëm në sigurinë dhe qëndrueshmërinë e furnizimit me gaz natyror dhe në mbulimin e kërkesave të konsumatorëve. Formacioni kripor i Dumresë është një diapir i madh që mbulon një sipërfaqe prej rreth 250 km². Ka dy opsione të zhvillimit të depozitave nëntokësore në Dumre; Alternativa Dumrea 1 dhe Dumrea 2.
Alternativa Dumrea 1 është një mundësi depozitimi me vëllim të mjaftueshëm, por pa kapacitet të mjaftueshëm shtytës.
Dumrea 2 është një alternativë me vëllim më të madh dhe me kapacitet të mjaftueshëm shtytës për nevojat e konsumit të gazit.
Në se do të ketë interes të mjaftueshëm nga vendet e tjera për kapacitete depozitimi, atëherë Alternativa Dumrea 2 është më e rekomandueshme.
Bazuar në analizat e kryera plani i mëposhtëm i zhvillimit mund të rekomandohet, sipas prioritetit të tyre të zhvillimit:
Në terma afatshkurtër
Zhvillimi i gazsjellësit TAP – TEC-i i Vlorës. Nëse është i mundshëm, zhvillimi i sistemit të shpërndarjes së gazit në qytetin e Vlorës;
Zhvillimi i rrjetit të transmetimit për furnizimin e konsumatorëve spirancë në Fier dhe Ballsh dhe nëse është e mundur zhvillimi i rrjeteve të shpërndarjes së gazit në Fier dhe Ballsh;
Në terma afatmesëm
Zhvillimi i rrjetit të transmetimit për të furnizuar zonat kryesisht industriale në Elbasan, si dhe zhvillimi i hapësirave të depozitimit të gazit në Dumre;
Zhvillimi i rrjetit të transmetimit për furnizimin e konsumatorëve industrialë dhe tregtarë në zonën e Durrësit dhe të Tiranës;
Në terma afatgjatë
Zhvillimi i gazsjellësit drejt Kosovës
Zhvillimi i sistemit të transmetimit nga TAP afër Korçës, për TEC-in e planifikuar në Korçë, dhe më tej drejt rrjeti i transmetimit drejt Pogradecit;
Zhvillimi i rrjetit të transmetimit drejt Shkodrës;
Zhvillimi i rrjetit të transmetimit nga Ballshi në Tepelenë dhe Gjirokastër;
Zhvillimi i rrjetit të transmetimit nga Pogradeci drejt Prrenjasit dhe më tej drejt Maqedonisë;
Zhvillimi i rrjetit të transmetimit nga TAP afër Kuçovës për TEC-in e planifikuar në Kuçovë.
Projektet më premtuese për investime në rrjetet e gazit do të dakordësohen me Ministrinë e Energjisë dhe Industrisë dhe do të detajohen në fazën pasardhëse të projektit – atë të portofolit të Investimeve të Projekteve Prioritare. Projekti i parë i investimeve prioritare, (që është tubacioni i ri nga pika e daljes së TAP-it pranë Fierit në Termocentralin e Vlorës) është dakordësuar tashmë dhe një studim para-fizibiliteti është duke u përgatitur.
Strategjia e mësipërme është në përputhje të plotë me investimet e parashikuara tashmë nga Ministria e Energjisë dhe Industrisë, të tilla si lidhja e Vlorës dhe e Fierit me rrjetin e transmetimit 400 kV, i cili do të transmetojë energjinë elektrike drejt qendrave të konsumit kur gazi natyror të jetë i disponueshëm (nëpërmjet projektit TAP).
Përveç zhvillimit të rrjetit të transmetimit të gazit kombëtar, ky projekt është i lidhur ngushtësisht edhe me Studimin e Fizibilitetit të përfunduar tashmë të Gazsjellësit Jonian Adriatik (që lidh Kroacinë, Bosnjë-Hercegovinën, Malin i Zi, dhe Shqipërinë), me Master Planin e Gazit për Malin e Zi, me Studimin për Unazën e Gazit të financuar nga Bashkimi Evropian që është në zbatim, si dhe me dy projektet me të fundit – atë të përgatitjes së Projekt-idesë së Gazsjellësit Jonian Adriatik në Shqipëri dhe Mal të Zi, dhe Studimi i Para-fizibilitetit për Gazsjellësin Shqipëri-Kosovë – mundësuar me fonde grant nga WBIF.