Griezmann, Pogba dhe mallkimet: Sot CR7 kundër të gjithëve!

10 Korrik 2016, 15:27Sport TEMA

Në letër, finalja e Euro 2016-të do të jetë Portugali-Francë, por në të vërtetë do të jetë Francë-Portugali: luhet në Paris, “Bleus” janë zotët e shtëpisë dhe do të kërkojnë ta shfrytëzojnë faktorin fushë në të gjitha mënyrat e mundshme, sepse kundërshtari nuk do të jetë i lehtë për t’u mundur dhe ka treguar se mund të përmbysë parashikimet e kompanive të basteve. Kur kualifikohesh nga faza me grupe në momentet e fundit, kur shumë tabu sportive bien në të njëjtin kompeticion, zakonisht, në fund, fiton: portugezët, në Francë, kanë ndjekur pikërisht këtë rrugë.

Më pas është Cristiano Ronaldo, që po kalon një vit të mrekullueshëm. Në fillim ka ardhur Champions, tani finalja e Europianit. Për herën e parë mbas shumë kohësh, nuk duhet të jetë Leo Messi rivali i tij për “Topin e Artë”, por Antoine Griezmann. CR7 dhe ylli i sulmit francez janë përballur edhe në finalen e Champions League, në “San Siro”, ku Griezmann ka gabuar një penallti në pjesën e dytë dhe Real Madrid ka fituar trofeun nga pika e bardhë pasi 120 minutat janë mbyllur në barazim, me portugezin (gjysmë i dëmtuar), që ka realizuar edhe penalltinë vendimtare. Cristiano dhe Antoine: janë ata të dy fytyrat e kopertinës së kësaj finaleje.

Por nga kjo sfidë mund të përfitojë Paul Pogba. Heqja e një pjese të vëmendjes nga ai mund t’i bëjë mirë juventinit, i cili nuk ka zhvilluar një Europian në lartësinë e vlerës që ka në merkato, por duket në rritje. Nga ana e tij do të aktivizohet një talent akoma më i ri se ai dhe që quhet Renato Sanchez. 18-vjeçari është thelbësor për lojën e ekipit sepse është ai që përcakton ndryshimet e ritmit të lojës. Një lojë që, gjithsesi, mund të kushtëzohet nga frika për të humbur dhe për rrjedhojë dy ekipet mund të mendohen vetëm për t’u mbrojtur.

Në fund, mund të thuhet se ky ka qenë Europiani i thyerjes së mallkimeve. Italia ka “zbutur” Spanjën, Gjermania ka arritur të kalojë më në fund pengesën “axurre” dhe Franca ka mposhtur Gjermaninë, për herë të parë në një kompeticion madhor, që nga 1958-ta. Mos vallë tani ka ardhur radha e Portugalisë për të thyer mallkimin e tyre? Luzitanët kanë humbur 10 përballjet e fundit direkte, nuk fitojnë një takim që nga 1975-a. Në 1984-ën dhe 2000-in janë dorëzuar para “Bleus” në kohën shtesë të gjysmëfinales, me Platini dhe Zidane që kanë qenë vendimtarë. Humbja e fundit e rëndësishme ka ardhur në gjysmëfinalen e Botërorit 2006, ku portugezët janë mundur 1-0. Objektivi i Ronaldo-s me shokë është që të largojnë përfundimisht nga vetja etiketën e humbësve të suksesshëm. Fjalën e fundit, si gjithmonë, do ta thotë fusha…/Telesport

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje