Policia e Tiranës me sallë të re komandimi. Rama: Qentë le të lehin, karvani para

19 Korrik 2016, 13:10Kronika TEMA
Policia e Tiranës me sallë të re komandimi. Rama: Qentë le

Sot në ambjentet e Drejtorisë së Policisë Tiranë u inaugurua Salla e re Operative e Komandimit. Në ceremoni morën pjesë Kryeministri Edi Rama, ministri i Punëve të Brendshme Saimir Tahiri, Drejtori i Policisë së Shtetit Haki Çako, përfaqësues të misioneve partnere, si edhe drejtues të lartë të Policisë.

Në fjalën e shkurtër Rama tha se “qentë le të lehin dhe karvani të ecë para”, duke dhënë një përgjigje gjithë zërave opozitarë që nuk i kursejnë akuzat për policinë.

Salla e re operative e Komandimit përbën një kompleks shërbimesh të ofruara nga Policia e Shtetit në kuadër të mbarëvajtjes së rendit e qetësisë publike dhe shërbimit ndaj qytetarit. Përmes teknologjisë dhe stafit të përgatitur, kjo Sallë bën koordinimin në kohë reale të Komisariateve me Policinë Rrugore (në raste aksidentesh), me shërbimin e Shqiponjave (në rast ngjarjesh kriminale); në monitorimin në kohë reale të kamerave policore të trupit, të thirrjeve të emergjencës në Numrin Unik të Emergjencave “112” (aktualisht operativ në Tiranë) dhe të njoftimeve në Komisariatin Dixhital.

Janë të shumta risitë që sjellin sistemet informatike të instaluara në Sallën e Komandimit.  I gjithë procesi (nga marrja e telefonatës deri në raportimin për ngjarjen nga patrulla) kryhet në mënyrë elektronike.  Sistemi i ri për thirrjet e emergjencave “112” mundëson shfaqjen e numrit thirrës dhe vendndodhjen e përafërt të telefonuesit. Salla ka mundësi të monitorojë në kohë reale vendndodhjen e patrullave nëpërmjet sistemit GPS, pjesë e kamerave të trupit.

Në raste ngjarjesh, salla e komandimit ka mundësi të shfaqë në ekran në kohë reale pamjet e kamerave të trupit që ndodhen në zonë ose në vendngjarje.  Nëpërmjet sistemit radio të integruar në sistemin “112”, salla mund të flasë njëkohësisht në të gjitha kanalet ose të organizojë thirrje në grup për një komunikim më të shpejtë. Salla ka mundësi të monitorojë sistemin e kamerave të qytetit të Tiranës.

Të gjithë punonjësit në Sallën e Komandimit mund të flasin njëkohësisht me të gjithë operatorët e tjerë në raste ngjarjesh të rënda kriminale me anë të Conference Call, një opsion i cili është aktiv në panelin e tyre Touch Screen.

Nga i njëjti panel Touch Screen përdorin radion e komunikimit dhe telefonatat e ndryshme hyrëse dhe dalëse. Kjo e bën më të lehtë dhe më të shpejtë kohën e reagimit të punonjësit të Sallës së Komandimit dhe njëkohësisht redukton vonesat në komunikimin me shërbimet në terren.

Shqipëria ka sot një numër të unifikuar të emergjencave, “112”. Ai është një numër i përbashkët telefonik, të cilin mund ta përdorë çdo qytetar për të komunikuar me shërbimet e emergjencës (Policinë, Ambulancat, Zjarrfikësen dhe Skuadrat e Shpëtimit).  Në rastet  kur thirrësi nuk mund të përcaktojë venndodhjen e tij, këtë mund ta lokalizojë sistemi i numrit “112” nëpërmjet qelizave të operatoreve telefonikë. Tashmë asnjë telefonatë nuk humbet, ndryshe nga sa ndodhte më parë kur Policia e Shtetit humbiste 1/3 e thirrjeve telefonike nga qytetarët, në mungesë të një sistemi solid.

2 komente në “Policia e Tiranës me sallë të re komandimi. Rama: Qentë le të lehin, karvani para”

  1. tr says:

    BRAVOOOOOO , PO PUNOHET DREJT MODERNIZIMIT TE VENDIT . BERISHA E LA VENDIN NE GJENDJE SKANDALOZE .

  2. Tom says:

    Si mund te flase me kete gjuhe nje Kryeminister serioz. Gjithmone do te kete kritika dhe kerkesa te drejta te qytetareve per sherbimet e policise. Policia nuk eshte e persosur dhe nuk ka qene e tille e as nuk eshte sot. Nuk eshte USA. Ka gjithnje provese permiresimi por ka edhe kritika e kerkesa te qytetareve.
    Shprehja e perdorur ne kete rast tregun nivelin e drejtuesve me te larte te shtetit dhe pikerisht te Kryeministrit i cili seriozisht eshte nje njeri i rritur ne rruge, me nje fjalor rruge, dhe me nje performance rruge ne qeverisje.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje