Diferenca të frikshme: Ja sa të shtrenjta janë biletat e avionit në Shqipëri në raport me rajonin

25 Korrik 2016, 09:12Politika TEMA

Nga Shkupi për në Milano gjen bileta vajtje-ardhje me 65 euro, nga Tirana minimumi është 170-270 euro. Londra është e arritshme me 170-180 euro nga Shkupi dhe Tivari, nga Tirana mbi 400 euro…

Të udhëtosh me avion nga Shqipëria drejt Europës, të kushton jo vetëm shumë më shtrenjtë se nga Maqedonia, apo Mali i Zi, por edhe alternativat janë më të pakta. Monitor ka bërë një “udhëtim virtual” nëpër Europë, duke krahasuar biletat vajtje- ardhje për disa destinacione kryesore për datat 11-15 shtator (ose rreth këtyre datave). Për krahasim janë marrë variantet më të lira të biletës, të rezervuara në faqet përkatëse të internetit të kompanive ajrore (pa bagazh dhe opsione të tjera shtesë).

Nga Shqipëria drejt Europës, biletat janë minimalisht 50% më të shtrenjta, edhe kur bëhet fjalë për të njëjtët operatorë, psh me Austrian Airlines. Në destinacionet që në aeroportet e Shkupit e Podgoricës operohen nga kompani low cost, si Milano, Venecia, Londra, qytetet e Gjermanisë, çmimet nga Rinasi janë disa fish më të shtrenjta.

Sidomos në Maqedoni, biletat janë të lira për disa arsye. Në të ka operatorë low cost si Wizz Air; shteti subvencionon kompanitë; dhe taksat aeroportuale janë më të lira se në Shqipëri. Nga Shkupi psh mund të gjesh biletë vajtje-ardhje edhe më pak se 100 euro për disa destinacione(65 euro në Milano e Bruksel, Berlin 70 euro, apo 85 euro në Paris e Venecia) , ndërsa në Shqipëri tarifa minimale për një biletë tashmë është mbi 150 euro nga operatorët low cost (Blue Panorama) dhe mbi 250 euro nga operatorët e tjerë, AlItalia, Austrian Airlines, Lufthansa, që ofrojnë pjesën më të madhe të destinacioneve.

Në Podgoricë veprojnë dy operatorët low cost, Ryan Air dhe Easy Jet, nga të cilët mund të gjesh alternativa të lira, sidomos për kthimin nga Londra (më pak se 50 euro).

Në Vjenë me Austrian Airlines

Kemi rezervuar biletat për në Vjenë, vajtje-ardhje, rreth datave 11-15 shtator, me Austrian Airlines.

Nga Tirana nuk mund të gjesh biletë më të lirë se 250 euro, në varësi të orareve (pa bagazh).

Nga Shkupi, po me Austrian Airlines mund të rezervosh biletë vajtje- ardhje me 160 euro.

Nga Podgorica për të njëjtin destinacion, opsioni më i lirë është 170 euro.

Nga Prishtina me Austrian Arlines, çmimet janë të krahasueshme me Tiranën, mbi 240 euro.

 

Për në Londër

Nga Tirana direkt me British Airways bileta kushton 521 euro (vajtje- ardhje në datat 11 dhe 16 shtator) për në aeroportin e Gatwick. Me Austrian Airlines, përmes  Vjenës bileta shkon 400-440 euro.

Me Wizz Air për në Londër (aeroporti Luton) nga Shkupi të kushton 170 euro (10,498 dinarë maqedonas).

Nga Tivari i Malit të Zi për në Londër (Gatwick), me kombinim datash bileta është 186-241 euro, përmes operatorit low cost Easy Jet. Nëse vetëm do të kthehesh nga Londra, mund të gjesh biletë kthimi për në Tivar edhe me 41 euro. Po nga Mali I Zi, përmes Podgoricës, me Ryan Air, bileta për në Londër (Stanset) kushton 266 euro.

 

Italia, nga Shkupi në Milano, vetëm 65 euro

Për në Romë nga Tirana, vajtje- ardhje me AlItalia, kushton 260 euro, gjithnjë për datat 11-15 shtator. Të shtrenjta i ka fluturimet Alitalia edhe nga Podgorica, por gjithsesi gjen nëse kombinon data dhe oraret, me 230 euro.

Nga Shkupi në Romë po me Alitalia është 200 euro.

Me Blue Panorama nga Tirana, bileta kushton 150 euro.

Të lira nga Shkupi drejt Italisë janë dy destinacione, Milano dhe Venecia, ku fluturon operatori low cost Wizz Air.

Me Wizz Air, kompaninë low cost që operon në Aeroportin e Shkurtit, rreth datave të përzgjedhura, 11-15 shtator mund të gjesh bileta vajtje ardhje për në Milano me rreth 4000 dinarë, ose 65 euro.

Në Shqipëri, me Alitalia, çmimet janë rritur ndjeshëm. Bileta më e lirë vajtje- ardhje në 11-15 shtator për në Milano, me AlItalia është 274 euro dhe me Blue Panorama 170 euro. Me operatorin e ri loë cost që ka hyrë së fundmi, Fly Ernest, bileta më e lirë vajtje ardhje për Milano është 150 euro. Ky operator i ri, ndonëse promovon çmime duke filluar nga 30 euro ka një “hile”, vetëm kthimi është 30 euro, ndërsa vajtja është mbi 120 euro, duke e çuar çmimin total vajtje-ardhje në minimumi 150 euro për destinacionet që ofron.

Për në Venecia, po me Wizz Air, bileta vajtje ardhje është 84 euro, linjë direkte. Nga Tirana me Alitalia, bileta më e lirë (me tranzit nga Roma) është 264 euro.

Për në Barcelonë me 100 euro, Bruksel  65 euro, Paris 85 euro

Nga Shqipëria në Barcelonë nuk ka linjë direkte. Mundesia është me tranzit. Përmes Austrian Airlines çmimi i biletës është 300 euro. Edhe me Alitalia është 290 euro.

Nga Shkupi, mund të shijosh bukuritë e arkitekturës së Gaudit duke prerë një biletë vajtje- ardhje për 100-110 euro, me kompaninë low cost Wizz Air. Kjo rrugë përdoret rëndom dhe nga agjencitë turistike në Shqipëri që ofrojnë për klientët e tyre udhëtime disa ditore për në Barcelonë me nisje nga Shkupi, me çmim 300-350 euro, përfshirë hotelin atje dhe guidat, ndërsa nga Shqipëria aq do u kushtonin vetëm biletat e avionit.

Në Berlin gjithashtu mund të shkosh nga Shkupi me 70 euro, në Bruksel me 65 euro. Në Bruksel nga Tirana, për të njëjtat data, bileta më e lirë është 316 euro (me tranzit nga Roma), për në Berlin mbi 300 euro (me tranzit nga Vjena) dhe 343 euro me Lufthansa.

Për në Paris me Wizz Air mund të gjesh bileta 85 euro për në Paris (vajtja 9 shtator, kthimi në 16 shtator). Nga Shqipëria për në Paris, mund të shkohet vetëm me transit, me Alitalia, duke filluar nga 320 euro dhe nga Viena  me 300-328 euro dhe me Lufthansa, duke filluar nga 338 euro./ Monitor

10 komente në “Diferenca të frikshme: Ja sa të shtrenjta janë biletat e avionit në Shqipëri në raport me rajonin”

  1. ben says:

    Cudi
    Se heqja e ekskluzivitetit te rinasit ishte sukses I qeverise.
    Sapo u shtua dhe 2 vjet u riten serisht cmimet.
    Asnje fjale per ndonje aeroport ne jug te shqiperise qe eshte kusht minimal nese do turizem.
    Po kemi investitore qe do ndertojne port 5 miliarde $ ne karpen te kavajes
    Po ska gje e rendesishme eshte qe u miratua reforma ne drejtesi.
    Nejse ky popull tere jeten me pralla eshte ushqyer, si nje femije, e ne fund kur zullumi behet mal bertasin se kane fajin politikanet.

  2. Xen deledashi says:

    Babezia e ladrove politikane nuk njeh kufi

  3. Celo Mezani says:

    E kam thene dhe here te tjera, ka rreth 10 arsye perse biletat e fluturimit ne Shqiperi jane kaq te shtrenjta dhe ekskluziviteti i Rinasit nga koncesionari ishte me pak e rendesishmia.

    Arsyet kryesore lidhen me sjelljen e shqiptareve dhe kushtet e tregut ne Shqiperi. Jemi i vetmi treg ne rajon qe tregu i fluturimeve dominohet nga klienti “BZINES” dhe jo nga ai familjar dhe turist. Mqs kapitalizmi eshte i pameshirshem ne shrytezimin e kerkeses, shoqerite ajrore mbajne cmime te larta per aq kohe sa me keto cmime avioni eshte cdo dite plot.

    1. ben says:

      O Celoo
      Fajin e kane shqiptaret nuk vihet ne dyshim
      Po jo per ato qe shkruan ti
      Po se ka turma pa tru si ty.
      O celo
      Po para 3 vjet e pak kur cmimet e karburanteve ishin ne burse 3 here me te shtrenjta si ka mundesi qe cmimet ishin 3 here me te lira.
      Si ka mundesi qe kompanite low cost si bel air kishin mundesi te funksiononin dhe shkoje e vije ne Rome me 100 € ndersa tani jo.
      O celoo ta ka thithur trurin rilindja.
      Pa kallepit tend mire ja bejne po cfaj kemi ne te tjeret

  4. Aureli says:

    Prandaj zgjedhim kroacine ose greqine per pushime

  5. jaku says:

    KU JE qeveria, hiqe ekskluzivitetin e Rinasit ,ke prmtu .Dy aeroporte te rine bosh !

  6. piloti says:

    oooo sa mire me qen shqiptar o hejj shqiptari e ka zakon te lashte ia fut same shume shqiptarit te vet se tek te huajt behet bythlepires

  7. pavlin says:

    keshtu eshte kur kete vend e drejtojne hajnat e kurvat?

  8. vedeta says:

    PER politikanet tan bileta esht fare e lir se ata nuk njohin jo lekun, po dhe euron smbahet mend sa koh kan qe nuk e shohin me sy se nuk din sa para kan neper banka,kta kerkum mir te naj bejn,si tha AGRON LLAKA tek humori me salen, sa te jet i leshu qeni avllis kjo do jet dhe era shpis.

  9. mergimtari says:

    Nuk kuptoj shume gjera qe ndodhin ne ate Shqiperi edhe pse atje jam bere 42 vjec!!! Cfar ka republika sllave e maqedonise me teper se Shqiperia, po Mali i Zi, kane me shume aeroporte, porte, territor, popullsi, apo kane shtet me afer qytetarit te tyre, po ne Shqiperi cben shteti?!? Keni 25 vite qe keni vjedhur dhe vazhdoni te vjedhni, vetem sa nderroni karriget cdo 4 apo 8 vjet se vesin e vjedhjes e keni te njejte. Kur do te ngopeni, kur do te vije shteti qe te punoje me popullin dhe jo vetem per vete e familjaret e tyre? I rrjepet shqiptaret si ata qe jetojne ne shqiperi edhe ata qe jetojne ne emigracion, emigracioni dha nje ndihme te madhe ne ekonomine e atij vendi, por ua vodhet me firmat piramidale, popullsine ne shumice atje per shtetin as buke nuk mund te hane, cmimet e cdo sektori perfshi edhe udhetimet jane te pakrahasueshme edhe me vendet me te vogla ne rajon. O shtet shqiptar, pushtetar te shtetit shqiptar, o hajdute te pacipe, o vjedhes te pasurise kombetare, vjedhes te floririt shqiptar, vjedhes te bankave ne diten per diell a e dini cfar po beni, a keni frike te pakten nga Zoti se nje dite mos ju familjaret tuaj do ti paguajne ne forma nga me te ndryshmet?!?!?! Nje te mira pa dashje po na e beni, une te pakten nuk vij, keshtu qe po shpetoj nga ndonje infeksion qe mund te marr nga uje i piste i detit, helmim nga ushqimet e uje i papijshem .

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje