Fillon “numërimi mbrapsht” për mandatin e Presidencial të Bujar Nishanit, i zgjedhur katër vite më parë me votën e mazhorancës së atëhershme, pa konsensusin e opozitës së majtë.
Kështu, Bujar Nishani do të nisë nga sot vitin e fundit të qëndrimit të tij në Presidencë, pasi ai më 24 korrik 2017 do të mbyllë mandatin si President i Republikës.
I zgjedhur nga Kuvendi, Nishani u betua më 24 korrik 2012 dhe ora 18:00 e ditës së sotme shënon plot 4 vjet të ish-deputetit dhe ish-ministrit demokrat në krye të shtetit.
Ai e ka bërë publike disa herë dëshirën për të rikandiduar gjatë vitit të ardhshëm, por
pritet që Kuvendi i ri i dalë nga zgjedhjet e ardhshme të qershorit 2017 të zgjedhë dhe emrin e ri që do të pasojë Nishanin në këtë post, duke qënë se pas vitit 1991, përjashtuar Sali Berishën që u zgjodh për një mandat të dytë pas zgjedhjeve të kontetuara të 26 majit 1996, por që qëndroi vetëm një vit në Presidencë, asnjë president tjetër nuk është zgjedhur për një mandat të dytë.
Pavarësisht dëshirës së Presidentit aktual Nishani për të qënë dhe një mandat të dytë në Presidencë, ndonëse Kushtetuta e ndryshuar i ka “rrudhur” tërësisht kompetencat e kreut të shtetit, sidomos karshi drejtësisë, do të jetë konfigurimi i mazhorancës së re ai që do të përcaktojë dhe “bujtësin” në Presidencë për 5 vitet e ardhshme.
Në bazë të Kushtetutës, Presidenti i Republikës, në çdo rast, zgjidhet për 5 vjet, me të drejtë rizgjedhjeje vetëm një herë. Mandati i tij përfundon në të njëjtën datë të të njëjtit muaj të vitit të pestë nga data e betimit si President i Republikës. Mandati i Presidentit zgjatet vetëm në kohë lufte dhe për aq kohë sa vazhdon ajo.
Ligji Themeltar përcakton se, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit presidencial paraardhës. Në këtë rast, procedura e zgjedhjes së Kreut të Shtetit duhet të nisë të paktën më 24 maj 2017.
Megjithatë, vitin e ardhshëm mbarimi i mandatit të Presidentit do të “përplaset” edhe me mbarimin e mandatit të Kuvendit. “Kur mandati presidencial përfundon në gjashtë muajt që i paraprijnë fundit të mandatit të Kuvendit ekzistues, procedura për zgjedhjen e Presidentit fillon jo më vonë se 60 ditë para mbarimit të mandatit të Kuvendit”, shprehen Kushtetuta.
Ndërkohë që nuk kanë rreshtur kërkesat, madje dhe nga ish-presidentët Moisiu dhe Meidani, që Presidenti të zgjidhet direkt nga populli.
Si zgjidhet Presidenti i Republikës
1 – Kandidati për President i propozohet Kuvendit nga një grup prej jo më pak se 20 deputetësh. Një deputet nuk lejohet të propozojë në të njëjtën kohë më shumë se një kandidat.
2 – Presidenti i Republikës zgjidhet me votim të fshehtë dhe pa debat nga Kuvendi. Për zgjedhjen e Presidentit, Kuvendi zhvillon deri në pesë votime.
Votimi i parë zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga fillimi i procedurës për zgjedhjen e Presidentit. Secili nga votimet e tjera zhvillohet jo më vonë se shtatë ditë nga përfundimi pa sukses i votimit pararendës. Votimi quhet i kryer edhe kur në konkurrim nuk paraqitet asnjë kandidat. Në votimin e dytë, të tretë dhe të katërt mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni.
3 – Presidenti zgjidhet në votimin e parë, të dytë ose të tretë kur një kandidat merr jo më pak se tri të pestat e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit. Në votimin katërt dhe të pestë zgjidhet President kandidati që siguron më shumë se gjysmën e votave të të gjithë anëtarëve të Kuvendit.
4 – Votimi i pestë zhvillohet kur në votimin e katërt asnjë kandidat nuk ka siguruar shumicën e kërkuar të votave. Votimi i pestë zhvillohet vetëm midis dy kandidatëve që kanë marrë më shumë vota në votimin e katërt. Në rast se ka më shumë se dy kandidatë me të njëjtin numër votash, kandidati që merr pjesë në votim caktohet me short. Në rast se pas votimit të katërt nuk ka mbetur asnjë kandidat në konkurrim, për këtë votim mund të paraqiten kandidatë të rinj, sipas kushteve të pikës 1 të këtij neni. Kur paraqiten më shumë se dy kandidatë, votimi zhvillohet midis dy kandidatëve që kanë siguruar numrin më të lartë të deputetëve propozues.
5 – Në rast se edhe pas votimit të pestë asnjë kandidat nuk siguron shumicën e kërkuar, ose kur pas votimit të katërt pa sukses nuk paraqitet asnjë kandidaturë e re, Kuvendi shpërndahet. Zgjedhjet e reja zhvillohen brenda 45 ditëve nga shpërndarja e tij.
6 – Kuvendi pasardhës e zgjedh Presidentin e Republikës me shumicën e të gjithë anëtarëve të tij.