FOTO-reportazh: Në gërmadhat e Maliqit dikur të ëmbël…

26 Korrik 2016, 11:45Lifestyle TEMA
FOTO-reportazh: Në gërmadhat e Maliqit dikur të

Nga Entela Resuli

Bën nxehtë në Maliq këtë korrik. Edhe më nxehtë duket teksa i afrohesh rrënojave që dikur gumëzhinin nga puna, Kombinati “8 Nëntori”. Aty prodhohej sheqeri, niseshteja, alkooli… ndërsa sot është një strehë për insektet. Ata që kanë punuar në këtë ngrehinë, sa herë kalojnë në këto anë, kanë nostalgji për vitet e kaluara në korridore dhe fabrika të cilat duket se janë ende brenda godinës, duke përjetuar ndryshkjen nga koha. Dikur një qytet që ëmbëlsonte Shqipërinë, sot një vend që hidhëron vetveten.

Maliqi, ky qytet në juglindje të vendit, në Qarkun e Korçës, është krijuar vonë. Zanafillën e krijimit e ka në nëntor të vitit 1951, kur u inaugurua edhe fabrika e sheqerit, që mori emrin “8 Nëntori”.

Me kalimin e viteve ai mori formë e zhvillim. Krahas fabrikës së sheqerit dhe aksesorëve të saj për prodhimin e niseshtesë, alkoolit dhe bërsive të panxharit për bujqësinë, u ndërtuan ndërmarrje shërbimesh, tregtare dhe komunale; u ndërtua shkolla e mesme, qendra shëndetësore, kinoklubi, shtëpia e kulturës, estrada dhe teatri amator, klubi sportiv etj. Duhet thënë se Maliqi ka nxjerrë shumë talente në art dhe në sport.

Sot, ky qytet me rreth 6 mijë banorë, i cili ndodhet 13 km larg qytetit Korçës, nuk i ka më ato fabrika për të cilat u krijua.

Ata që kanë punuar aty, jetojnë me ëndrrën se një ditë do të bëhet më mirë… dhe kanë shpresë për një rihapje të mundshme të fabrikës, siç edhe është folur kohët e fundit; dhe sa herë hapen fjalë që kombinati do të vendoset në punë, ata më shumë se gjithçka, duan ta besojnë.

“Na kanë thënë që do hapet përsëri, por s’po shohim gjë. Dikur ishte i gjithë populli në punë, ndërsa sot, i gjithë populli në kafene”- shprehet një nga banorët teksa na sheh duke bërë fotografi në këto gërmadha. Të rinjtë preferojnë të ikin larg, ndërsa ish Kombinati, simboli i qytetit, është kthyer në një grumbull gërmadhash dhe simbol të papunësisë… Ndaj një fjalë e vetme banorëve u zgjon shpresën se, pavarësisht pamundësisë për të punuar në një “kohë të dytë” aty, ky kombinat do të fillojë të punojë përsëri ashtu si dikur.

Në fakt, po të futesh në kombinat shikon këtë madhështi dhe brengën që sjell më pas braktisja e tij. Gjithçka rreth kësaj rrangalle të përzihet me të kuqen e murrëtyer të tullave. Në këto kohë, ndoshta ky vend mund të shërbejë vetëm për artistët e artit kontemporan, që duan të hapin ekspozita dhe t’i kthejnë këto gërmadha në atraksion turistik.

Maliqi i shtëpive me tulla dhe çati me tjegulla, sot mbahet nga emigrimi dhe ajo pak bujqësi dhe blegtori… Qyteti e ka të rrënjosur shumë të shkuarën, ndërsa për të ardhmen pak flitet. Dhe njerëzit në Maliq e kanë fituar të drejtën që të jetojnë me të shkuarën, sepse aty janë pikat e tyre të referimit, ndërsa e ardhmja për ta duket se është larg, shumë larg. Duket se qyteti i Kombinatit të Sheqerit që ëmbëlsonte shqiptarët në kohën e hidhur të diktaturës, sot është thjesht një hidhësi e botës së çuditshme shqiptare.

Çfarë u bë në Maliq?

Pas bonifikimit të kënetës, Maliqi u popullua nga banorë të krahinave përreth si dhe nga shumë qytete të tjera të Shqipërisë. Menjëherë pas bonifikimit u nis ndërtimi i Kombinatit të Sheqerit, një vepër madhore për ekonominë e Shqipërisë, një kombinat i cili ishte ndër më të mëdhenjtë në gjithë Gadishullin e Ballkanit. Kështu nga mesi i viteve ’50 u vendos në punë kombinati i sheqerit që punësoi më shumë se gjysmën e popullsisë së asaj kohe. Kombinati i sheqerit në Maliq ishte ndërmarrja e parë e madhe e industrisë ushqimore shqiptare dhe një nga veprat e mëdha të planit të parë 5-vjeçar, që përfundoi në vitin 1951. Më 1960 u bë rikonstruksioni i parë duke rritur aftësinë prodhuese të sheqerit 30 për qind, atë të tharjes së bërsive 50 për qind dhe të TEC 50 për qind. Njëkohësisht u ngritën fabrika e alkoolit, ajo e majasë së bukës dhe e gazit karbonik ushqimor. Më 1967 Kombinatit të Sheqerit iu shtua edhe fabrika e nishestesë dhe e glukozës. Më 1979 u bë përsëri një rikonstruksion i fabrikës së sheqerit, duke rritur aftësinë përpunuese ditore 3,7 herë në krahasim me atë të vitin 1951.

“Fshati rrethon qytetin”

Nuk ka të bëjë me konceptin maoist kinez, por realisht dhe figurativisht Maliqi rrethohet nga shumë fshatra, që, dikur, në monizëm, përbënin një fshat të bashkuar me qendër në qytetin e Maliqit, ku bënin pjesë: Bicka, Goca, Gjyrasi, Kolaneci, Kloca, Liboniku, Poçesta, Plevisht-Bosi, Vloçishti, Vashtëmia dhe Symizi me një popullsi më të madhe se Maliqi, prej 10 000 banorësh. Pas tharjes së kënetës së Maliqit këtu u ngritën dy ndërmarrje bujqësore, ndërmarrja “8 Nëntori” dhe ndërmarrja e rritjes së gjedhit. Sot në këto fshatra janë ngritur ferma me të gjitha llojet e prodhimit bujqësor. Banorët e këtyre fshatrave jo vetëm që janë shumë punëtorë, por janë edhe ambiciozë drejt të resë, civilizimit. Shtëpitë e tyre ndrijnë nga pastërtia. Bollëku i tyre duket jo vetëm në tavolinat e ngrënies, por edhe në oborret dhe kasollet e mbushura plot.

Nga këneta në kënetë

Të 1250 hektarët e fituara nga tharja e kënetës së Maliqit, çdo vit në kohë reshjesh të mëdha, kthehen përsëri si dikur, në kënetë. Uji mbulon sipërfaqe të konsiderueshme tokash të mbjella duke sjellë dëme për të gjithë fermerët. Ara të mbjella me grurë apo të bëra gati për kulturat e tjera mbulohen me ujë dhe lirohen vonë në pranverë, kur e bën të pamundur mbjelljen e kulturave bujqësore. Nga katër hidrovorë, asnjë nuk punon. Çdo vit për shkak të reshjeve të shumta, lumi i Devollit çan argjinaturat dhe përmbyt një sipërfaqe toke prej 5000 ha në Fushën e Maliqit. Kjo dukuri e përsëritur ka pasur si shkak mos thellimin e mjaftueshëm të shtratit të lumit Devoll në kohën e bonifikimit të Kënetës së Maliqit./DITA

4 komente në “FOTO-reportazh: Në gërmadhat e Maliqit dikur të ëmbël…”

  1. Xen deledashi says:

    Dhuratat e Sali shkerdhates me cekun e tij te bardhe

  2. Lajme says:

    the republic of s-hale islamic berisha

  3. EDI says:

    Nuk jane vetem keto allet e kesaj qyteze te vogel. Krahas “Kombinatit te vjeter” e te degraduar nga koha makth i madh per qytetaret mbas pluralizmit eshte bere Gezim Topciu, Kryetar Bashkie 20 vjet. C’mund te japi nje njeri i shteruar qe drejton prej 20 Vjet. Ky njeri ka ndertuar vetem perandorine e tij keto 20 vjet dhe per qytetaret ka instaluar ferrin e varferise……

  4. Alban Dardani says:

    — komentusi-EDI..
    — PER ata qe ankohesh zotrote, ata mund te jene cfardo, …. por vetem qytetare nuk jane .
    — ata jane vetem QYTE-K#RË , dhe QYTE-K#RËT e tu pak e kane nje TOPE-QI
    –jane QYTE-K#RET pa eshte TPOE-Q#U, pa ata TOPE-Q#U NUK E BENTE DOT ATE PUNE.
    — jane ata lloj specie QYTE-K#RËSH pa eshte bere fabrika ne ate gjendje—TURP. VANDALË !!!
    -xxxxxxxxxx
    — A E PATE DJE NE GAZETEN TEMA FABRIKEN E NOBEIT NE SUEDI, SHIFE, SHIFE, TA SHOFIN GJITHE QYTE-K#RET E TU, LE TA SHOFIN TE GJITHE QYTE-K#RET Ee shqiperis qe ikatandisen te gjitha fabrikat ne ate menyre.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje