Njerëz me shumë emra, me shumë parti, me shumë pushtet!

29 Korrik 2016, 17:21Blog TEMA

Nga Kristo Mërtiri

Një malëshovit i Përmetit, burrë i zgjuar e hokatar (tani vonë mbylli sytë në Tiranë e iku përgjithmonë nga kjo botë), mjaft rrëfenja refugjatësh i kthente në anekdota me pak piper, kripë a sheqer. Por e vërteta nuk humbiste as nën lëkurë :

“-Si e keni emrin ?- i tha nëpunësi i OEAD-it në Athinë, kur po plotësonte dokumentet e një shqiptari refugjat.

-C’farë thotë ky mo ?-pyeti menjëherë shokun që e shoqëronte, sepse vetë nuk dinte asnjë fjalë greqisht.

-Zotëria kërkon emrin tënd,-i tha bashkëatdhetari.

-Në Shqipëri Myftar, ndërsa në Greqi Llazar…”.

Nuk është humor i sajuar dhe as shaka e rëndomtë. Nepset e makutërisë shesin e blejnë emra dhe kombësira në emër të parasë së pistë. Njerëz pa asnjë gram dinjitet dhe me personalitet të gjymtuar  dhunshëm, kanë gjetur tenxherja kapakun. Madje, po t’u thërrisje natyrshëm në emrin e tyre të vërtetë, mund të ktheheshe deri në hasëm ose më e pakta në një pellg mërie tepër trishtuese.

Ky nepotizëm fisnor, krahinor e partiak po i ngre përmendore pandëshkueshmërisë, duke i marrë krundet për miell nëpër istikamet shtetërore. Njerëz që nuk shërbejnë, po rrëmbejnë. Mjaft profesionistë të heshtur gjer në dhimbje, u flakën si lecka matanë gardhit militantesk e grotesk. Kur vjen fundi i Legjislaturës, shkojnë e prehen mbi dafina, nëpër vilat luksoze brenda e jashtë vendit, fryt i përpjekjeve titanike për kursimin nga rroga mujore në bordero (!). Dhe krrokasin, lëpihen e duartrokasin rreth liderëve që bëjnë “ndere” me lopën e pushtetit.

Në tregun e lire të demokracisë gjejnë shesh e bëjnë përshesh xhambazët e regjur, këta pehlivanë që i bëjnë qedere cdo force politike. Njerëzit e thjeshtë e të ndershëm dhe pa “shpatulla të ngrohta”, përpëliten përballë një mali me halle e maraze. Konkretisht, të shesësh pasaporta këllira, deri emra e kombësira dhe të mos bëhet asnjë hetim serioz nga Prokuroria; Shërbimet e Inteligjencës; Drejtoria e Përgjithshme e Gjëndjes Civile; Përfaqësitë tona Diplomatike e Konsullore; OJQ-të fondegrabitëse etj.,do të thotë t’i biesh teneqesë së shpuar mbi veshët e shurdhët të pushtetit. A është e vërtetë që Kryeministri ynë vetë pret e vetë qep ?  Po ministrat ku e hanë tagjinë e taksapaguesve të mjerë shqiptarë ? Kjo rrumpallë e trashëguar nuk na e zbardh faqen përballë Europës e Perëndimit. Përkundrazi…

Së pari, sa qytetarë shqiptarë kanë siguruar me rrugë gjirizi e përtej Ligjit pasaporta e kombësira kallpazane gjatë një cerek shekulli, të cilat qarkullojnë sot e gjithë ditën sidomos në Greqi, Itali, Belgjikë, Angli, Zvicër e gjer në Amerikë e Australi ? Qeveritë vijnë e shkojnë dhe nuk lënë asnjë transparencë shtetërore. Asnjë evidencë e studim të thatë a të njomë !

Së dyti, sa nëpunës batakcinj nga zyrat e Gjëndjes Civile (me emra e mbiemra) kanë shkruar, firmosur, vulosur e lëshuar certifikata mashtruese me darovitje mbi e nën dorë ? Shumica e tyre, kam bindjen se kanë notuar e notojnë sypatrembur në lumenjtë e rrumpallës shtetërore, duke i vlerësuar si falcifikime “pa peshë”.

Së treti, cilët punonjës Policie kanë dhënë viston e fundit nëpër komisariate, duke e lyer pa iu dridhur qerpiku rrotën e korrupsionit fare të dukshëm dhe lerosën emrin e Republikës sonë përmes gazit të botës demokratike ?

Së fundi, sa kambana me thumb e cekicë Drejtësie me bisht ranë fort mbi këtë tabor me zyrtarë pa din e iman apo nuk gjen hic hetime e seanca gjyqësore ?

Ky është shpërdorim detyre acik e tepër irritues, e pse jo edhe me pasoja antikombëtare. Janë nga ai sua që tundin shpesh në “ekstazë” flamurin e patriotizmit kallp ! Qeveritë e djathta e të majta kanë bërë një sy qorr e një vesh shurdh…Dikur kam botuar shkrimin “Ruhuni nga shushunjat në Sheshin “Omonia”. Ishte fjala për ca shoqata fantazma “vorioepirote” që drejtoheshin më tepër nga matrapazë eknomikë se sa politikë. Shfrytëzuan gjer në palcë hallexhinjtë refugjatë që ndiqeshin këmba – këmbës nga policia. Derdhnin vërtetime pa hesap. Madje disa i ndanin fitimet edhe me ca uniforma të rendit publik. Po në atë shesh e rreth tij ku do rënkojnë gjatë shpirtrat e refugjatëve, vinin nga Shqipëria edhe kokorocë me tufa certifikatash të vulosura e firmosura që plotësoheshin e paguheshin kesh në dorë !…Sepse nuk është rastësi që vrasës, trafikantë prostitutash e droge, hajdutë me cizme e pa cizme, po kapen gati përditë sidomos nëpër shtetet fqinje. Ama, mjaft prej tyre po dalin me identitete të ndryshuara nga vulat dhe firmat e shtetit shqiptar ! Prapavijës së tyre në mëmëdhe nuk u preket asnjë qime floku(?). Mirëpo zyrtarë të tillë këllira kanë ushqyer e ushqejnë realisht e poshtërsisht edhe ca statistika “minoritare” që të kallin krupën nëpër arkivat e mykura të vendeve fqinje. Cuditërisht, këto kartëra të djegura funksionojnë ende dhe shpesh duan ta bëjnë murrizin hardhi. Pallati hijerëndë e fodull i Drejtësisë sikur ua shkel syrin e qesëndis me duar të “pastra”. Nuk thonë kot : As padrejtësia nuk është e barabartë për të gjithë…Ndërsa politika po shikon më tepër “tymin” dhe harron zjarrin  që djeg përditë fukarenjtë!

 

5 komente në “Njerëz me shumë emra, me shumë parti, me shumë pushtet!”

  1. Lame Berdo says:

    Fjalet me inkurajuese Kristo Mertirit, gazetarit qe nuk ju drodh dora nga padrejtesite e pushtetareve te te gjitha kallepeve, qe sic dime per te, e ka paguar me vite te tera pa pune nga mediokrit e hajdutet e veshur me pushtet.

  2. Filati says:

    Prap Filati nga Dukati, qe nuk e nderron folene, plot ma ke karikatorin, me te lumte ajo pene. Po te presim ne Dukat, peshtanaku bolerende, cnuk te ben palo ministrat, ata bamp e ti ne kembe. Ndaj dhe mbete fukara, gjer me sot te lane pa pune, qente halimxhaferia, te me falc, te hengren mune. Sepse penen dot s’ta thyen, as Xhafa, as Halima, vecse ne shkrimet e tua, ata mbene hajdut e krimba. Pa cka dhe sot deputete, bejne ligje kapardisur, me asete mos u ngopcin, vene ne emera te stisur. Hileqaret, batakcijte, mos mi ndaj nga maj e penes, se ke bredh rrugve te grekut, Kristo, djal i Tepelenes. Ne mengjes presim Bashkimin, te degjojme emrin tend, sa ta krreje inerneti, nuk na nxe i shkreti vend.

  3. Tuku says:

    Futja kot vetem hani mut kot ju qe shkruani po mor shoku emra konkret duhet me dhane qe ta marrim vesh edhe ne e tju besojme.

  4. Vasi says:

    Te lumte Dora ,,bjeri kokes politikaneve te qelbur nga koka tek kembet!

  5. Skenderi says:

    i dashur gazetar. Mire ben qe kritikon poshtersi tw tilla, por si eshte bere ketu lesh arapi i tere, nuk gjendet gershere pwr ta prere. Cdo gje ka mbaruar. Na ruajt zoti.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje