Strategjia e “pop girls” shqiptare të globalizimit, si një leksion për biznesin shqiptar

15 Gusht 2016, 11:25Lifestyle TEMA
Strategjia e “pop girls” shqiptare të globalizimit, si një

Çfarë kanë të përbashkët Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha, Era Istrefi? Janë të gjitha të reja të talentuara, me origjinë shqiptare, hitet e tyre muzikore po korrin sukses ndërkombëtar. Asgjë rastësore. E gjitha strategji kryekëput, që u ka nxjerrë në pah talentin e lindur. A mund të jetë ky një leksion, që sipërmarrjet shqiptare të mësojnë për ekspansionin dhe shfrytëzimin e globalizimit (?)

Industria botërore e muzikës po përjeton kohë të arta. Askund nuk duket kriza. Në katër vitet e ardhshme, të ardhurat do të njohin rritje me 3%, për të arritur shifrën e rreth 47.7 miliardë dollarëve.

Artistët janë të varur gjithnjë e më shumë nga fitimet që marrin nga performancat e drejtpërdrejta sesa nga shitjet e muzikës së regjistruar. Kjo sjellje ka ndryshuar konfigurimin e industrisë. Kompanitë e regjistrimeve po tentojnë të promovojnë performancat “live” dhe menaxhimin e artistëve përmes koncerteve. Në këtë industri, asgjë nuk i lihet rastësisë. Fushatat e marketimit dhe të promovimit janë të mirëmenduara dhe të testuara përpara sesa një imazh t’i serviret publikut. Një këngëtar ka pas tij një “ushtri” të tërë me profesionistë që llogarisin edhe detajet më të vogla.

I tillë është edhe rasti i Rita Ora, Dua Lipa, Bebe Rexha e së fundmi edhe Era Istrefit. Artistet me origjinë shqiptare, por të rritura e të edukuara në Perëndim, po marrin vëmendjen jo vetëm të industrisë ku bëjnë pjesë, por edhe të mediave e botës së modës. Janë talente që po menaxhohen me shumë sukses nga më të mirët. Pas tyre qëndrojnë ikonat e muzikës pop, apo rep si Jay Z e Eminem. Talenti i tyre është spikatur dhe tani ato janë kthyer në “marka” që shesin me gjithçka që bëjnë. Disa prej tyre, si Rita Ora apo Dua Lipa nuk janë mjaftuar vetëm me këngën, por po korrin sukses edhe në botën e modës e të kinematografisë. Janë modele nga të cilat mbi të gjitha duhet të mësojë sipërmarrja shqiptare se si mund të përshtat në një botë global, ku informacioni shkon në sekondë në çdo anë të globit dhe ku teknologjia mund të të mundësojë të bësh çudira.

Ato janë ambasadore (pa i emëruar kush të tilla) që bëjnë që të përmendet kudo emri i Kosovës apo Shqipërisë. Nuk e mohojnë origjinën e tyre, por e promovojnë sa herë që iu jepet mundësia.

Strategjitë e tyre të marketingut, nëse arrijnë të “përthithen”, mund të rezultojnë të suksesshme edhe për biznese të ndryshme shqiptare. Mënyra sesi ato përfitojnë nga interneti, sesi shfaqen dhe reklamohen kudo në rrjetet sociale është e mirëstudiuar. Çdo gjë e përllogaritur deri në perfeksion sepse mbi të gjitha: Duhet të shesësh!

Për Nikolin Jakën, kryetar i Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Tiranë, njëkohësisht edhe sipërmarrës, gjithçka fillon me strukturimin e një kompanie. “Është domosdoshmëri sot, që një kompani të jetë e strukturuar si duhet në mënyrën e organizmit, të ketë kapitalin njerëzor që është i trajnuar dhe specializuar në mënyrën e duhur, si dhe të ketë një vizion të qartë për objektivat që do të realizojë, qoftë në partneritet apo në përfshirjen në tregjet më të mëdha”, thotë z. Jaka.

Ndërsa një nga sipërmarrëset e hershme shqiptare, Donika Mici, e njeh mirë këtë terren sepse e ka shkelur vetë. SHBA-ja është një nga tregjet ku ajo shet këpucët “made in Albania”. Filozofia e të bërit biznes për të tashmë ka ndryshuar, i duhet të mendojë me logjikën e një tregu që flet me miliona konsumatorë.

Por, për akademikët, ata që flasin me gjuhën e asaj sesi duhet të jetë komunikimi dhe qasja e një biznesi që do të hapet në tregje më të mëdha, çdo hap duhet të bazohet në një ekspertizë të detajuar. “Shpesh pretendimet për të mbërritur në tregje ndërkombëtare nisen nga premisa bazike të gabuara, duke mos bërë madje as studime tregu dhe planifikim të qartë në terma biznesi për të përcaktuar fillimisht pozicionimin e kërkuar të markës apo të produkteve.

Lipsen burime njerëzore të kualifikuara në drejtimet për të cilat flitet, përvojë dhe kreacion njëherësh, pasi asgjë nuk vjen rastësisht kur flasim për suksese ndërkombëtare”, thotë Belina Budini, përgjegjëse e Departamentit të Komunikimit dhe Marrëdhënieve Publike, UET.

Ndërsa pedagogia e Departamentit të Komunikimit pranë Universitetit “Hëna e Plotë” Bedër, Edlira Mali, thotë se “thelbi qëndron në njohjen e tregjeve, hapësirave të tyre, preferencat dhe kërkesat e tregut dhe konsumatorit dhe përpjekjeve për t’ju përgjigjur këtyre kërkesave në kohën, vendin, cilësinë dhe mënyrën e duhur, duke kërkuar gjithmonë mënyra kreative dhe inovative për krijimin e avantazheve konkurruese”.

Monitor

1 komente në “Strategjia e “pop girls” shqiptare të globalizimit, si një leksion për biznesin shqiptar”

  1. Aktoret me origjine nga Kosova- apo kosovare, e jo shqiptare. Mos u mundoni ju shipecat e albanis t’i pervetesoni vlerat kosovare ne emer te emrit me te shtrenjt ne bote: SHQIPTAR. Shqiptar po, por jo si ju…ju jeni tjeter brum… kosovaret jane brum i shqiptarit te paster! Kaq

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje