Nënë Fatua e Lazaratit dhe "Republika e Hashasht"

17 Gusht 2016, 18:12Blog TEMA

Nga Kristo Mërtiri

Atë plakë të thantë e të mencur, me humor të hollë e zemërqëruar, e njoha vonë këtu në Tiranë. Vinte rrallë, ngadalë e pa zhurmë te kafeneja e Tahos, njërit prej djemve të saj. Më dukej sikur po më krrente sadopak mallin e mëmës, që nga ecja, veshja e gjer te gjestet dhe fjala kursimtare. U gëzohej nipërve dhe mbesave. Ndërsa Lilon, nusen dibrane e vlerësonte shumë dhe e donte me shpirt. Fjalën e keqe nuk e lëshonte kollaj. “ Biro, nusja e djalit është si syri i ballit. Lum’ kush e mat dhe e peshon kështu !…”. Por erdhi një ditë e hidhur mesgushti. Dhe nënë Fatua, lerë e rritur në Lazarat, nuk i ngriti më qepallat që ranë mbi dy pika lotë. Iku në atë botë me zemrën plot. Iku në paqe me veten dhe të tjerët. Ndërsa mua më ka mbetur e pashlyer një bisedë e këndshme me të. E ngacmova për vendlindjen e saj, për namin jo të mirë që po përhapnin ekranet, mikrofonat dhe faqet e gazetave. Një nam që vërtitej me kulm e themel rreth hashashit pushtues të atij fshati me emër e jo dosido. Por politika, me një dorë i hidhte dhe me tjetrën i priste ! Arriti të përdorej edhe si top futbolli nëpër lojërat e pista elektorale…Vecse nga goja e saj unë nuk dëgjova asnjëherë fjalët : kanabis, drogë, hashash, miell, ilac zengjini …

-E, ku të kumbisen, a të keqen ! Punë jo, kurbet jo, para jo, atje ha pula gurë…shyqyr që u erdhi “borëbardha” në derë me shumë para e me bela dhe nuk i la të hante njeriu-njerinë. Mirëpo ajo vajza kanakare prej bore po i prish me Qeverinë, por ama po u ndreq ekonominë (buzëqeshja e nënë Fatos i jepte një nur të vecantë fytyrës dhe muhabetit). Dëgjo mua, fukarallëku i miletit nuk largohet vetëm me zinxhirë e burgje. Boll ka hequr në kurriz ai fshat nga e shkuara…Ku të kumbisen, a të keqen nëna ?! Të mëdhenjtë e qeverive janë bërë si ajo daullja që e ka zërin të lartë, por brenda është bosh. Dora e shtetit tundet me fjalime lumë këtu në Tiranë. Është shumë larg nga e thëna në të bërë. Prandaj njerëzia në hall po i vardiset “borëbardhës” nazemadhe…

Lazarati u bë qytet dhe kryeqytet i hashashit. Kur nisi vërtet beteja qeveritare në atë fshat, “Borëbardha” na u duk si ajo bora në maj që do ikte shpejt dhe pa u kuptuar. Atëhere mori udhë edhe një kod i vecantë lokal në komunikim. Kur pyetjet vërshonin natyrshëm se si do të shkonte filli më tej nëpër stinë mbjelljesh, shërbimesh, korrjesh, transportimesh e shitjesh, befas plaste me pakëz shpoti një nënqeshje bashkë me përgjigjen përmbyllëse : “Si të marrë “bora”!…Domethënë, si do rrjedhin ujërat e rrethanat dhe a do të jetë mot i mirë a i keq përballë shtetit ligjor. Po cfarë ndodhi vallë ?

Sot është vështirë të gjesh male me borë. I ka mbuluar hashashi. Sepse sic thotë i mencuri:” Edhe dëbora është e bardhë, por e menderosin qentë !”. Shkurt, u fitua beteja me Lazaratin e ngrirë dhe humbën thellë betejën me Shqipërinë. Më shqip, ndoshta shpëtuan nga përroi i këtij fshati rebel, por ranë keq në lumenjtë e Republikës. Sot e themi me plot gojën : U bëmë republikë hashashi ! Ai aksion i lavdërueshëm dhe me “goditje të përqëndruar”, një ditë prej ditësh u katandis thjesht në një fasadë të neveritshme qeveritare. Koka e selektivitetit doli acik. Prangosja për “mungesë vigjilence” e ndonjë kryeplaku fakir në fshatra e zona të thella, më tepër u kthye në ushqim bajat për kronikat e zeza mediatike. Problemi mbeti pezull dhe ashiqare as në qiell e as në tokë ! Me sa duket, fitimet verbuese mbyllën sy e veshë “atje Lart”…Disa politikanë, qeveritarë e parlamentarë e bënë dorën lopatë, u treguan të pangopur e zhvatës të pacipë të parave pa djersë, rrëmbyes të votave e kolltuqeve ekzekutivo-legjislative. Dhe Shqipëria jonë kapi maja të panjohura në botën e vërtetë demokratike : “Biznesmenët” dhe policët jesmenë, paskan përmbytur tempullin e fjalës popullore, Kuvendin e tharë dhe pa intelektualë !…

Njerëzit e thjeshtë ngrenë supet dhe pyesin : Euforia e Lazaratit, vërtet i bëri kacek , i dehu e u fali gjumë institucioneve shtetërore të quajtura Bashki, Prefekturë, Qeveri e Parlament ? Apo u vunë drynat pa ethe gushti dhe mbajnë sehir nga veturat e vilat luksoze në bregdet e në male, nga jahtet dhe ekranet e gjelbëruara që spërkatin me pamje helmatisëse shpirtin e shqiptarëve të ndershëm ! Cuditem gjer në neveri kur dëgjoj e lexoj ndonjë burrë “zamani” që lëshon jargë nga studiot komode në kryeqytet dhe paska besim te ata kokmishë në krye të shtetit kanabist, se do na reformojnë e pastrojnë Drejtësinë… Do dëshiroja ta pyesja publikisht e konkretisht : Këtë “republikë hashashi” kobzezë kush do e shkulë a përmbysë, vetëm ca taborë të Policisë me kosa e cakmakë në duar ?! Njerëzit e zakonshëm janë velur nga qeveritë fjalëshumë e punëlumë, të cilat ngopen me lugë bosh dhe nuk dashkan të zënë “demin” e drogës prej briri. Apo ta shtyjmë me atë llafin aguridh, “nuk u bë kiameti e nuk u përmbys bota” ! Kush do i përgjigjet pyetjes ulërimë: Shqipërinë tonë halleshumë, kush e bëri “kryeqytet të hashashit” ? Edhe për këtë gjëmë do i bien gjoksit rilindistët ?…Kjo klasë politike e korruptuar, kjo Qeveri e ky Parlament gazavaj ka dështuar herët. Tani që po shkruaj, mjaft liderë-kalanderë po shullëhen plazheve ku era e asaj bime keqbërëse sikur i përkund nëpër shezlongjet buzë detit brenda e jashtë vendit. Mirëpo era nuk zihet në rrjetë… Nuk thuhet kot : Të gjithëve na mpihen dhëmbët nga thartira, kurse qeveritarëve, deputetëve e kadilerëve u mpihen nga…ëmbëlsira ! Shumica kanë 25 vjet që janë vetë vali e vetë kadi…Por nënë Fatua e Lazaratit mbylli sytë e iku përgjithmonë, e paqme. I ndritë shpirti atje ku ka rënë ! “Fukarallëku i miletit nuk largohet dot vetëm me zinxhirë e burgje”. Fjalët e saj melhem më trokasin herë pas here.

6 komente në “Nënë Fatua e Lazaratit dhe “Republika e Hashasht””

  1. TJ says:

    Pas lazaratit fshihej gjendja e vertete ne gjithe Shqiperine! Nuk ka patur dhe nuk besoj se do te kete me antishtet te tille qe krijoi Berisha ne keto 26 vjet! Ky njeri duhet varrur ne mes te Tiranes dhe ta shikojne berishianet dhe Lazaratasit! Mendimi se Lazarati u kthye ne pjesen tjeter te Shqiperise eshte tinzar dhe kriminal!

  2. Minia says:

    Kapedan, o gazetar
    une zerin ta kam ndjere,
    qe ta dish, me Fato zonjen,
    kemi qene dere me dere.

    Fjale e saj, mjalte hoje
    Lazarati e mban mend
    flori i dilte goje
    fjal’ e Fatos peshe e rende.

    Ti qe Faton na e solle
    per tu cmallur si atehere,
    Ja, keshtu ta pafsha penen
    te pa ndryshkur dimer, vere.

  3. Vironi says:

    Lulezimi republikes se hashashit nuk po ndalet. A je mire o TJ me komentin tend kur thua qe mendimi se Lazarati u kthye ne pjesen tjeter te Shqiperise qenka tinzar dhe kriminal. I gjithe vendi gjelberon nga kanabis. A nuk e shikon? Kesaj i thone: O xhixhi, o xhixhi, ku me ha mua e ku te kruhet ty.

  4. Aso says:

    E ku te kumbisen e Kristo? Ti I zgjidh hallet tona po te behesh kryeminister?

  5. Suati says:

    Pershendetje z. Mertiri. Jam nje lexuesi yt i rregullt qe te admiroj per problematiken e larmishme te shkrimeve dhe stilin e vecante. Sa per ate qe jemi vend i hashashit s’ke ci thua. Mediat botrore, pa folur per shifrat qe jep guardia di finanza, flasin per Shqiperine si “Cannabis republica”. Ne shtrirjen e canabisit dhe harlisjen e tij te gjith kane pjesen e tyre per bimen magjike, sidomos strukturat e shtetit. Ky eshte palo shteti yne qe flirton hapur me krimin.

  6. FATRIU says:

    ZOTI MODERATOR, C’NDODH KESHTU? NE BLOG THUHET KA 5 KOMENTE KETU DEL VETEM NJE. KA NDONJE PROBLEM TEKNIK… SHIKOJENI JU LUTEM PER TI PASQYRUAR DREJT MENDIMET E LEXUESVE

    FATRIU

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje