A do të përfundojë BE-ja si Jugosllavia?

23 Gusht 2016, 18:08Rajoni TEMA

Nga Dr. Max Brym

Pothuajse të gjithë shqiptarët duan të jenë pjesë e BE-së. Kasta politike e Kosovës dhe e Shqipërisë propagandon gjithashtu këtë qëllim, madje edhe si mundësi për zgjidhjen e të gjitha problemeve. Me këtë rast, sidoqoftë, nuk venerohet fare fakti që BE-ja është një Lidhje e brishtë, lehtësisht e shkërmoqshme e shteteve kapitaliste. Ky projekt po i afrohet fundit të tij. Largimi i Britanisë së Madhe nga Bashkimi Europian është një shenjë sinjifikative e këtij procesi. Në shumë rrafshe BE-ja e sotshme të bën të mundur krahasimin me procesin e rënies, respektivisht shkërmoqjen e Jugosllavisë të fundit të viteve ’80. Historia nuk mund të përsëritet vetëm si farsë, por edhe si tragjedi. Për këtë, po sjell më poshtë, disa teza.

1. Në fillim të viteve ’80 Jugosllavia ishte konfrontuar me rritjen e madhe të çështjes së borxheve. Borxhi i jashtëm i Jugosllavisë atëbotë kishte kaluar 20 miliardë dollarë. Nga fillimi i viteve ’80 po aplikohej një program masash kursimi me qëllim që të mund të riktheheshin këstet e borxheve. Në të njëjtën kohë po sforcohej konkurrenca mes republikave jugosllave. Në vitin 1987 inflacioni arriti 1000% dhe filluan largimet masive të punëtorëve nga puna. Klasa punëtore e asaj epoke, veçanërisht në Bosnjë, kishte arritur të organizonte greva masive me karakter multinacional. Udhëheqësit politikë të republikave veç e veç, në këtë gjendje të krijuar, kishin hequr dorë nga retorika internacionale dhe i ishin dorëzuar retorikës nacionale, duke fajësuar për borxhe kombet tjera të federatës. Në Evropë sot mund të konstatohet një gjendje pak a shumë e ngjashme me atë të Jugosllavisë. Në Europë skenarët politikë i dominon vetëdija nacionale, respektivisht ajo nacionaliste. Nuk ka një komb europian, po aq sa nuk kishte as një komb jugosllav, megjithëse përpjekjet për ‘inxhinjerimin’ e tij nuk munguan (përjashtim ishin shqiptarët në Kosovë dhe Maqedoni), ashtu siç ka tendenca të bëhet edhe në BE.

2. Evropa sot ballafaqohet krahas protestave me karakter social në Greqi, në Spanjë, në Itali… por veçanërisht përmes grevave masive në Francë, që po mbahen në shenjë të luftës kundër ndryshimit të orarit të punës dhe në mbrojtje kundër pushimit nga puna. Në kuadër të ligjeve për gjendjen e jashtëzakonshme, në Francë është aplikuar e ashtuquajtura reformë e tregut të punës. BE-ja aktualisht po karakterizohet nga sulmet mbi të drejtat e klasës punëtore. Kjo ka të bëjë me ruajtjen e çimentuar të fitimeve të borgjezisë nacionale. Prandaj po aplikohen krejt hapur masa emergjente. Demokracia qytetare është konvertuar në masë dhe me vetëdije në një copëz letre pa vlerë. “Internacionalizmi” qytetar (firmat e zhvendosura, lufta për dominim në Europë) është ngushtësisht e ndërlidhur me nacionalizmin lokal.

3. Faktori dominues në Evropë është imperializmi gjerman, i cili vetëm në Evropën lindore ka realizuar 11.000 investime të drejtpërdrejta dhe po provon të zhvendosë prodhimin në rajonet ku pagat janë të ulëta si në Bullgari e Rumani. Konkurrenca është faktori dominues mes disa grupeve të kapitalit në Europë, të cilat, si edhe më parë, janë të ndërlidhura me shtetin-komb si përmbarues real (Schäuble) dhe mbrojtës e përfaqësues i interesave nacionale. Konkurrenca përmes tregjeve të sakatuara, ashtu si edhe nga fuqia e rikthyer blerëse nuk është dobësuar, por madje është forcuar. Nuk ka një shtet-komb europian ashtu si nuk ka as një Kapital europian.

4. Debati në lidhje me politikën e “Bankës Qendrore Evropiane” është një shembull se sa shumë konkurrenca e fortë ka minuar projektin “Bashkimit Evropian”. Gjatë procesit të thyerjeve të brendshme në vendet ku është zhvendosur kapitali i korporatave të fuqishme dhe gjatë shpërfaqjes së shenjave të dështimit të ofensivës së eksportit gjerman në drejtim të Kinës dhe Amerikës Latine, kriza në Europë vetëm sa do të forcohet. Në fund fare, Berlini, në një farë kuptimi, do të tentojë që mos ta zotërojë vetëm Europën në mënyrë indirekte. Në stilin e sforcuar dhe në ngjitje si Beogradi, që kishte vepruar brenda Jugosllavisë, Berlini do ta provojë që zotërimin indirekt ta zëvendësojë me atë direkt. Kjo sjellje e Berlinit do ta përshpejtojë fundin jo vetëm të Njësisë së Europës, por do ta shkatërrojë edhe krijesën e BE-së në stilin alla Jugosllavi.

5. Që tani Europa është një grumbull shtetesh nacionale lara-lara me interesa nga më kundërthënëset dhe me pikëpamje politike krejt të ndryshme. Në fundin e Jugosllavisë, disa nga Republikat e saj orientoheshin fare hapur nga Rusia, një pjesë tjetër nga Uashingtoni dhe Berlini. Megjithatë historia nuk përsëritet asnjëherë njësoj. Por ajo lejon që të krijojmë një farë bilanci: Hungaria, Serbia e në një masë të madhe edhe Bullgaria po orientohen hapur kah Rusisë. Fuqitë e tjera speciale të orientimit të djathtë nga Franca deri te Gjermania po i shmangen orientimit të tyre tradicional që kishin – SHBA-ve, duke u distancuar gjithnjë e më shumë, duke iu përafruar qartë Rusisë (Ministri i jashtëm gjerman Shtajnmajer qëndron në mes) pa vënë re miqësinë e Polonisë, shteteve baltike dhe natyrisht edhe të Ukrainës ashtu si edhe atë të Britanisë së Madhe me SHBA-të, që po provojnë të mbesin tutje në sferën e strategjisë së SHBA-ve. Të gjithë kësaj kur t’i shtohen edhe skenarët lidhur me krizën ekonomike, gjithsesi do të shpjerë drejt rënies së Bashkësisë Europiane. Partia e Lirisë – FPÖ (liberalët austriakë) ka gjasa të mira që t’i fitojë zgjedhjet pasuese presidenciale. FPÖ është e orientuar qartë kah Moskës, Budapestit dhe Beogradit. Një pjesë e kapitalit gjerman gjithashtu është pozicionuar qartë kundër politikave sanksionuese ndaj Rusisë.

6. Po materializohet ndjeshëm teza e Leninit se “Shtetet e Bashkuara të Europës si koncept, ose është i pamundur të realizohet, ose është si i tillë reaksionar”. Përplasjet mes disa prej shteteve-kombe kapitaliste janë thjesht tepër të mëdha. Evropa do të përfundojë ashtu siç pati përfunduar ish Jugosllavia. Mbetet vetëm të shpresojmë që mos të përsëriten masakrat.

7. Për këtë arsye është tepër e domosdoshme që të luftohen të gjitha qeveritë reaksionare, nacionaliste në Europë. Kjo betejë do të duhej të shtrihej edhe në lëmin e ekonomisë, kështu që në vend që të mbajmë në jetë një ekonomi neoliberale me tendenca të rrëshqitjes drejt mjerimit kapitalist, të zhvillojmë një ekonomi të solidaritetit. Gjithashtu është tepër e nevojshme që të pranohet e drejta e vetëvendosjes për disa popuj si akt i vullnetit demokratik. Është e pamundur dhe e paqëndrueshme që t’ju mohohet kjo e drejtë (e drejta për vetëvendosje) baskëve, skocezëve, katalanasve, por edhe shqiptarëve. Vetëm përmes pranimit të së drejtës për vetëvendosje, por njëkohësisht edhe qëndrimit parimor dhe mbajtjes lart të flamurit të internacionalizmit, mund të ketë në Europë me një të ardhme pozitive.

8. Një të ardhme pozitive megjithatë nuk do ta kemi brenda kornizave të dekompozimit të produktit të “Bashkësisë Europiane”. Projekti kapitalist i BE-së duhet vërtetë të zëvendësohet përmes një projekti internacional. Nëse kjo nuk do të ndodhë, atëherë faktorë dominues në skenën europiane do të jenë sivëllezërit modernë të sojit të Milosheviçit dhe Tuxhmanit.

Përktheu: Sadri Ramabaja

4 komente në “A do të përfundojë BE-ja si Jugosllavia?”

  1. Princi (Belgjikë) says:

    Një “analizë” plotësisht e njëjtë me ato që bëheshin në vitet 70-80 të shekullit të kaluar në gazetën e PPSH-së “Zëri i popullit”. Pseudo-argumentet e tij autori i gjen dhe i mbështet tek Vladimir Iliç Lenini i Rusisë “çlirimtare të popujve” dhe tek internacionalizmi proletar.Europa e Bashkuar është një realitet i vullnetshëm i popujve dhe vendeve europianë, Jugosllavia ishte krijesë artificiale e kombinimeve dhe ekuilibrave politikë e gjeostrategjikë, diçka që ju imponua popujve të saj.

    1. ari says:

      right 100% M Princi

      1. neda says:

        Apsolutisht nuk ka asnje lidhje ndermjet ish jugosllavise artificiale dhe Bashkimit moderrn Euroipian, qe do te jete qendra me e rendesishme e botes ne te ardhem. Analiza eshte bere mbi teorine bolshevike te VI Leninit, mbi utopine marksiste. Finalizimi Europes ne Shtete te bashkuara te Europes tashme eshte nje realitet,nje ceshtje kohe. Ne se Gjermania sote investon ne vende me kosto te ulet te fuqise punetore kjo eshte krejte normale ne kapitalizem dhe e nevojshme per zhvillim e konkurim. Europa nuk mund te djeg etapat,ajo do kaloje natyrshem drejte nje shteti federal,pa qene aspak e nevojshme qe te jete nje shtet kombe.Modelet per shtete te bashkuara jane gati dhe bota ka te tille, mjafton ti studiosh dhe aplokosh pa gabime.Dalja e Anglise nga Unioni i bene me mire Europes se sa deme. Konkurenca sote e ne te ardhmen nuk mund te fitohet nga shtete te vecuara e te vogla pa tregje e politika unike e te bashkuara.

  2. Olimpia says:

    Ti Princi nga Belgjika nuk je në gjëndje të kuptosh këtë analizë .Në kēto pozita sot , me diferenca të vogla
    janë Sanders në ShBA duke ndikuar edhe tek Klinton, Corby në Britaninë e Madhe, Podemos në Spanjë ,5 yjet dhe një pjesë e të majtēs italiane , Syriza në Greqi ,e majta çeke , sllovake,kroate, një pjesë e SDgjermane dhe Linke,…Ndërsa e djathta populiste polake dhe franceze , më shumë se aspektin nacional , po synon aspektin social.Nuk duhet harruar angazhimi total i Papës drejt doktrinës sociale të kishës, forcat e mëdha të të majtës në Amerikën Latine….I nderuar Princ , aspirata për një shoqëri solidare , më të drejtë nuk mund të shuhet kurrë , sepse kjo është gjëja më njerēzore , që çon pērpara drejt përsosjes shoqërinë njerēzore., në të kundërt pabarazia e theksuar dhe varfëria çojnë në shpërthime të rrezikëshme për të gjithë , të pasur, të mesëm apo të varfër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje