Atë natë u zgjova me trupin që më digjej. Kisha rënë vonë një natë më parë, por nuk më flihej. Në gusht mbrëmjet janë të nxehta, e për t’i bërë bisht kësaj mbështeta kurrizin në murin e ftohtë dhe iu dorëzova ritualit tim të përvitshëm.
Është përvjetori i ndarjes nga jeta i tim eti. Ashtu përtueshëm, ndeza një cigare me trupin e pafuqishëm të lëshuar në krevat, tërhoqa nga komodina telefonin për të marrë të vetmin person që priste telefonatën time atë natë.
-“Më prit se erdha”, më tha ajo pa thënë unë asnjë fjalë.
-“Po ta lë derën hapur”, ia mbylla unë.
Thonë se njerëzit vdesin dy herë, njëherë kur lënë frymën e fundit dhe një herë tjetër kur personi i fundit harron emrin tonë. Kur im atë vdiq, doja të shpërngulesha në një shtëpi tjetër, jo shumë larg nënës time, por pa i dhënë arsye askujt.
Alivanosesha kur shihja çdo mëngjes fytyrat e komshinjve të pikëlluara për “fatin tim të keq”, t’i jepja secilit përgjigje nëse isha mirë apo jo, a mbahej nëna ime apo jo?
Më vinte t’i përgjigjesha, “Po zotëri, po, jam shumë keq, ik mos më rruaj trapin tani”. Më pështirosej ky interes për problemet e mia, a thua se nuk i dilnin të tyret.
Më dhimbsej ime më, ajo ishte shumë e re dhe e bukur kur vdiq babai im. Në fakt unë e doja shumë atë, ndërsa e urreja tim atë! Ajo ishte aq e bukur sa ndonjëherë pyesja veten, si ka mundësi që një djalë aq i shëmtuar sa ai, të ketë fituar zemrën e saj.
Para asaj më dukeshin të gjithë të shëmtuar. Tani që e mendojë, më vjen të qesh kur kujtojë se, ajo gjithmonë e cilësonte babain tim si një nga meshkujt më simpatik të qytetit.
Në fakt, siç edhe më lart e theksova, unë e urreja tim atë, jo vetëm se nuk më dukej në lartësinë e nënës, por edhe se ai ishte shumë kërkues, ndoshta më kërkues sesa duhej. Për të, gjithmonë çdo gjë që bëja nuk ishte mjaftueshëm.
Shpeshherë më qortonte se nuk isha mjaftueshëm inteligjent, nuk isha shumë punëtor, s’dija të luaja futboll, nuk kisha shije as për të dashurat. Nëse do merrte pjesë në ndonjë nga ato të paktat herët që bëja seks, padyshim do më qortonte se dhe atë nuk dija ta bëja mirë.
Njëherë u ktheva në shtëpi, kisha fituar medaljen e kampionatit të futbollit për shkollat e mesme në rang vendi, ai ftohtë si gjithmonë më tha: “Besoj se nuk e ke fituar vetëm, ka qenë meritë edhe e shokëve të skuadrës”.
Pas asaj fjalie u mbylla në dhomë, e qava deri sa u gdhi e nesërmja.
Tani që e mendoj, unë gjithmonë konkurroja tim atë për t’i treguar atij sa më vlente lëkura. Gjithmonë e kisha kundërshtar, edhe për mamanë time.
Madje shpesh herë i kërkoja asaj të mos qeshte me batutat e tij të holla. Të gjitha këto mu kujtuan ditën kur vdiq, fill në funeralin e tij dhe gjithmonë më rikthehen gjatë ditëve të nxehta të gushtit.
“Me sa shoh nuk të paska ardhur buzëqeshja akoma”, më foli ajo nga dera e dhomës.
Aty nuk u përmbajta dot, u derdha në lot. A thua se prita Borën të më shikonte sesa i dëshpëruar isha. Në fakt dikujt doja t’ia tregoja, se sa i dëshpëruar isha, e kisha të pamundur ta mbaja i vetëm atë peshë të rëndë në stomak. Ah, unë e urreja babain tim. E pse u desh që të vdiste ai aq shpejt?
Bora, një prostitutë e cila punonte në një nga lokalet e natës së kryeqytetit, ishte shoqja ime më e mirë, me të flisja për gjithçka. Nuk druhesha se do të më përqeshte pas krahëve për ato që i tregoja, ndërsa unë isha klienti i saj i preferuar.
Ajo tallej kur më thoshte se më shpesh e paguaja të flisja sesa të bëja seks me të. Unë isha i preferuari i të gjithë kurvave të zonës. Në të vërtetë nuk mbaj mend të kem pasur marrëdhënie të rregullta me ndonjë femër, as nuk kam dashuruar ndonjëherë, madje dashuria në vetvete më dukej humbje kohe.
Me kurvat nuk impenjohesh, nuk je i detyruar t’i dashurosh, nuk ndjehesh i tradhëtuar prej tyre, i paguan të bësh biseda dhe nga eksperienca, kam mësuar se janë dëgjuese të mira.
E kujt tjetër veç Borës mund t’i thoja se vdekja e babit tim, ja ndryshoi fytyrat gjithë banorëve të lagjes. Të gjithë, pa përjashtim.
Pas humbjes së babait, nëna nuk kishte të ardhura të tjera për të mbajtur mua dhe veten. Madje edhe disa muaj më vonë, hëngrëm nga ato pak lekë që ishin mbledhur pas xhenazes së tim eti.
Të vetmen pasuri që kishim ishte makina dhe librat e bibliotekës së tij, të cilën dhe atë u detyruam t’i shisnim. Ime më ishte shumë krenare, nuk i shtrinte dorën askujt.
Një ditë teksa dola për në shkollë, u shtanga kur e gjeta në cepin përballë rrugës së shtëpisë tonë, kishte dalë të shiste librat e bibliotekës dhe disa artikuj kozmetik të rëndomta.
Mu duk sikur ai çast zgjati një shekull, por e mora veten shpejt, doja t’i thoja me shikimin tim se e admiroja veprimin e saj dhe se më kishte krahë sa herë të lipsej nevoja. Në fakt atë ditë nuk shkova në shkollë.
Nga ajo ditë mamaja gjithmonë kërkonte punë, një punë të vërtetë do të thoja. Pas disa kohësh nuk arriti të gjente punë tjetër vetëm se të pastronte shtëpitë e familjeve të kamura. Punë pa orar, e nganjeherë detyrohesha që të shisja dhe unë në anë të rrugës, e për këtë nuk u qajta asnjëherë.
Më dukej sikur e ndihmoja nënën timë dhe për të do të bëja gjithçka që qe e mundur. Më tepër më bezdisnin pyetjet tinëzare të burrave të lagjes: “Ku e ke nënën të ka lënë vetëm sot”, si për të nënkuptuar se përveç pastrimit, ime më ishte e dy punësuar e ndonjë burri të pasur për favore seksuale.
Në fakt buzëqeshja e tyre më vriste më shumë. Mua gjithmonë më pyesnin për të, ndërsa asaj i thonin: “Kujdes djalin, se është në moshë delikate, ruaje mos të bëhet shofer si i ati”. Birat e kurvave!
Me kalimin e kohës mamaja ime e humbi bukurinë e saj, lëkura ju rrudh edhe pse fytyra i ngeli qumësht e pastër. Ajo nuk ishte më e re, e kishte humbur shkëlqimin e saj. Flokët pis të zinjë iu zbardhën në kohë fare të shkurtër, por prapë unë e doja atë.
Me plakjen fizike të nënës time, morën fund dhe batutat e pavenda të burrave të lagjes, po kjo nuk e ndali tretjen e shpirtit të saj, ndërsa unë qëndroja e shikoja i pafuqishëm.
Ndërhyrjet e Borës ishin gjithmonë me vend dhe atë natë më tregoi një histori të këndëshme, të cilën m’u desh ta mbaja mend gjatë. Me siguri do e ketë dëgjuar nga ndonjë nga klientët e saj.
Ndryshe nga unë, na paskësh qenë një djalë shumë i lidhur me babain e tij, aq sa nuk e konceptonte dot ditën pa bërë të paktën disa biseda me të.
E njëherë djali kthehet shumë i trishtuar në shtëpi, babai i zgjuar pa e ngacmuar se çkishte ngjarë, i thotë: “Bir të kam lënë një letër në sirtar, por do e lexosh vetëm kur të kesh vërtetë nevojë”.
Djali me kalimin e viteve kalon shumë ngjarje që e trishtojnë, njëra pas tjetrës, por jo sa dita kur i vdiq i ati. I dërrmuar nga dhimbja niset drejt e tek sirtari i tij dhe tërheq letrën që qëndronte aty për një kohë të gjatë, tek shkruhej: “Mos u mërzit bir, edhe kjo do kalojë si gjithë të tjerat.”
Kurse unë, unë e urreja tim atë, e trupi më digjej nga malli për të. Vdekjen e mamasë time e lidh gjithmonë me ditën kur vdiq im atë. Këtë histori ia tregoj gjithmonë Borës.
Përballë nesh brenda një kornize të hollë, ngjyrë të kuqe, qëndron i zverdhur portreti bardh e zi i prindërve të mi. Bora ishte mikja ime më e mirë, ndërsa unë jam klienti i preferuar i prostitutave në këtë ditë të nxehtë gushti.
Shënim i autorit: Ky tregim është për të gjithë moshatarët e mi, që janë rritur në qytete të vogla mes varfërisë, të cilëve pavarësisht se nuk u mungon asnjë parametër, kuptohet përveç parasë, nuk arrijnë t’a gjejnë veten në mes të barabartëve, ashtu siç duhet të jenë në metropolin tonë.
Nuk di pse ti me ngjan me Jolesen e Forumit Rinor te PS.Pse ngaterron nenen,baben,me prostituta?Lerja ustallareve keto pune!
E ke nga komplexi Edipit.
Pse duhet ta shkruaje kete mor djale!!
Te lumte dora e le shkruar shume bukur!Me pelqen shume stili.MOS te vi keq ,nese nuk e kuptojne te gjithe.Eshte letrar,puno me shume ,per mbylljen..
Pres te lexoj vazhdimin.