Piloti italian që drejtonte avionin e rrëzuar dje në mëngjes në Ishëm të Durrësit ka pranuar lidhjen me trafikun e drogës, thanë burime të Policisë.
Sipas tyre, 69-vjeçari Guido Andrea Guidi ka pranuar se dje do të provonte pistën prej 1500 metrash të hapur me rul në fshatin Gotull.
Policia ka thënë se piloti italian, pas 20 ditësh ose një muaji, do të rikthehej për të marrë një ngarkesë prej 200 kilogramësh kanabis, shkruan sot “Panorama”.
Qëllimi i pilotit dje, sipas Policisë, ka qenë që të testonte mundësinë e uljes dhe ngritjes së avionit nga zona ku ndodhi ngjarja.
Por një dëshmi e tillë nuk është konfirmuar mbrëmë nga burimet zyrtare të Prokurorisë.
Burimet nga ky institucion thanë se “Nuk kemi dijeni për një dëshmi të tillë”.
Piloti Guido Andrea Guidi, sipas një vendimi të Gjykatës së Lartë në Itali, të dhënë më 23 tetor 2013, është akuzuar së bashku me shtetasin E. R. për korrupsion.
Ai i ka premtuar para një këshilltari teknik të Prokurorisë për të plotësuar një dokument fals konsulence. Guido Guidi Andrea, i lindur në Milano më 24 nëntor 1947, akuzohej se dha para për një aksident ajror në aeroportin Linate të Milanos.
Bëhet fjalë për ngjarjen e 1 qershorit 2003, ku ndodhi përplasja e një me avioni të kompanisë “EUROJET” me një depo industriale, ku vdiq piloti. Piloti Guidi, sipas akuzës, tentoi t’i jepte ryshfet personit që u caktua për kryerjen e ekspertimit në lidhje me aksidentin.