Ministria e Brendshme me godinë të re. 264 yje në Murin e Kujtesës

19 Shtator 2016, 12:27Kronika TEMA
Ministria e Brendshme me godinë të re. 264 yje në Murin e

Prej sot Ministria e Punëve të Brendshme do të ketë zyrtarisht godinë e re të saj. Në ceremoninë e përurimit Ministri Saimir Tahiri ndaloi tek situata e trashëguar, rrënimi i të cilës ishte arsyeja kryesore e këtij investimi. Deri para pak muajsh asnjë dorë nuk ndërhyu aty ku degradimi arrinte në tavan, e sot kritikë kronikë thonë se vendi ka të tjera halle.

Por sipas ministrit Tahiri argumenti është i gabuar. Jo se në Shqipëri nuk ka probleme, por ai buxhet për thuajse rindërtimin e Ministrisë së Punëve të Brendshme ishte për dinjitetin e shtetit, administratës, qytetarëve që presin shërbim prej saj.

Kjo fytyrë dinjitoze, në respekt të trashëgimisë kulturore, prej sot do të përfshijë dhe një memorial kushtuar policëve të rënë në detyrë. Sakrificën e përditshme e një punonjësi policie ministri Tahiri e përballi me akuzat e përditshme të ish-Kryeministrit Berisha (që rëndom në rrjete sociale i quan “çunat e krimit”) apo pararendësit të tij Noka (që i cilëson “bandat me uniformë të Tahirit”).

Sot në Itali në një operacion antidrogë u kapën mjetet e transportit të narkotikëve dhe jo autorët. Por askush nga opozita italiane nuk do akuzojë ministrin e Brendshëm italian si bashkëpunëtor me narkotrafikun. Ndaj për 11 mijë punonjës të Policisë së Shtetit  mesazhi im është të vijoni betejën, sepse akuzat e baltës së përditshme janë thjesht politikë”, tha Tahiri.

Ministri përshëndeti përfaqësues të medias dhe artit që u bënë pjesë e ndërgjegjësimit për vendosjen e rripit të sigurimit, duke i falënderuar për shembullin e respektit të ligjit si çështje kontributi ndaj vetes, fëmijëve, dhe shtetit që duam të ndërtojmë. Por nuk la pa i rikujtuar Kryeministrit Rama kërkesën për rritje të pagave për punonjësit e Policisë, të cilët sot shërbejnë më shumë e besohen më shumë nga qytetarët.

Në fjalën e tij Kryeministri Rama e cilësoi godinën e MPB simbol të një ndarjeje përfundimtare nga koha e gjatë e një rrënimi të gjithanshëm ku Policia e Shtetit ishte shëmbëlltyra më kuptimplotë, pasqyra e parë ku reflektohej shteti në sytë e qytetarëve dhe vizitorëve, një gërmadhë e ngjashme me një kështjellë të pushtuar e braktisur ku suvaja ishte e rënë si vetë imazhi i Policisë. Sot godina ka ruajtur detyrimin ligjor të ruajtjes së identitetin (me ekspertë të Trashëgimisë Kulturore) por dhe ka zgjeruar hapësirën funksionale për punonjësit e saj.

Rama  veçoi punonjësin e Policisë rënë gjatë aksionit në Tarovicë të Shkodrës pak ditë më parë, një prej 264 yjeve vendosur në memorialin në nder të policëve rënë në krye të detyrës. Rilindje e Policisë sipas Ramës nuk është vetëm investimi në Komisariate, mbështetje financiare, logjistike e teknologjike punonjësve të Policisë. Por dhe mbështetje familjarëve të tyre. Pasi më keq se krimi është vetmia që lind nga mungesa e mbështetjes apo e vëmendjes për të dëgjuar.

“Këtë frazë nga Milan Kundera ia kushtoj sot PD” tha Rama.

“Lereni policinë të bëjë detyrën, t’i shërbejë vendit dhe njerëzve. Meqënëse nuk keni asnjë ide e sugjerim për të ndihmuar, minimalisht heshtni. Sepse rezultatet e Policisë së Shtetit janë në sytë e të gjithëve, siç nuk kanë qenë kurrë më parë”, u shpreh Kryeministri. 

1 komente në “Ministria e Brendshme me godinë të re. 264 yje në Murin e Kujtesës”

  1. Faro says:

    Ne nje dite 2 lajme qe tregojne dukshem forcimin e shtetit:
    1- Ministria e re me standarde te papara deri me sot tek ne
    2- 264 yjet e policeve te rene, per te cilet nuk ishte kujtuar asnje qeverri.
    Ju lumte!

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje