PD e humbi edhe një shans me plehrat

29 Shtator 2016, 18:19Politika TEMA

Nga Andi Bushati

Partia Demokratike ka humbur një tjetër shanc në parlamet për të sinkronizuar interesin e saj me atë të publikut.

Të gjithë ata demokratë reformatorë, apo ata qytetarë të çoroditur në kërkim të një fije të vogël shprese, që u ngazëllyen sadopak nga falja e mefshtë që kërkoi Lulzim Basha, janë ndjerë të zhgënjyer.

Nëse kryetari i PD-së paranoi gabimin e vitit 2011, kur qeveria Berisha i hapi rrugë importit masiv të plehrave në Shqipëri, nëse ai ngjalli një rreze të vogël besimi se mund të shohë me sy kritik nga e shkuara, çudia zgjati fare pak.

Besimndezurit kanë marrë një dush me ujë të ftohtë kur kanë parë gjëmimin proliks të Sali Berishës në sallën e kuvendit.

Të gjithë ata e kanë vështirë ti përgjigjen një pyetje të thjeshtë: pse edhe sot në kuvend, rolin e korifeut, PD-ja ia besoi Sali Berishës, njeriut të zhytur deri në fyt në aferën e plahrave? A nuk kishte ajo një figurë më të re dhe më ta papërlyer që të mishëronte linjën e ndjesës së kryetarit dhe jo atë të pandjeshmërisë së liderit?

Qoftë po të donte edhe duke gënjyer, qoftë po të donte edhe vetëm taktikisht,  opozita mund të kishte folur në parlament me gojën e një njeriu të pastër, me atë të një deputeti të ri, që nuk kish ngritur kartonin në vitin 2011, me atë të një të zgjedhuri që nuk ishte pjesë e mëkatit. Ajo mund të qe prezantuar me një figurë që nuk simbolizonte historinë e kësaj partie që është tallur me importin e plehrave më keq se Edi Rama, duke e kundërshtuar fort në opozitë (2004-ën) dhe duke i shqyer dyert kur u rikthye në pushtet, 7 vite më pas.

Por, asgjë e tillë nuk ndodhi.

PD-ja humbi një tjetër rast duke vërtetuar, fatkeqësisht, se nuk ka propozim alternativ përpos Berishës, se ai është edhe shiu edhe dielli, edhe e mira edhe e keqja, edhe pushtetari edhe opozitari edhe plehraxhiu edhe pastruesi.

Edhe kësaj here për tu përleshur me një Edi Ramë të përdhosur, të dërrmuar nga gënjeshtrat e veta, të shndërruar në lolo nga piruetat e panumërta, të vulosur si hajdut nga etiketimet që kishte bërë vetë, doli prapë ai, i njëjti, i pavdekshmi, i vetmi.

Natyrisht të gjithë që kanë ndjekur parlamentin e kanë pasur të lehtë të kuptojnë se nuk kishte kamardare më të madhe shpëtimi, për kryeministrin e kapur në flagrancë, sesa ti nxirrje përpara Berishën. Në vend që të përgjigjej për mashtrimet e veta, për talljen me votuesit, për përqeshjen e vendimin e parë të qeverisë rilindase, për Ramën qe një luks që të ballafaqohej me kundërshtarin e plakur nga mëkatet, me atë që kish lënë malin e plehrave në Elbasan dhe që i kishte hapur me firmën e tij rrugën e djegjes dhe groposjes së tyre në këtë vend.

Por, këtu problemi nuk është tek ata që parlamentin e shohin nga ekrani. As tek militantët mjedisorë apo qytetarët e thjeshtë që i tremben sëmundjeve që kërcënojnë jetën e fëmijëve të tyre.

Ata i njohin mirë fajtorët.

Prandaj, të gjithë pezmin e tyre prej të papërfaqsuarish ata e kanë treguar duke shkruar emarat e deputetëve mbi kazanët e plehrave, të gjithë imagjinatën e tyre ata e kanë shprehur me postrat satirikë në instagram, të gjithë mllefin e tyre e kanë derdhur me statuse në Facebook.

Ndoshta edhe zemërimin e tyre do të dinë ta derdhin në protesta, të zhgënjyer dhe të lodhur nga kjo kastë politikanësh, që në pushtet janë aleatë me plehrat, me interesat e mafies dhe me zarfat që shpërndan ajo, ndërsa kur kthehen në opozitë bëjnë të penduarin.

Këtu problemi është tek PD-ja që edhe pasi ka zbritur nga kali spo di të luajë as rolin e të penduarit.

Edhe në këtë debat, kur e pati në dorë dhe gurin dhe arën, pasi Basha guxoi të shfaqte shenja reflektimi dhe dha sinjale se më ne fund po e kuptonte dënimin plebishitar që i bënë shqiptarët tre vite më parë, PD u njësua sërish me imazhin e Berishës.

Duke humbur kështu një shanc të rrallë për veten .

Por, mbi të gjitha duke i dhënë mundësinë Edi Ramës, të na predikojë ne, pas dhjetra e dhjetra mashrtimesh, se megjithëatë, ka edhe më keq se ai. (Lapsi.al)

6 komente në “PD e humbi edhe një shans me plehrat”

  1. timo says:

    Unë,o Bushat nuk shoh ndonjë shans të humbur apo të fituar nga PD sepse ndjesa e Bashës ka të njëjtën “peshë specifike” me atë të Berishës. Kap njërin përplas mbas tjetrit. Aty jemi. A q më tepër që ajo që bëri sot Berisha tregoi që dje Basha kishte marë lejën e tij . Kështu që e diskreditoi më keq Bashën që dje u duk si nismëtar i ndjesës. Përfundimisht Basha nuk guxon të bëjë ndryshe nga ç’mendon Berishe. Të dy janë karta të djegura.

  2. corape kuqi says:

    Bravo andi. Respekt qytetarie si gjithmone.
    Do te kafshojne keta qenerit komentues. Do te dhembe po duhet te durosh. Pune qensh. Nuk e dallojne mikun nga armiku.

  3. andromeda says:

    Çudi me Bushatin që po mallkon Berishën! Thua ta ketë kuptuar më në fund se ky malok i shpifur është një gangster politik? Ndërsa, sa për Ramën, i vijnë anash të gjithë politikanët e analistët për zgjuarsinë natyrale që i ka falë natyra, për elokuencën në shtjellimin e mendimeve dhe humorin fin e brilant me të cilën shigjeton kundërshtarët. Një mijë herë më mirë me Ramën, edhe pse detyrohet shesh të na gënjejë, se sa me çdo lloj politikani satrap e injorant të tipit, Basha, Noka, Ristani, e Topalli. Me Ramën triumfon qytetaria ndaj injorancës malësore.

  4. Spartaku says:

    O Andi Bushati! Te plast koka,si nuk nxure njehere ment.Ti dhe orangutangu Shkullaqu i bini fyellit ne nje vrim.Eshte e kuptueshme,qe ti kerkon ti besh yzmet paras qe mer,por kjo nuk eshte e gjitha.Do ishte me mire qe te tregohesh pak i drejte.Edi Rama po punon mire,dhe nuk eshte ashtu siç thua ti me ato qindra eptete qe i ve.Ato epitete i takojne kryekriminelit Sali Berishe dhe Bashes.

  5. reforma e plehrave nga plehrat says:

    PD po te kishte votuar kunder plehrave sot do kishte gjithe shqiperine ne kembe dhe jo si perkrahese e PD se sa kundershtare e mafjes ekonomike drejtuar nga EDSCOBAR rAMA.

    POR pd ESHTE djalli vete. Kjo perberje maloke bandite gjithmone ska punuar ne interes te kombit.

    =
    bushati aty e ka fjalen..o te trashe….

  6. berti says:

    Se ku e ka fjalen Bushati e dime ne , kemi qe ne ’97 qe e dime se kush eshte ujku e kush eshte delja. Problemi eshte qe si ta zgjidhim qe t’i biem ujkut. Bushati and co ben mire qe vazhdon e na e shpjegon po nuk eshte kjo zgjidhja . Nese Bushati and co. i dhimbset ky vend njesoj si cdo qytetari qe ka lind e do te vdes ketu duhet minimumi te tregoje ata pese burra qe mund te marrin persiper ta normalizoje kete vend. Ne te kunderten Bushati mer vec paret per te jetuar por nuk po ben ndonje gje per te cilen mund te jete krenar ndaj atyre qe do leri ketu. Mbase duket cudi po une besoj se ka shqiptar qe duan dhe jane krenar per gjera te mira dhe jo krenar vetem se jane te pasur e hajdut. Dua te them Bushat nese nuk ta ndien te na tregosh si zgjidhet boll se na lodhet.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje