INTERVISTA/ Olta Xhaçka sulmon Ben Blushin: Është shumë kollaj për të sharë. Ekstremizmi kudo është i gabuar…

10 Tetor 2016, 10:30Politika TEMA

Anëtarja e kryesisë së Partisë Socialiste, Olta Xhaçka, sqaron nenin e ri të Kodit të Etikës të Asamblesë Parlamentare, i cili nuk lejon bashkëshortët si anëtarë të saj.

Njëherësh anëtarja e kryesisë së PS i jep përgjigje dhe akuzave të Ben Blushit për Rilindjen. Sipas saj, gjithmonë ka vend për përmirësime, por jo për qëndrime ekstreme. Ajo shprehet se qeveria ka nisur reforma të vështira, të cilat kanë pasur edhe pasojat e tyre, por në përfundim të këtij mandati po shkohet me një bilanc pozitiv thotë Xhaçka për “Panorama”.

Kodi i ri i Etikës në PS, në nenin 9 flet për papajtueshmëri të lidhjeve familjare në drejtim e përfaqësim, ku nuk lejohen dy bashkëshortë të jenë anëtarë të Asamblesë Kombëtare. Ju dhe zoti Gaçi, e gjeni veten në shkelje të këtij neni sipas pikës 1 të tij? Nëse ju prekeni nga kjo pikë e nenit 9 të Kodit të Etikës, ju dhe zoti Gaçi do ta zgjidhni me dorëheqje këtë ngërç?

Të falënderoj për pyetjen. Kam parë shumë keqinterpretime të këtij neni nëpër gazeta e portale të nesërmen e Asamblesë Kombëtare. Unë dhe Artani jemi anëtarë ex-officio të Asamblesë Kombëtare, si pasojë e të qenët deputetë të Partisë Socialiste.

Kodi i Etikës tenton të rregullojë disa marrëdhënie etiko-morale për ta bërë sa më të drejtë vendimmarrjen e këtij forumi dhe nuk është as rregullore, as kod etike për veprimtarinë e deputetit. Deputetët dhe veprimtaria e tyre rregullohen nga kodi i tyre, jo ai i Asamblesë Kombëtare të PS-së.

Ndaj edhe kuptimi se ky kod etik i Asamblesë Kombëtare rrezikon mandatin e deputetit të njërit prej nesh është një keqkuptim i madh, pasi pika 3 e nenit, e cila citohet në këtë rast, nuk është për deputetët, por për papajtueshmërinë e mandatit të kryetarit të PS-së në bashki apo komunë me funksione të tjera politike, të zgjedhura apo të emëruara në parti.

Si i vlerësoni kritikat e Blushit për Rilindjen?

Gjithmonë ka vend për përmirësim, por për të sharë është shumë kollaj. Gjykoj që çdo ekstremizëm është i gabuar, qoftë të shohësh çdo gjë zi, qoftë të shohësh çdo gjë rozë. Qeveria ka nisur reforma të vështira, të cilat kanë pasur edhe pasojat e tyre, por unë jam konfidente se po hyjmë në një vit të ri zgjedhor me një bilanc pozitiv.

Jeni kryetare e Forumit të Gruas Socialiste dhe drejtoreshë e fondacionit “Qemal Stafa”. Çfarë po ndodh me Forumin e Gruas dhe Akademinë Politike, me të cilën ju kemi parë të merreni?

Si kryetare e Forumit të Gruas kam pasur detyrimin bashkë me kolege të tjera deputete të propozoj ndryshimet ligjore për garantimin e përfaqësimit të barabartë gjinor në zgjedhjet e ardhshme parlamentare të vitit 2017, si një e drejtë që u takon grave dhe vajzave në këtë 70-vjetor të votës së tyre. Kam bindjen se kontributi i grave në jetën politike të vendit duhet të shikohet jo vetëm si një e drejtë, por edhe si një nevojë e shoqërisë për kontributin e tyre.

 

Riorganizimi në Forumin e Gruas synon zgjedhjen e të gjitha kryetareve dhe koordinatoreve sipas parimit “1 anëtar, 1 votë”.

Gara për kryetaret e forumit në bashki me listat e përditësuara me anëtarësi të re në PS, jo vetëm do t’i fuqizojë e japë më shumë legjitimitet kryetareve që do të zgjidhen, por do të evidentojë edhe ato gra dhe vajza me talent e vokacion politik për të qenë përfaqësueset tona në zgjedhjet e ardhshme parlamentare në të gjithë vendin.

Për momentin po shkojmë në çdo bashki për t’u siguruar që ky proces fuqizimi i forumit të organizohet në mënyrën më të mirë të mundshme.

Jam e vetëdijshme se na duhet një koncept i ri, një organizim i ri në mënyrën tonë të të vepruarit si një kusht që gratë dhe vajzat të na shohin si zërin e tyre. Ne vetë jemi të vetëdijshme për nevojën për të mbrojtur interesat tona e për të fituar respektin e komuniteteve tona.

Vetëm kështu mund t’u imponohemi respektit të publikut dhe politikës në tërësi që e quan krejt të parakohshme këtë barazi potenciale përfaqësimi, duke e konsideruar diskriminimin pozitiv 50%, një dhuratë, një lëshim, ose më keq akoma, statistikë…

Po në Akademinë Politike, duket se të gjitha partitë po i kushtojnë vëmendje trajnimit të të rinjve të forumeve të tyre…?

Ndërsa Akademia Politike ka filluar me mbështetjen e “Olaf Palme Center” dhe shumë bashkëpunëtorëve të tjerë.

Është një shkollë politike intensive 1-vjeçare, që synon të trajnojë 500 studentë në harkun e 3 viteve, me qëllim aftësimin dhe përgatitjen e brezit të ri të politikanëve dhe aktivistëve të Partisë Socialiste.

Jemi të gjithë të angazhuar maksimalisht që akademia të jetë një eksperiencë e paharruar, por mbi të gjitha një eksperiencë e vlefshme për të gjithë ata që përzgjidhen të marrin pjesë në të.

Studentët angazhohen në module intensive teorie dhe debati politik, një program që synon t’u japë gjithë mjetet e nevojshme për të qenë politikanë e aktivistë të suksesshëm dhe që synon t’u zhvillojë atyre aftësitë për të trajtuar në mënyrë aktive çështje që kanë interes publik për komunitetin ku ata jetojnë e për vendin në përgjithësi.

Përmes pedagogësh e lektorësh vendës e të huaj, studentët trajnohen mbi komunikimin politik, ideologjitë politike, hartimin e politikave publike, debatin parlamentar etj. Di t’ju them që kemi një program shumë interesant dhe studentët kanë shumë për të përfituar prej tij.

 

2 komente në “INTERVISTA/ Olta Xhaçka sulmon Ben Blushin: Është shumë kollaj për të sharë. Ekstremizmi kudo është i gabuar…”

  1. ben says:

    Motra e ben shume mire
    Edhe ajo e doganave para se te deklaronte se do behej deputete sulmoi nje here blushin pastaj beri kerkesen.
    E keni si kusht per parakualifikim ju kete.

  2. Briklona says:

    Olta Xhacka eshte , po ta krahasosh me secilen nga deputetet e pd, eshte si nata me diten.
    Ato flasin te gjitha si rrugace, ndersa Olta eshte e qete dhe e sakte ne ato qe thote.
    E cfare thote per Benin qe filloi te ece vete dhe s’ka as gjysherit qe ta ndihmojne?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje