Smartfonët sot janë pjesë e pandashme e jetëve tona, aq sa shpesh duket se është teknologjia ajo që na kontrolln ne dhe jo e anasjellta.
Megjithatë, çfarë fshihet pas shkëlqimit të ekraneve dhe procesorëve të fuqishëm? Cila është rruga që këto pajisje ndjekin, gjersa mbërrijnë në duart tona?
Kobalti është një nga elementët kimikë më të kërkuar ditët e sotme, për shkak të përdorimit të gjerë të tij tek pajisjet e ndryshme elektronike, e eçanërisht në bateritë e tyre. Sasia më e madhe e tij, gjendet në Republikën Demokratike të Kongos. Por, për nxjerrjen e këtij elementi shpesh shfrytëzohet puna e fëmijëve, të cilët rrezikojnë jetët në miniera pa asnjë kusht sigurie.
Për më tepër, këto miniera në pjesën më të madhe kontrollohen nga grupe rebelësh të armatosur dhe jo nga qeveritë përkatëse apo nga kompanitë e mëdha teknologjike.
Sipas “Amnesty International,” jo rrallë në këto miniera gjen edhe fëmijë të moshës 5-vjeçare, të cilët rrezikojnë jetët e tyre për nxjerrjen e kobaltit. Raporti i “AI” thotë gjithashtu se shumica e këtyre minierave janë në pronësi të kompanisë “Huayou Cobalt,” e cila furnizon kompani të njohura si Apple, Microsoft, etj.
Më tej, për ndërtimin e pajisjeve elektronike, pjesa më e madhe e kompanive kanë ngritur fabrika në vende si Kina, për të shfrytëzuar krahun e lirë të punës. Në këto fabrika, jo rrallë punëtorëve iu duhet të punojnë rreth 12-15 orë në ditë, në kushte të vështira, të cilat iu rrezikojnë shëndetin, ndërsa sigurimet shëndetësore rrallë mbulohen plotësisht prej punëdhënësve të tyre.
Ndaj, smartfoni që mund të jeni duke mbajtur në duar, ka një çmim tejet të lirë në etiketë, krahasuar me atë çfarë ka kushtuar për prodhimin e tij.