Sporti ishte pikënisja e përplasjeve ndërmjet Kosovës dhe Shqipërisë, të cilat më pas morën hov duke arritur deri në institucionet më të larta. Analistët thonë se këto përplasje në mes të shqiptarëve ishin të panevojshme. Ata konsiderojnë se Kosova duhet ta vazhdojë rrugën e nisur, si e pavarur dhe shtet në vete, me një skuadër sa më të fortë përfaqësuese. Por, ka edhe të atillë që insistojnë në Bashkim Kombëtar dhe përfaqësim të shqiptarëve vetëm me një Kombëtare. Ata thonë se shqiptarët nuk do të jenë kurrë të fortë e konkurrues për aq kohë sa sportistët u ndahen – disa andej, disa këndej.
Përplasjet Kosovë – Shqipëri në muajin tetor kanë qenë të pranishme më shumë se kurrë më parë. Duke u nisur nga analistët për të vazhduar madje deri tek krerët e shtetit, pati një “shkëndijë” që u ndez, por që në ditët e fundit filloi të shuhej.
Gjithçka kishte nisur me zgjedhjen e disa futbollistëve kosovarë si Milot Rashica, Alban Meha e Herolind Shala, për t’iu bashkuar Përfaqësueses së Kosovës, duke hequr dorë përfundimisht nga Kombëtarja shqiptare. Ata u kritikuan ashpër nga shqiptarët e Shqipërisë, sa që analistët shkuan aq larg dhe e quajtën Rashicën edhe “tradhtar”. Nga ajo kohë nisi përçarja në rrjetet sociale, ku nuk munguan fyerjet këndej e andej kufirit, për t’u zgjeruar më pas përplasja edhe në instanca më të larta, aq sa në institucionet e Kosovës u tha se Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama nuk ka nevojë të flasë për Kosovën në takimin me Kryeministrin e Serbisë, Aleksander Vuçiç.
E kreu i Qeverisë shqiptare u përgjigj, duke thënë se për Kosovën mund të flasë kur të dojë, por jo edhe në emër të Kosovës. Ndërkohë, u zhvilluan debate në mes analistëve nga Tirana e Prishtina, ku qëndrimet e tyre ishin krejtësisht të kundërta. Në Shqipëri ngulnin këmbë se duhet pasur një Kombëtare të fortë të futbollit, ndërsa në Kosovës insistonin se Kosova është shtet në vete dhe duhet të mendojë vetëm për veten e saj, në mënyrë që të përfaqësohet sa më e fortë.
Sokoli: S’ka komb kosovar, do të bashkohemi në të ardhmen
Bylbyl Sokoli është njëri prej trajnerëve të paktë në Kosovë që e mbron tezën e bashkimit kombëtar dhe përfaqësimin e shqiptarëve në një Kombëtare. Trajneri i suksesshëm i futbollit këmbëngulë se kombi kosovar nuk ekziston, ndërkohë që shprehet optimist se në të ardhmen, Shqipëria dhe Kosova do të bashkohen, për ta krijuar një fuqi në Ballkan.
“Ishte një tendencë që të përçahen shqiptarët, nga disa dashakeqës. Por, pas trajtimit të kësaj çështjeje u pa se shqiptarët janë unikë dhe nuk lanë që të përçahen në mes vete. Jam i sigurt se pjesa dërrmuese mendojnë se shqiptarët janë Një. S’do të ketë kurrë komb kosovar, pasi nuk ka ekzistuar kurrë”, thotë Sokoli për “Zërin”. “Ne për momentin i kemi dy përfaqë- suese, por me tendencë dhe qëllim që në të ardhmen ta kemi një Qeveri, një shtet, një Kombëtare, një ligë të përbashkët, një ushtri etj., pasi jemi një popull. Jam i sigurt se e ardhmja e shqiptarëve, si në aspektin ekonomik, politik, gjeostrategjik, kulturor e sportiv do të jetë e përbashkët. Shqiptarët do të jenë faktor në rajon”, ka shtuar “Profa”.
Muhaxhiri: Sportistëve të Kosovës askush s’ka të drejtë t’iu mbajë ligjërata patriotike
Sociologu Artan Muhaxhiri iu ka dalë në mbrojtje futbollistëve nga Kosova, të cilët ishin bërë cak i sulmeve pasi kishin vendosur të largoheshin nga Kombëtarja shqiptare. Sipas tij, me njohjen e Kosovës ndërkombëtarisht, s’duhet gjykuar askush që vendos të luajë për vendin e prindërve të tij.
“Pranimi ndërkombëtar i shtetësisë së Kosovës i ka ndryshuar rrënjësisht rrethanat për sportistët kosovarë. Kjo dikujt i konvenon, e dikujt tjetër jo. Vendimi i lojtarëve se për cilin shtet do të luajnë është i padiskutueshëm. Askush s’ka të drejtë t’iu mbajë ligjërata patriotike me qëllim që t’iu ndryshojë mendjen. Karriera e tyre, vendimi i tyre”, thotë Muhaxhiri për gazetën.
“Akuzat që vijnë nga Shqipëria ndaj futbollistëve kosovarë të cilët dëshirojnë të luajnë për shtetin e Kosovës burojnë vetëm e vetëm nga frika e dobësimit të kombëtares, gjë që me siguri do të ndodhë nëse ky trend fuqizohet. Fajin e ka Federata Shqiptare e Futbollit, e cila në vend se të punojë më shumë për rritjen e bazës me anë të zhvillimit të kualitetit në ligat e saj, duket se me rehati ka llogaritur sall në angazhimin e lojtarëve kosovarë nga diaspora”, nënvizoi ai.
Muhaxhiri njëkohësisht ka folur edhe për përplasjet e fundit Kosovë – Shqipëri, të cilat thotë ai, individë të caktuar i kanë shfrytëzuar për t’u faktorizuar përmes ofendimeve ndaj njëri tjetrit. “Agresiviteti konfliktual në debatet mediale mes Kosovës dhe Shqipërisë ka shpërthyer në mënyrë të pazakonshme, mirëpo nuk duhet të konsiderohet si naiv. Ai i ka bërë publike tensionet ekzistuese mes një pjese të mediave dhe publicistëve të të dyja vendeve. Problemi kryesor me këto debate është se ato anojnë nga qasja destruktive – me tentime frustruese të individëve për t’u faktorizuar përmes ofendimeve reciproke, e jo drejt asaj konstruktive – e cila do ta synonte adresimin e paqartësive dhe kundërshtive me qëllim të zgjidhjes së tyre”, thotë sociologu dhe analisti politik.
Matoshi: Kosova është shtet kombëtar dhe e ka të drejtën ta ketë Kombëtaren
Halil Matoshi njihet si njëri prej analistëve më të zëshëm që e mbron tezën e të qenit dy shtete, Kosova dhe Shqipëria, madje duke insistuar në ekzistimin e kombit kosovar. Sipas tij, Kosova duhet ta vazhdojë rrugën e saj të nisur, në të gjitha sferat, në këtë rast edhe në sport, ndaras nga Shqipëria. “Secili shtet sovran ose entitet i pranuar në UEFA e ka një Kombëtare për lojërat sportive me top, prandaj diskutimi pse Shqipëria ta zëmë bën të ketë Kombëtare kurse Kosova jo – ajo u dashka të ketë një përfaqësuese – është tendencë boshe për ta zvogëluar idenë e shtetit përballë projekteve romantike të Shekullit 19”, mendon Matoshi.
“Secili shtet që njihet nga shtetet veç e veç dhe ka aftësi të hyjë në marrëdhënie diplomatike me shtetet tjera është shtet kombëtar, së këndejmi e fiton të drejtën të ketë Kombëtare. Të tjerat janë vetëm deklarata dhe retorika politike që në thelb e dëmtojnë imazhin e shtetit dhe dëshmojnë se sa pak ‘Raison d’Etat’ (rezon shtetëror) ka në Kosovë!”, përfundoi ai.
Kastrati: Përçarja mbeti e izoluar, do të bashkohemi dhe fuqizohemi
Tifozët prishtinas, “Plisat” vazhdojnë ta mbështesin Kombëtaren Kuq e Zi, duke insistuar se shqiptarët nuk kanë nevojë për dy ekipe përfaqësuese. Gjithashtu, ata janë të bindur se një ditë, shqiptarët do të jenë të bashkuar në një shtet, pasi këtë e shohin si alternativën e vetme dhe më të qëlluarën, për t’u bërë një shtet i fuqishëm. “Përballë situatave të vështira, zgjidhja më e lehtë është të heqësh dorë. Këtë nuk e kanë zgjedhur shqiptarët asnjëherë. Jemi përballur gjithmonë me të gjitha vështirësitë, në mënyrë që të qëndrojmë prapa qëllimeve tona. E pikërisht konsistenca jonë në qëndrime është madhështia e popullit shqiptar. Trendet dhe situatat ndryshojnë, mirëpo dëshira jonë për ta fituar të drejtën tonë për bashkim të shqiptarëve, JO. Jemi populli më paqedashës në Ballkan dhe si të tillë e meritojmë atë që na takon. Do të bashkohemi e të fuqizohemi, por për këtë duhet punë dhe bashkëpunim”, deklaroi kryetari i “Plisave”, Albert Kastrati.
Ai ka folur edhe për fenomenin e fundit, për të cilin thekson se ka qenë një debat i panevojshëm, pasi mendimet e shqiptarëve për këtë çështje tashmë dihen. “Kjo nuk ka qenë përplasje, kjo ka qenë tendencë e disa njerëzve që vuajnë për vëmendje që ta krijojnë një debat komplet të panevojshëm e njëkohësisht edhe të rrezikshëm. Fatmirësisht, shqiptarët janë më të pjekur se aq, nuk bien në grackat e këtyre individëve e rrjedhimisht kjo përçarje mbeti e izoluar”, përfundoi Kastrati, i cili njihet me nofkën “Tigri”. “Pluhuri” i ngritur së fundmi nuk ishte i pari, por duket se nuk do të jetë as i fundit…(ZERI)
Do të jemi një dhe pikë! Ska kush që e ndal bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Ky bashkim do të vjen ngadal, natyrshëm, sikur dy burime që burojnë në maje të bjeshkës por në fundë bashkohen dhe bëhen një lum i vetëm. Ky është realiteti, deshën apo nuk deshën kundërshtarët e këtij procesi. Bashkimi bën fuqi, e nëse bashkohemi do të jemi më të fortë!
100 per 100 dakort. Do bashkohemi se jemi nje, me te mirat dhe te keqijat tona. Shqiperia e shqiptareve, pa dallim krahine, feje dhe ideje.
jemi nje
BASHKOHUNI SA ME PARE NE TE GJITHA DREJTIMET
Jemi 0.
Kurre nje. Skemi pune te jemi nje, asgje nuk na lidh,
Te ruajme Shqiperine nga rreziku Kosovar
S’kemi asgje te perbashket me Kosoven pervec gjuhes, qe edhe kjo ka ndryshime te thella.
Nga Sangjaku i Pazarit te Ri deri te Filati e Janina ka qene e do te jete perjete Shqipni !!