Nga Elena Oshafi
Në një kohë kur një pjesë e madhe e të rinjve shqiptarë kërkojnë punë dhe azil në Gjermani, një i ri nga Berlini, po përjeton një eksperiencë në kah të kundert. Ai ka ardhur të hapë biznes në Shqipëri.
Alex Werner 27 vjeç ka ardhur në Tiranë dy vite më parë për të takuar të dashurën e tij, Kamilën.
Historia e tyre është po aq e ëmbël sa edhe biznesi që kanë zgjedhur të celin.
Njihen prej 5 vitesh, dhe nga shokë u bënë të dashur, e nga të dashur tashmë ndajnë të njëjtat ide për të ardhmen.
Prej pak kohësh ata kanë hapur një biznes jo të përhapur tek të rinjtë në Shqipëri, atë të prodhimit dhe shitjes së mjaltit.
Një iniciativë që përfshin një mori idesh të cilat shprehin shumë për shpirtin krijues dhe të lirë të dy të rinjve.
“Mamamjalti” , ka qenë një nga idetë fituese për biznese në “Programin e Vetëpunësimit” që i financon më pas këta të rinj të çojnë para punën e tyre.
Ishte idea e Kamilës që të merrte pjesë në këtë program. 22-vjeçarja nga Korça prezantoi bashkë me të dashurin e saj biznesin e prodhimit dhe shitjes së mjaltit i cili prodhohet në një nga fshatrat e Korçës dhe që çifti synon që nëpërmjet internetit, shitjet të zhvendosen në Gjermani.
“Bletërritësja është nëna imë-thotë Kamila për dritare.net dhe kjo është një nga arsyet përse e kemi quajtur “Mamamjalti”. Nuk duam vetëm të paraqesim projektin tonë të biznesit, por duam edhe të promovojmë forcën e femrës.”
E rritur mes bletëve dhe luleve në fshatin Moglicë të Korçës, Kamila shprehet se mjalti që ata duan te tregtojnë është vërtet bio dhe ka vlera të larta ushqyese.
Të njëjtën gjë e konfirmon dhe Alex. Për të jo vetëm mjalti që prodhohet në Shqipëri, por të gjitha ushqimet janë më pranë natyrës , se në Gjermani.
“Shqiptarët janë të bekuar nga një natyrë e mrekullueshme-thotë ai, për dritare.net, vetëm se duhet të kujdesen pak më shumë për të promovuar vlerat e tyre.”
Kamila është arsyeja përse 27-vjeçari ka ardhur në Tiranë, por edhe njerëzit që e rrethojnë atë , i kanë hapur krahët e kjo e ka ndihmuar për tu përshtatur me këtë ambient të ri. Prej pak kohësh Alex ka lënë punën e tij si menaxher në Gjermani dhe po planifikon që të rrisin biznesin e tyre në Shqiperi.
Për të riun nga Gjermania mënyra e jetesës ndryshon tërësisht me vendin ku ai është rritur.
“Njerëzit në Gjermani janë më seriozë dhe shumë striktë në gjërat që bëjnë, ndërsa shqiptarët e marrin jetën më me sportivitet”.
Megjithatë ai thotë se këtu i pëlqejnë shumë traditat dhe shoqëria. “Njerëzit këtu janë shumë të dashur, gazmorë dhe me zemër të madhe e shumë mikpritës. E kam ndier veten si në shtëpinë time kur njoha familjen e Kamilës. Janë shumë zemërgjerë dhe kjo gjë më pëlqen tepër”-shprehet Alex për dritare.net.
Dy të rinjtë kanë shëtitur nëpër Shqipëri dhe Kamila i ka prezantuar Alexit natyrën shqiptare.
“Është vend i mrekullueshëm, me male të larta e liqene të kristalta. Unë kam vizituar shumë qytete dhe shtete por kurrë nuk kam vënë re kaq mosvlerësim për natyrën dhe për pasuritë që kanë sa këtu në Shqipëri”.
Ata flasin me plot energji dhe me entuziazëm për idenë e biznesit të mjaltit që me bindjen e plotë do ta ndihmojnë të rritet. Bletët kanë qenë simbol i bollëkut për shqiptarët ndër shekuj, simbol i produktivitetit dhe prodhimtarisë , ndaj Kamila dhe Alex jane të sigurt se bletët e Korces do sjellin begati për ciftin dhe mjaltë të mirë per gjermanët. Ata urojnë qe të tjere shqiptarë, të kthejnë sytë nga natyra; aty është fshehur thesari shqiptar./ Dritare.net
Jem me një Gjermane.
Emri shqiptar per Aleks eshte Llesh…
Shembulli me i mire qe keta dy te rinj do te mund te jepnin per te rinjte e tjere shqiptare do te ishte qe se pari te martoheshin!!! Se perndryshe kjo lidhja/dashuria e tyre sipas kodeve morale, jashte lidhjes se marteses, quhet Kurveri. Pastaj le te merren Lleshi dhe Karmila me bletari, birrari (birra Korca!) apo gjethe bliri, ne Bilisht apo ne Berlin, ku te duan.
Urime
Shum cift simpatik qenkan
Dhe biznesin e paskan gjetur te lezecem , qe ka kuptim figurativ te bukur