Nga Kristo Mërtiri
Për disa përfaqësues të Mërgatës Shqiptare nëpër Europë e Perëndim, dita e shtunë u tjetërsua në një relaks të veçantë brenda gardhit të Samitit të Diasporës në Tiranë. Relaks i ëmbël, por edhe i thartë, sidomos për bashkëvuajtësit e mi në Greqinë fqinje. Malli prushndezur për mëmëdheun halleshumë i shoqëron në çdo hap. Gdhihen e ngrysen me vendlindjen në sy e në zemër, me njerëzit e dashur mbi tokë e nën tokë, me plot brenga e maraze shpirtërore. Me plot pikëpyetje e dilema të natyrshme rreth mbrothësisë së Nënës në ekonomi e politikë, në arsim e kulturë, në mjekësi e kudo. Me ëndrrën përvëluese të kthimit “se pas dimrit vjen një verë”… Prandaj ajo pyetja e drejtpërdrejtë dhe e çiltër, që iu bë ballë për ballë Kryeministrit nga një emigrant që shprehu dëshirën e pashuar : “Dua të kthehem në Shqipëri, por më thonë se është “varr” për idealistët. A mund të më jepni argumente për të kundërtën ?”, nuk ishte pyetje e rëndomtë dhe as retorikë e vjetëruar.
Vetë Edi Rama, nuk u mjaftua të lëshonte vetëm batutat e tij të zakonshme si varka shpëtimi nëpër dallgët e debateve serioze me bashkëatdhetarët. Dhe as u ngujua te përgjigjia se “ata që ikin zënë më shumë vend në lajm e debat, ata që vijnë s’përbëjnë lajm”(?!). Sepse pa u vonuar, përdori një gjuhë të “hekurt” statistikore (sipas tij) nga një studim i Universitetit të famshëm të Havardit, që paska nxjerrë definicionin tronditës se “në vitet 2011-2014, forca e punës për shkak të njerëzve që janë kthyer nga Greqia për të punuar në Shqipëri, është rritur 7,9 për qind”(!). Por nuk pati as duartrokitje dhe as vramendje të madhe kolektive a individuale. Dhe zero thirrje militanteske si ato “Bravo, Edi, je Njësh !” etj. Dhe as në pushimet e këtij takimi jo dosido, askush nuk mori guximin e t’ia thoshte asaj këngës fluturake labe lindur në pranverë 2013 në Lumin e Vlorës : “Anembanë gjëmon kambana/ Edi Rama, Edi Rama !”…(Mirëpo, pa kaluar dy vjetë, ata që brohoritën në atë miting të paharruar, në zgjedhjet lokale ia dhanë votat tjetër kandidati e tjetër force politike!). Shkurt, butaforia gati donkishoteske dhe e pavërtetë elektorale, u thye e plasi si tollumbace a si shishja me verë të skaduar…
Por le të vazhdojmë me fillin e shkrimit të sotëm. Kryeministri ynë hazërxhevap e pa letra në tavolinë, nuk u tregua zemërngushtë e dorështrënguar dhe as u mjaftua me Havardin që kujtoi se mund të mbyllte gojët e liga. Ç’nuk dëgjuan mërgimtarët e përzgjedhur e të patredhur ! Asnjëri nuk mbeti gojëhapur e i shushatur nga oratoria kryeministrore me fare pak nota të mirëfillta gazmore. Edhe kur zbrazi shifrën për 6 milion polakët që paskan marrë arratinë nëpër zgëqet e tregut të përbashkët të BE. U tregua mjaft “hovardar” edhe kur lëshoi pyetjen “sugjestionuese” pa përgjigje :”Ka humbur Polonia ?”… Dhe vendin e kësaj e zunë premtimet fishekzjarre në këtë fund Legjislature pa lavdi në fushën e emigracionit, që shqiptarët e kanë dëgjuar nga kambanat 25 vjeçare të Polit(h)ikës pa din e iman. Duke mbetur si kambanë pa thumb. Ndërsa vartësit pa shtyllë kurrizore dhe me spaleta e grada të falura me dorën e “biçimnjëshit” në parti e Qeveri, dëgjojnë e përgëzojnë vetëm kambanën e tij. Edhe kur flet hudhër në kungull apo thjesht kodra pas bregut ! Refugjatët e vërtetë e dinjitozë, që unë i njoh mirë nëpër udhët helm të kurbetit, i përcjellin sipas kokës e festes qeveritarët që vijnë e shkojnë me këmbët në yzengji. Përshembull, mirë Universiteti i Havardit, po shteti ynë nuk paska fare këllqe as për regjistrimin formal të shtetasve të vet brenda e jashtë Shqipërizës sonë ? Po staticienët e shkolluar e të kualifikuar nëpër Arsimin e Lartë publik e privat dhe ata në Institutin e vetëm në Republikë, paskan firuar e shteruar si përrenjtë në korrik e gusht ?! Arratia e dhimbshme biblike nuk u ndal në vitet ’90-të. Sikur vetëm te ikja e kukësianëve të mirë e të dëshpëruar gjatë vitit të kaluar dhe e qindra të tjerëve nga vise të tjera të vendit për çdo vit(vetëm vjet ishin 100 mijë!), të ndalej posaçërisht e seriozisht Parlamenti; Qeveria; Këshilli i Sigurimit Kombëtar; mbi 2 mijë OJQ-të “jofitimprurëse”; forumet e ndryshme intelektuale etj., me siguri do ndryshonte diçka nga tabloja e zymtë dhe tepër rrënqethëse. Sepse Kryeministri ynë, bëri shumë mirë që më në fund shkoi vetë në Shishtavec, por dukej krejtësisht i papërgatitur e i pandihmuar nga këshilltarët e dikasteret përkatëse që ngrohin “vezët” në metropol. A e dëgjuat ? Kukësianët e Shishtavecit u shurdhuan më tepër për “rritjen e rrogave” ! Unë nuk e di saktë se sa rrogtarë vendalinj ishin në atë tubim jo të zakonshëm apo ta quajmë më e pakta “lapsus kryeministror”, pa thënë papërgjegjshmëri pushtetare e varavingo qesharake pa shkallë e oborr…E tha mirë Ben Blushi, “Shqiptarët nuk ikin nga thatësira, as nga uria, as nga lufta. Ata ikin si viktima të qeverive të tyre”.
Politikanë, deputetë e zyrtarë të lartë të krimbur në pasuri të pista, nuk mund t’i qajnë kurrë hallet e hallexhinjve fukarenj. Aq më pak të refugjatëve fatgremisur nëpër rreth 50 shtete e në tërë kontinentet. Të jesh “hovardar” kryesisht me ftesa gojore e thirrje “arbërore”, nuk do të thotë se e ke kryer detyrën përballë votës popullore. Vlerësimi apo shpërdorimi i saj duken açik në praktikë, në fusha, kodra e male ku braktisja masive të ngecet komb në grykë që nuk e gëlltit dot asnjë shqiptar i vërtetë. Dhe besimi kthehet shpejt në zhgënjim e dëshpërim real e të pamerituar. Pyetje e parë : Sa djem e vajza të shkolluar në Evropë e Perëndim, kanë ardhur me kokën lartë dhe kanë ikur kokëulur e të trishtuar nga mëmëdheu ku pushtetet nuk u afruan asgjë ? Gjer më sot, nuk ka asnjë evidencë e analizë konkrete. Tani po na thuhet si me gjysmë zëri se “migrimi shqiptar është shoqëruar edhe me rrjedhjen e trurit” apo me “kontrabandë e trafikim të qenieve njerëzore…nga organizata kriminale e terroriste”. Veçse asnjë përgjegjësi institucionale e individuale e krerëve drejtues të paaftë, nuk po del ende në dritë nga Parlamenti, Qeveria e Drejtësia e katandisur si drapri ! Mijëra refugjatë tashmë janë integruar mirë nëpër dhera të huaj, por fëmijët e tyre kanë ngelur jetimë të Gjuhës Shqipe. Vetëm prindërit mund të mërmërijnë atë vargun çajupian “Mjaft punove për të tjerë, o fatkeq !…”. Sepse gjatë çerekshekullit të fundit, nga shteti amë kujtohen vetëm kur trokasin fushatat e “korrje-shirjeve” elektorale nëpër hambarët mashtrues me vota të blera e të shitura nga sekserët partiakë e xhambazët e pacipë politikë. Pyetja e dytë : Sa nëpunës e punëtorë të kualifikuar në emigracion kanë gjetur ndihmë e mbështetje konkrete institucionale për veten dhe fëmijët e lindur në kurbet ? Ndonjë raportim me përqindje e pa emra e adresa, tashmë nuk e ha kush si dikur. Ato shërbejnë sa për të mbajtur gjoja me ujë të vakët publikun e mençur përballë transparencës zyrtare që mungon e irriton cilindo. Kolltuqet e dhuruara nga nepotizmi ulëritës nëpër trupin e Administratës qendrore e lokale, nuk mund të mbahen gjatë. Dhe as me ato reklamat joshëse e në thelb vetdemaskuese e të mirëpaguara nga taksat qytetare nëpër ekrane e faqe gazetash të preferuara, që ftojnë e bëjnë thirrje gati përditë për qindra vende pune të lira në Itali, Kanada, Gjermani e gjetkë ! Mërgimtarët e hershëm ekonomikë çoroditen e nuk dinë nga t’ia mbajnë. Dhe mjaft prej tyre i falen e i nënshtrohen fatit kob nëpër udhët e botës jallane. Hovardallëqe të tilla politike nuk pijnë më ujë. Bashkëvuajtësit e mi në kurbet, nuk mund të kërkojnë mirësinë e shtetit amë në qiell dhe një ditë ta gjejnë befas në tokë ! Duhen programe konkrete e jo rezoluta “patriotike” e teorike, me objektiva e afate, me institucione e persona përgjegjës që drejtojnë dikastere dhe mundësisht nga ata që e kanë kaluar sadopak në kurriz emigrimin e detyruar. A u sigurua e drejta e votës ? Apo ngushëllohen me fjalët tashmë bajate “për herë të parë” dhe me furçat fasadë…
Zoti Kryeministër, ju vërtet erdhët nga refugjatllëku (me diplomë Piktori), por ua dhuruan sa hap e mbyll sytë kolltukun e ministrit të Kulturës; atë të kryetarit të Bashkisë së Kryeqytetit; atë të Kryetarit të PS-së dhe tani kolltukun e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë ! Apo jo ?…(Dhe nuk janë pak, por 18 vjetë me pushtet e bereqet. Dhe sinqerisht, mos e provofsh më e mos e pësofsh atë urim-mallkimin e hidhur popullor :”Atij që nuk e do, i thuaj “Të pafsha pa punë !”. Dhe as atë tjetrin “Mërgofsh në dhe të huaj !”…). Mos vallë mjaft nga raca juaj e kanë marrë pushtetin me tapi ?! Më tej. Kur na the se Samiti i Diasporës ishte fryt i ideve të Lindës, në sallë vërshuan pëshpërima gazavaj e pse jo qesëndira të holla. Të lutem, mos u tall e mos bëj “hajgarë” me mërgimtarët e syrgjynosur ! Sepse Linda, nuk besoj ta ketë provuar vetë hidhësirën refugjate. Për mua, mos e provoftë asnjëherë ! As ajo e as ëngjëlli i pafajshëm Zaho… Sa për hovardallëkun tuaj të madh, ju e treguat hapur e pa pikë droje me taborin e ish Lëvizjes së “pavarur” Mjaft; me ish punonjësit besnikë të bashkisë kryeqytetase dhe me fare pak lëpirës e pirës (jo qengja pirës) të neveritshëm që i rrëmbyen teserat e PS-së pasi Ju morët timonin e Kryetarit të partisë, të kësaj force politike me shumë anëtarë të tharë e të përtharë nga papunësia 11 vjeçare e pamerituar… Por duke mbyllur këtë opinion personal, në vend të një relaksi e humori më erdhi pranë rrëfimi i një mikut tim publicist shqiptar e përkthyes i talentuar nga greqishtja e re , rrëfim nga një fabul e famshme ezopiane. Morali i saj tingëllon gjithnjë aktual : Kur zihemi për hijen e gjërave, mund të humbasim vetë gjënë !
“Një ditë të nxehtë vere, një udhëtar mori me qira një gomar për ta çuar nga Athina në Megara. Në mesditë, nxehtësia e diellit u bë aq torturuese sa udhëtari zbriti nga gomari dhe vendosi të çlodhej nën hijen e kafshës. Mirëpo i zoti i tha se kishin të drejta të barabarta për hijen e gomarit, ndaj pretendonte ta ndanin bashkë hijen. – Ç’farë !,-klidhi udhëtari.-A nuk ta kam paguar qiranë për tërë udhëtimin ?
-Po,-ia ktheu i zoti,-more me qira gomarin, por jo hijen.
Dhe ndërsa ziheshin e luftonin për vendin që u takonte në hijen e kafshës, gomari ngriti thundrat dhe ia mbathi…”.
Sakte. Pergezime miku yne. Kush e ka shijuar a e shijon buken e kurbetit, e di mire cdo te thote te mos jesh ne truallin tend e kur fobia per te huajt te ndjek kemba kembes.
Pyetja e refugjatit eshte shuplake per kryemiministrin qe kerkon ti vije ne ndihme Havardi. Kerkoje te qeveria jote e koruptuar, pa nje drite jeshile qe po e ben kete vend ti mbaj larg e pa shprese njerzit e vet ketu e neper bote.
Populli ka nevoje per shkrime te tilla, sepse gjuha e Kristos vete aty ku dhemb dhembi…
Eshte shume realist, profesionist ne ato qe shkruan dhe me nje stil qe shume pak gazetare e zoterojne.
Por a hajne pyke pushtetaret? Atyre u eshte trashur lekura aq shume, sa te tilla shkrime vetem i kilikosin.
Sikurse te gjitha ankesat qe vete populli i ngrate shpalos ne media, qe nga emisioni i mengjesit i Bashkim Hoxhes, deri tek debatet e pafundme te analisteve dhe gazetareve kokoroce e te mirepaguar te mbremjes se vone..
Ne, si popull do vazhdojme te zihemi per “qirane e hijes”, deri sa ta kuptojme qe gomari nuk eshte i yni…
tej pertej ushton trumpeta
ilir meta,ilir meta.
neper shpella driza pisha
sal berisha sal berisha.
Z. Moderator. Ju lutemi shkrimit i mungojne 6 komentet qe ishin paradite, por tani nuk jane. Ne si lexues lutemi ti vini perseri. Faleminderit.