PROFILI/ Francois Fillon: Kush është kandidati për presidentin e Francës, që kërkon “miqësi” me Rusinë e luftë me islamin radikal

28 Nëntor 2016, 09:43Bota TEMA

Francois Fillon do të jetë kandidati konservator në zgjedhjet presidenciale të Francës, më 2017, pasi rivali i tij, Alain Juppe, ka pranuar humbjen.

Me pothuajse të gjitha votat e numëruara, Fillon ka fituar balotazhin e së dielës me 67 përqind të votave.

Ai ka premtuar se do të ndërtojë një shoqëri më të drejtë, duke thënë se “Franca do të vërteta dhe veprime”.

“Nëse populli francez ma jep besimin, do të përpiqem ta respektoj atë kontratë dhe ta drejtoj me dinjitet”, ka thënë Fillon.

Juppe, kandidat më i moderuar, ka uruar Fillonin për “fitoren e madhe” dhe është zotuar se do ta mbështesë atë në përpjekjen për t’u bërë president.

Fillon, i cili ka shërbyer si kryeministër në administratën e Nicolas Sarkozysë, shihet si i krishterë tradicional mbi çështjet si aborti dhe martesat e homoseksualëve.

Ai ka propozuar reforma dramatike ekonomike, të cilat përfshijnë reduktimin e 500,000 vendeve të punës, fundin e javës 35-orëshe të punës dhe rritjen e moshës së pensionimit.

Tani vëmendja bie mbi Partinë Socialiste dhe mundësinë që presidenti jo aq popullor, Francois Hollande, të garojë sërish në zgjedhjet e partisë së tij, në muajin janar. Ai ka thënë se do ta shpallë vendimin në ditët e ardhshme.

Kryeministri aktual, Manuel Valls, ka thënë të dielën se nuk e përjashton mundësinë që të garojë kundër Hollande në zgjedhjet e partisë.

Sidoqoftë, në zgjedhjet e prillit, sondazhet e hershme nxjerrin në duel Fillonin dhe kandidaten e ekstremit të djathtë, Marine Le Pen.

Franca, ekonomia e dytë më e madhe e Eurozonës, është përballur me papunësi të lartë nën presidentin e tanishëm, Hollande, dhe dy vjetët e fundit të mandatit të tij janë shënuar me sulme terroriste, të cilat kanë lënë të vrarë rreth 230 veta.

Fillon kundërshton multikulturalizmin dhe ka bërë thirrje për lidhje më të mira me Rusinë e Vladimir Putinit.

Ai ka mbështetur heqjen e sanksioneve të Bashkimit Evropian kundër Rusisë, të cilat janë ndërmarrë pasi kjo e fundit ka aneksuar gadishullin ukrainas të Krimesë.

Ka thënë se Rusia nuk është kërcënim dhe se duhet të konsiderohet partner në Siri.

Edhe Putin e ka vlerësuar Fillonin si profesionist dhe person që “mban pikëpamjet e tij”.

Fillon po ashtu ka thënë se për të luftuar grupin militant Shteti Islamik, Franca nuk duhet të përjashtojë bashkëpunimin me presidentin sirian, Bashar al-Assad.

Ai ka qëndrim të ashpër kundër Islamit në Francë dhe ka thënë se “Islami radikal është duke korruptuar disa nga qytetarët tanë myslimanë”.

Gjatë verës, ai ka thënë se është në favor të ndalimit të burkinit – rroba islame të larjes – në plazhet franceze.

Fillon mbështet idenë e një “Evrope të kombeve” dhe ka shprehur skepticizëm për rolin e Komisionit Evropian dhe të Parlamentit Evropian.

Profili

François Fillon si person privat është një tifoz pasionant i garave me makina. Në qytetin e tij Le Mans, të famshëm për garën 24-orëshe, ai udhëton ndonjëherë edhe vetë me automjete të shpejta. Politikisht ai deri tani nuk ka qenë ende në pistën e parakalimit.

Sepse për një kohë të gjatë, François Fillon ka luajtur rolin e politikanit të radhës së dytë. I zellshëm, besnik, por jo fare në dritën e projektorëve. Karriera e Fillonit mund t’i kishte ngjarë asaj të një pasardhësi të dështuar të fronit. Por në raundin e parë të zgjedhjeve paraprake në kampin borgjez-konservator Fillon papritur e parakaloi atë që besohej si favorit, Alain Juppé e edhe Nicolas Sarkozy-në. Papritur Fillon tani ka shanse që në zgjedhjet e balotazhit të dielën e ardhshme kundër Juppé-së, të zërë vend lart në shkallët e fitimtarëve. Politikani profesionist 62-vjeçar tani mund të hyjë më në fund në Pallatin Elysee.

Serioz në vend të një personi të rrethuar me skandale

“François Fillon përfaqëson seriozitet absolut,” i thotë politologu Dominik Grillmayer nga Instituti Gjermano-Francez Ludwigsburg DW-së. Në daljet në publik ai të lë përshtypjen e njeriut “të menduar, modest dhe sovran”. Fillon ka punuar për pesë vjet, nga viti 2007-2012 si kryeministër nën presidentin Nicolas Sarkozy pa rënë në sy negativisht. François Fillon është i pari kryeministër i Francës, i cili ka arritur të qendrojë për një mandat të plotë në post nën një president. Më parë Fillon ka qenë ministër për Çështje Sociale dhe pastaj ministër i Arsimit.

Në elitën politike ai konsiderohet figurë e pastër. I lindur në Le Mans të Francës veriperëndimore, ai përfaqëson vlera klasike katolike. Juristi i diplomuar konsiderohet si konservator i flaktë. “Mariage pour tous”, martesën për homoseksualët, e edhe një të drejtë adoptimi për çiftet e së njëjtës gjini ai e kundërshton. Ai vetë është i martuar që prej 36 vjetësh dhe ka pesë fëmijë me gruan e tij. Ata jetojnë në një kështjellë te shekullit të 12-të në departamentin jugperëndimor Sarthe. Fillon përfaqëson një kurs të djathtë, kritik ndaj fesë islame. Jo më larg se vjeshta u botua libri i tij për “islamin radikal”.

Fillon dëshiron t’i kontrollojë më fort xhamitë dhe t’i arrestojë njerëzit që kanë pasur kontakt me organizata si milicia terroriste “Shteti Islamik”. Veç kësaj, të huajve ai kërkon që t’u vështirësohet qasja në sistemin social dhe të shëndetësisë. Fillon kërkon edhe një kufi të sipërm për migrantët.

Përfaqësues i vijës së fortë dhe me ide liberale në ekonomi

Programi i Fillonit përfaqëson edhe një liberalizëm të fortë ekonomik. Ai e admiron ish-kryeministren britanike Margaret Thatcher. Ish-kryeministri synon t’i shkurtojë me 100 miliardë shpenzimet shtetërore dhe të eleminojë veç kësaj 500.000 vende pune në shërbimin publik. Ai nuk ndalet as para “lopëve të shenjta” të Francës: ai kërkon të eleminojë javën me 35 orë pune, që është në fuqi prej dekadash në Francë dhe të rrisë moshën e daljes në pension. Njëkohësisht kërkon të ulë dukshëm taksat dhe shpenzimet për sipërmarrjet, për ta bërë Francën sërish të aftë për konkurrencë.

Zgjidhës problemesh apo përçarës i shoqërisë?

Filloni e paraqet veten si zgjidhës problemesh, thotë eksperti për Francën, Grillmayer. Por me programin e tij të diskutueshëm liberal ekonomik ai “guxon shumë”. Jo vetëm të majtët, por edhe kampi i tij e akuzon se po e përçan shoqërinë. Sepse Fillon konkuron me një program radikal. Kërkesat e tij u ngjajnë në shumë vende atyre të populistëve të djathtë. Por ndryshe nga rasti i Sarkozysë, zgjedhësve Fillon u duket më i besueshëm. Bindjet e tij janë të njohura prej vitesh. Me një kod vlerash katolik, konservator dhe kapitalist Fillon-i ka kohë që jeton. Por edhe nëse Filloni e kalon më 27 nëntor Juppé-në, garën për zgjedhjet presidenciale ende nuk e ka fituar.

4 komente në “PROFILI/ Francois Fillon: Kush është kandidati për presidentin e Francës, që kërkon “miqësi” me Rusinë e luftë me islamin radikal”

  1. tfgs1 says:

    suma sunite parashikohet ne ditet ne vazhdim te nderroi size nga XXL ne TOURBO…………………allah uakbar!

    1. babo says:

      Si shpegohet qe fitojne te gjithe ata qe duan mardhenie normale me Rusine dhe lufte me vepra, jo fjale, kunder terrizmit?

      Me sa duket mileti ka filluar te zgjohet nga propaganda e zagrave te establishment-it.

  2. adi says:

    eshte e qarte me se ne kulturen perendimore tani e ne dekadat qe vijne , politikan qe votohet e pranohet eshte vetem ai qe ka si pike kryesore te programit anti islamizmin!!!!!!!!
    Mjere ata politikane qe si imame te vetshpallur kane dale ne mbrojtje te islamizmit.
    Mjere ata te mjere qe nuk e kuptojne se nisen nje lufte me perendimin dhe krishterimin qe nuk e fitojne dot.
    kjo ere qe po fryn eshte era e nje kryqezate e re !!!!

  3. Ladi says:

    Jane ceshtje pazaresh te ndyra politikanesh nderkombetare ato qe e katandisen boten dhe njerezimin ne kete pike. Diktatura e lekut eshte ne thelb.
    Piket e programit te ketij kandidati kesaj rradhe jane shume sfiduese. A do t ia arrije dot t i rrezistoje dhunes se manfifestimeve dhe grevave qe do paralizojne ekonomine??? Vullneti, ndershmeria, patriotizmi dhe serioziteti nuk i mungojne ketij kandidati. Eshte kjo lloj dinamike qe intrigoi popullin qe eshte gati te dale ne rruge nga politika hezituese dhe mesim dhenese aktuale.
    Urojme qe te kete nje lloj permiresimi te situates aktuale sepse bota qe po ju mbetet te jetojne brezat e ardhshme eshte gjithmone e me e veshtire.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje