Tahiri: Ky buxhet financon mekanizmin për të pastruar prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar

1 Dhjetor 2016, 19:50Politika TEMA
Tahiri: Ky buxhet financon mekanizmin për të pastruar prokurorët

Ministri i Brendshëm ka deklaruar në seancë parlamentare, bashkë me ftesën drejtuar opozitës për të votuar projektbuxhetin, se me të financohet mekanizmi për pastruar sistemin e drejtësisë nga të korruptuarit.

“Qytetarët sot duhet ta dinë se ky buxhet financon mekanizmin që do të pastrojë sistemin në Prokurori dhe në Gjyqësor nga prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar, pra ky është buxheti për reformën në drejtësi, kaq e thjeshtë është kjo. Reformë, që sot është bllokuar falë jush dhe që nuk po e lëshoni akoma”, theksoi anëtari i kabinetit qeveritar.

Saimir Tahiri nuk i kurseu akuzat për Presidentin Nishani, që sipas tij është kthyer në një shërbëtor të Partisë Demokratike.

“Mund të jesh punonjës në administratë e shkon para drejtësisë në qoftë se korruptohesh. Po mund të jesh gjyqtar e nuk të hyn gjemb në këmbë në rast se vjedh për të dhënë drejtësinë, në rast se korruptohesh për të bërë padrejtësi. Madje mbrohesh nga medemeku Presidenti i Republikës”, u shpreh Tahiri.

Më tej ministri i Brendshëm replikoi me demokratin Astrit Patozi, për luftën kundër drogës.

“Patozi ishte abuziv kur tha se kanabisin e kapin policitë e huaja. Nuk është e vërtetë. Thjesht nuk është e vërtetë. Dje dhe sot ka qenë një nga prokurorët më të rëndësishëm të Italisë me të cilin jemi takuar (unë, Prokurori i Përgjithshëm, Drejtori i Policisë), pikërisht për shkak të bashkëpunimit që ka Policia shqiptare me agjencitë ligjzbatuese për të luftuar kultivimin dhe trafikimin e lëndëve narkotike.

E kjo është falë bashkëpunimit dhe besimit tek Policia shqiptare – përkundër gjithçkaje keni thënë ju këtu në Parlament”, nënvizoi Tahiri.

Ministri i Brendshëm sulmoi edhe liderin e opozitës, Lulzim Basha, që sipas tij nuk mundi të bënte asnjë punë kur ishte në krye të Bashkisë Tiranë.

“Rekordmeni i paaftësisë ky medemeku tjetër që e keni për kryetar partie nuk shpërndau asnjë banesë sociale në Bashkinë e Tiranës. Pavarësisht se Edi Rama ia la gati mbi 500 të tilla”, akuzoi Tahiri.

Më tej ishte një shpjegim me detaje i buxhetit të 2017, për Ministrinë e Brendshme, që prekin investimet apo pagat e Policisë.

“Një punonjës policie paguhej jo më shumë se 420 mijë lekë në kohën kur ishit ju në qeveri. Ndërkohë, ne, që vitin e parë i rritëm pagat me 25% dhe prapë do rriten vitin tjetër me buxhetin e ri. Dhe do të thotë që një punonjës policie i rolit bazë do ketë një pagë diku te 690 mijë lekë.

Buxheti i vitit 2017 ka investime 145% më sesa buxheti i vitit 2013, përsa i përket Policisë së Shtetit. Një polici që nuk punonte dot për shkak të tradhtimit; për shkak të mungesës së mbështetjes nga qeveria. Prandaj pandëshkueshmëria, jo sipas nesh, por sipas BE-së, ishte kthyer në sistemin më të kalcifikuar në Shqipëri”, u shpreh Tahiri.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje