Ministri i Brendshëm Saimir Tahiri ka lançuar sot nisjen e fushatës ‘’Ti je heroi ynë’’ e cila synon që t’i vijë në ndihmë familjeve të punonjësve të policisë që janë në nevojë.
Në sheshin përpara Ministrisë së Brendshme, Tahiri deklaroi se janë mbi 200 fëmijë të punonjësve të Policisë, të cilët kanë nevojë për mbështetje.
‘’Dhe ne menduam që puna më e mirë që mund të bënim në këtë fundviti është t’u gjendemi atyre pranë, familjeve të tyre. Për t’i ndihmuar duke dëshmuar dhe treguar solidaritetin njerëzor të njëri–tjetrit, të punonjësve të Policisë me njëri-tjetrin, të kolegëve, të punonjësve të Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe të gjithë atyre që ndjejnë se në këto ditë puna më e mirë që mund të bëjmë është të gjendemi pranë njëri-tjetrit dhe të ndihmojmë në ditë të këqija’’, tha Tahiri.
Ministri ftoi të gjithë qytetarët të bëhen pjesë e kësaj fushate
‘’Ndaj dua nëpërmjet jush t’u bëj thirrje të gjithë atyre që kanë mundësi të tregojnë solidaritet njerëzor dhe humanizëm në këto ditë fund vitit. Unë ju ftoj të ndjekim të gjithë bashkë klipin duke shpresuar që ju do të transmetoni fjalën te çdo njeri që njihni.
Duke i bërë me dije gjithçka kemi nisur sot, për ti treguar që një mundësi është, aty pas dere për të ndihmuar një njeri që ka nevojë dhe kjo na bën qytetarë më të mirë. Kjo na bën njerëz më të mirë’’ tha ndër të tjera Tahiri.