Me rreth 25% të totalit të atyre që punojnë në vend, që i sigurojnë vetë të ardhurat e tyre, Shqipëria renditet e dyta në Europë, pas Greqisë, për nga pesha e lartë e të vetëpunësuarve në raport me totalin e të punësuarve në ekonomi.
Të dhënat për Europën bëhen të ditura në një raport të fundit të Komisionit Europian (shiko grafikun), ndërsa për Shqipërinë raportohen nga INSTAT, në anketën strukturore.
Pas viteve ‘90, e gjithë ekonomia shqiptare është e mbështetur te sipërmarrjet e vogla dhe vetëpunësimi. Hapja e një dyqani në lagje, me qira, apo në pronësi, ka qenë në vite një formë vetëpunësimi për pjesën më të madhe të shqiptarëve, që në mungesë të alternativave të tjera, i kanë dalë për zot vetes.
Dhe teksa rrjeti i organizuar i tregtisë me pakicë dhe qendrave tregtare ka marrë përhapje të gjerë në vend në dekadën e fundit, bizneset e vogla po marrin gjithnjë e më shumë goditje, duke rrezikuar një nga burimet kryesore të punësimit në vend.
Konsumatorët po i largohen çdo ditë e më shumë dyqaneve “të lagjes”. Zhvillimi i qendrave të mëdha dhe supermarketeve ishte një dukuri e pashmangshme. Supermarketet ofrojnë kushte më të mira tregtimi higjieno-sanitare, çmime më të ulëta, më shumë shumëllojshmëri produktesh, duke rritur mundësinë e zgjedhjeve, si dhe më shumë ulje në formën e ofertave të vazhdueshme dhe eventeve promocionale.
Por, kjo tendencë, në këndvështrimin e konkurrencës te biznesi i vogël tregtar po rezulton gjithnjë e më problematike për shkak të peshës së rëndësishme që kanë njësitë e vogla tregtare në punësim dhe sidomos vetëpunësim. Sipas të dhënave të INSTAT, në vitin 2014, rezulton se rreth 44% e totalit të të vetëpunësuarve janë të vetëpunësuar në tregti me pakicë. Ndërsa në totalin e të punësuarve në vend, të vetëpunësuarit në tregti zënë rreth 11% të tyre. Sipas Anketës Strukturore të INSTAT, për vitin 2014, tregtia me pakicë ka numrin më të madh të të punësuarve në vend, me rreth 52 mijë, nga të cilët 30 mijë, apo 60% janë të vetëpunësuar, raporti më i lartë i të vetëpunësuarve nga të gjithë sektorët. Për shkak të informalitetit të lartë, pesha reale e të punësuarve në ekonominë shqiptarë vlerësohet të jetë më e madhe se 25%.
Pesha e lartë e të vetëpunësuarve është tipar i një ekonomie jo konkurruese, teksa këto biznese kanë nivel të ulët produktiviteti.
Në Europë, përqindjen më të lartë të të vetëpunësuarve e ka Greqia, me 31% të totalit. Prej vitesh Greqia është e zhytur në krizë, teksa ekonomia e saj po rezulton jo konkurruese dhe po mbahet me paketat e ndihmës së bashkimit Europian dhe FMN-së. Ndërsa në vendet e tjera të rajonit, pesha e të vetëpunësuarve është nën 20%.
Sipas raportit të KE-së, shkalla e vetëpunësimit si një përqindje e punësimit total të Shteteve Anëtare të BE-së ka rënë vetëm pak që nga viti 2005. Megjithatë, ky stabilitet relativ fsheh variacione të mëdha. Së pari, përqindja ndryshon në mënyrë të konsiderueshme në të gjitha vendet – nga 7% në Norvegji dhe 31% në Greqi, sipas të dhënave- EU-LFS. Së dyti, ndryshimet nuk janë të gjitha në një drejtim. Midis 2005 dhe 2015, pesha e punëtorëve të vetëpunësuar rritur në 12 shtetet anëtare, por ka rënë në 10.
Në sondazhin që është organizuar nga Komisioni Europian me vendet e BE-së dhe atyre kandidate, për Shqipërinë, 50% e të anketuarve kanë pohuan se ata nuk kanë pasur alternativë tjetër. Përqindje të ngjashme kanë dhënë dhe të anketuarit në Serbi, Maqedoni dhe Mal të Zi./ Monitor
Nje artikull i denje per reviste shkencore. Duhet ta lexojne akademiket, te vetepunesuarit, auroritetet publike lokale dhe qendrore, pozita dhe opozita qe te shikojne pak me larg se mandatet…
Shtoj qe te vetepunesuar nuk jane vetem tregtaret e vegjel, kioskat apo shitesit ambulante, te vetepunesuar jane edhe noteret qe jane dhjetera ne cdo rrugice, kerkesa per ta do te bjere, llagapet e tyre jane te grupuara…. doktoret e shkencave qe japin ndonje ore ne universitetet jo publike apo publike… qe me rritjen e standarteve ne rrugen drejt BE-se do te dalin teper … etj etj.
ku te le mortja te hapet fabrike.