Valon Behrami ngjall entuziazëm të madh në Zvicër me intervistën e tij

29 Dhjetor 2016, 10:01Sport TEMA

Nga Enver Robelli

 

Për të diskutuar për vitin 2016, këtë vit të rëndë si pasojë e terrorit dhe vuajtjeve të mëdha në shumë vatra krize, gazeta zvicerane «Tages Anzeiger» ka vendosur të zhvillojë një seri me intervista. Seria ka nisur të botohet të enjten – dhe i pari personalitet i intervistuar është Valon Behrami. Futbollisti i lindur në Mitrovicë, i cili prej vitesh është yll i futbollit zviceran, në bisedën e zhvilluar në Londër me dy gazetarë të «Tages Anzeiger» ka folur si asnjëherë më parë me emocione dhe sinqeritet për shumë tema: krizën e refugjatëve, luksin në të cilin jeton, kohën nën sundimin serb në Mitrovicë, familjen e tij. Intervista – e botuar në shqip nga dialogplus – ka pasur jehonë të jashtëzakonshme në opinionin zviceran, sidomos në Twitter. Në gjuhën shqipe intervistën e gjeni në këtë vegëz: http://dialogplus.ch/valon-behrami-me-shume-do-te-me-pelqente-jeta-ne-mitrovice-122833, ndërsa në gjermanisht: http://webspecial.tagesanzeiger.ch/longform/gespraeche-zum-jahreswechsel/valonbehrami/).

Organizata e njohur për të drejtat e njeriut Amnesty International, seksioni në Zvicër, e ka shpërndarë intervistën në Twitter me këtë shënim: «Valon Behrami mbi luftën, dëshpërimin, arratisjen dhe kulturën e mikpritjes». Shkrimtari dhe muzikanti nga Berna, Jürg Halter, ka shkruar po ashtu në Twitter: «Kur futbollistët dinë të mendojnë dhe të rrëfejnë, atëherë edhe më mirë. Valon Behrami, mes tjerash, për arratisjen dhe azilin».

Intervistën e Behramit e ka shpërndarë në Twitter edhe nënkryetari i Partisë së Gjelbër të Zvicrës Luca Maggi. «Një intervistë e bukur» – me këto fjalë e ka komentuar bisedën e Behramit me gazetarët e «Tages Anzeiger» politikania Jacqueline Fehr. Ajo është ministre e drejtësisë në kantonin e Zürichut, nënkryetare e Partisë Socialdemokrate dhe deputete në parlamentin zviceran. Peter Brönnimann, njëri nga ekspertët më të njohur në Zvicër të reklamimit të produkteve, ka shkruar: «Nuk jam adhurues i futbollit, por tani e tutje adhurues i Valon Behramit. Rrëfime dhe mendime mbresëlënëse». Shumë gazetarë zviceranë e kanë quajtur intervistën me Behramin «intervistë të vitit» në Zvicër.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje