Duke uruar gëzuar Vitin e Ri 2017 Policia e Shtetit ka bërë një bilanc të situatës së rendit gjatë natës së ndërrimit të viteve, ku thotë se fatmirësisht nuk pati asnjë incident. Forcat e policisë ishin në gatishmëri për të garantuar sigurinë në pikat kyçe, si lokale, rrugët nacionale dhe rurale në të gjithë vendin.
Shërbimi i përforcuar i uniformave blu do të vazhdojë deri më 4 janar. Nga fishekzjarrët vetëm 9 persona u dëmtuan lehtë, ndërsa nga aksidentet rrugore nuk u shënua asnjë viktimë. Policia thotë se gjatë natës, në pritje të 2017-ës, është vjedhur një lokal si dhe është tentuar të grabitet një banesë. Policia përmend edhe rastin në bathore ku persona të paidentifikuar vunë tritol në lokalin e një personi duke pësuar vetëm dëme të vogla materiale.
Njoftimi i plotë zyrtar i Policisë së Shtetit:
Policia e Shtetit ju uron: “Gëzuar Vitin e Ri 2017”.
Gjatë natës së ndërrimit të viteve, e deri në orët e para të mëngjesit, pothuajse e gjithë Policia e Shtetit, ka qenë në shërbim, prezente në sheshet ku qytetarët festuan, në afërsi të lokaleve, në rrugët nacionale dhe rurale, kudo në të gjithë Shqipërinë.
Falë masave të marra nga Policia e Shtetit, qytetarisë së treguar gjatë festimeve, si dhe mirëkuptimit të treguar nga qytetarët për të respektuar këshillat e Policisë së Shtetit, gjatë natës e deri në mëngjesin e sotëm, në të gjithë Shqipërinë nuk ka asnjë humbje jete njerëzore si pasojë e aksidenteve rrugore apo e ngjarjeve kriminale.
Nga përdorimi i fishekëzjarreve në të gjithë vendin janë dëmtuar lehtë pa asnjë problem për jetën 9 shtetas, të cilët pas mjekimit janë larguar në banesat e tyre.
Në të gjithë vendin, konfliktet si pasojë e përdorimit të alkoolit pothuaj kanë qenë të papërfillshme.
Gjatë natës në të gjithë vendin është evidentuar 1 rast vjedhje lokali dhe 1 rast tentativë vjedhje banese.
Ështe evidentuar vetëm një ngjarje, ku persona te pa identifikaur në lagjen Bathore, në një lokal kanë hedhur nje sasi lënde plasëse, ku nga shpërthimi nuk ka pasur persona të dëmtuar, por vetëm dëme të vogla materiale.
Policia Rrugore dhe Patrullat e Përgjithshme iu kanë dhënë ndihmë qytetarëve për probleme të ndryshme në 24 raste në të gjithë vendin.
Policia e Shtetit do vijojë shërbimin e përforcuar deri më datën 04.01.2017.
BRAVO POLICISE TE SHTETIT