“Asnjëherë nga goja ime nuk do dëgjoni gjëra jo të mira për Gjergji Muzakën. Ai ka qënë gjithnjë ndër të preferuarit e mi, por ndonjëherë gjërat nuk rrjedhin sipas dëshirës dhe ndjenjave. Unë as nuk e kam trajtuar dhe asnjëherë nuk do e trajtoj Gjergjin si një lojtar të zakonshëm”. Presidenti i Tiranës Refik Halili mundohet t’i përzgjedhë fjalët. Sigurisht që zhurmën në lidhje me mos grumbullimin e Muzakës në Turqi nuk mund ta bëjë indiferent.
“Raporti im me të ka qenë gjithnjë special. Në 2008 kam paguar 95 milionë lekë të vjetra që ai të ishte pjesë e Tiranës. Kam paguar kartonin e tij te Partizani. Kam menduar gjithnjë që do e mbyllte karrierën këtu, madje në të ardhmen kishim planifikuar dhe një post në klub për këtë. Po diku dhe unë kam mbetur qejfmbetur”.
Ku konkretisht? “Më ka ardhur një njoftim nga dhoma e zgjidhjes së konflikteve në FSHF që të hënën duhet të paraqitemi për një ballafaqim pas një pretendimi të Muzakës në lidhje me rroga të prapambetura. Të them të drejtën jam tronditur. Nuk e kam besuar kurrë që raporti im personal me Muzakën do shkojë në gjyqe. Më shumë se sa raport president lojtar prej shumë vitesh kam marrëdhënie njerëzore me Gjergjin. Gjithnjë e kam konsideruar një lojtar të rëndësishëm të kampionatit. E kam ditur fort mirë që Tiranën e ka në zemër dhe ambienti rreth e rrotull nesh e ka dashur gjithnjë. E kam trajtuar gjithnjë si një njeri special. Nuk mund ta trajtoja sit ë tjerët. Madje dhe kur shpesh ndonjë trajner ankohej për formën e tij kam menduar që gjërat ti zgjidhim me qetësi. Dal garant që kontratën e ka nënshkruar vetë Gjergji, madje i kam thënë gjithnjë ‘bëje si të duash’. Unë nuk ballafaqohem gjyqeve me të, sepse kam pasur respektin maksimal. Unë e di çfarë kemi nënshkruar, i di madje dhe sa duhet të paguhej Muzaka kur ka qenë i dëmtuar. Dhe ai i di. Çështjen Muzaka jo vetëm unë por gjithë opinioni e ka ruajtur prej kohësh dhe unë e kuptoj që të gjithë e kanë bërë duke pasur parasysh raportet që kam pasur unë me të. Në cdo debat që është bërë në klub në këto 2 vite, nga stafi teknik apo nejrëz të tjerë kam vënë veton: Kujdes me Gjergjin, është një njeri i familjes. Por kjo thirrje për padi më ka tronditur. Besoja se mes nesh gjërat mund të zgjidheshin me qetësi. Sa për aktivizimin e tij nuk më duket e ndershme të më pyesni mua për këtë gjë. Duhet të pyesni trajnerin. Sigurisht që vendimi për të mos shkuar në fazë ka qenë i klubit, dhe i imi, por pas asaj padie në FSHF unë nuk mendoj se ka më feeling mes nesh. Unë jam njeri i hapur, me njerëzit që kam punuar prej vitesh dua gjithnjë të kem raporte të mira. Jam gjithnjë i gatshëm për çdo zgjidhje. E kam bërë madje me lojtarë të cilët e kanë paditur klubin pa qenë unë fare president apo administrator e jo më me Gjergjin. A jam zemër thyer? Patjetër që po, mos prisni që ta konsideroj si më parë”.
Por kontrata, gjyqi, paratë, rrogat, çfarë do ndodhë. “Nëse hapim letrat kam frikë e pretendimi nuk qëndron. i hapim kur dhe si të doni. Më shumë se marrëdhënia zyrtare jam shumë i mërzitur që kjo çështje shkoi kështu nga pikëpamja njerëzore. Pyesni këdo që më njeh dhe qëndron afër Tiranës t’iu thotë çfarë mendimi kam pasur për Muzakën e çfarë kam thënë për të. Isha gati ti propozoja një post në klub. Më vjen keq që gjërat shkuan kështu”./SportEkspres/
Po,po Refik.
Fjalen e mire dhe gurin ne traste-i thone kesaj ligjerates tende.