Cikalleshi bën “skanerin” e Superiores: Kampionat shumë i fortë

10 Janar 2017, 20:15Sport TEMA

Sokol Cikalleshi gjendet me skuadrën e Istanbul Bashakshehir në Antalja, ku po përgatitet për pjesën e dytë të sezonit në Turqi, duke ndarë hotelin dhe fushat stërvitore me disa skuadra të Superiores. Sulmuesi ka treguar në një  intervistë për “SuperSport” se si e sheh ai luftën për titull në kampionatin shqiptar të cilën e ndjek me shumë interes, ndërsa ka folur edhe për kombëtaren e situatën e tij në klubin e Bashakshehir.

Për takimin me skuadrat shqiptare në Antalja

“Nuk besoja  se do ta kisha ndonjëherë Kukësin përballë, por ja që ndodhi. Ishte emocion, por më shumë më lumturoi fakti që ne arritëm të fitonim. Jam takuar me Zeqirin, Frashërin, Franc Veliun. Skuadrat shqiptare kanë ardhur pak më vonë sesa ne. Në kohën e lirë, është dhoma e lojërave dhe atje mund të shkëmbehemi dhe të këmbejmë biseda të shkurtra”.

Për të ardhmen

“Është folur shumë dhe vazhdon të flitet shumë. Asgjë nuk është e vërtetë. Jam shumë i lumtur këtu. Ndodhem në një ekip shumë cilësor, e jo më kot jemi në vend të parë në Superligën turke. E ritheksoj që ndihem mirë dhe do të mundohem  që ta arrij sa më shpejt postin e titullarit. Mua më takon vetëm që të përgatitem dhe të jem gati.

Sulmuesi që po aktivizohet në vendin tim është përshtatur mirë me skemat dhe skuadra po ecën mjaft mirë. Kjo ka bërë që konkurrenti im të luajë më shumë sesa unë. Mirëpo, kjo nuk do të thotë që gjithmonë do të jetë kështu. Oferta? Futbollit nuk i dihet asnjëherë dhe nuk mund të them fjalën ‘kurrë’. Deri në këto momente që po flasim, unë jam shumë i lumtur. Ekipi ka mbetur i kënaqur, momentalisht nuk ka asgjë dhe do të vijoj të mbetem lojtar i Bashakshehirit”.

Për minutat në kombëtare

“Kombëtarja është krenari dhe sa më gjatë që të vazhdojë kjo për karrierën e një futbollisti, është ‘qershia mbi tortë’. Në ndeshjen e fundit, mosgrumbullimi ka ardhur prej minutave me Bashakshehirin. Jam i sigurt që nuk do të vazhdojë kështu. Situata ime është përmirësuar ndjeshëm tek ekipi”.

Ndeshja me Izraelin

“Unë nuk isha në fushë por sigurisht që isha pjesë e asaj ndeshje, nëpërmjet televizorit e ndoqa me mjaft interes e ankth sikur të isha atje. Sepse ne jemi një skuadër dhe kush luan e kush nuk luan pak rëndësi ka, e kemi arritur gjithçka bashkë, siç ka qenë Europiani e ndeshjet që kemi fituar. Më vjen keq që ndodhi një ndeshje e tillë, se nuk e meritonim, por futbolli është i tillë dhe duhet pranuar”.

Largimi i Tramexanit

“Kur flitej për një largim të mundshëm të them të drejtën nuk e besoja se nuk mendoja se do të ikte. Por kur çdo gjë u bë zyrtare, sinqerisht kombëtarja ka humbur një ndihmesë të madhe. Uroj që kjo të zëvendësohet sa më shpejt”.

Ndeshja në mars ndaj Italisë

“Me Italinë kam një kujtim shumë të bukur. Ne si ekip zhvilluam një ndeshje mjaft cilësore dhe u përballëm denjësisht me Italinë që është një ndër ekipet më të mira të Botës. Pastaj isha i pafat me shtyllën si gjithmonë, shtyllat e mia u bënë histori në vete”.

Për skuadrat shqiptare në Antalja

“Me rritjen e kombëtares është rritur edhe niveli i kampionatit, shikueshmëria, çdo gjë ka arritur në një nivel tjetër dhe sytë e njerëzve janë kthyer nga futbolli shqiptar. Sigurisht që interesi i presidentëve është që duke pasur këtë shikueshmëri, t’u ofrojnë klubeve mundësi sa më të mira stërvitjeje, siç është Antalja. Këtu janë pak a shumë ekipet që duan të dalin kampion në Shqipëri. Ardhja këtu, sistemimi e stërvitja mund të bëjnë diferencën”.

Rivaliteti në Superiore

“Të them të drejtën është duke u zhvilluar një kampionat shumë i fortë sepse ekipet janë shumë pranë njëra-tjetrës dhe ndërrojnë vendet vazhdimisht në klasifikim. Pashë që trajneri Gjoka kishte krijuar një grup shumë të mirë me lojtarë që kishin harmoni me njëri-tjetrin. Po ashtu, Skënderbeu ka marrë një trajner që për mendimin tim është mjaft i zoti që të nxjerrë ekipin nga çdo lloj situate. Absolutisht që ka mundësinë që të marrë titullin e shtatë. Po ashtu edhe Partizanin, kisha nderin të punoja vetë kur isha te Kukësi me profesor Starovën dhe të them të drejtën është ekspert i situatave të tilla”.

Kampionati në Turqi

“Kampionatin këtu do ta vendosin episodet. Janë gjëra të vogla që mund të vendosin në ndeshje vendimtare dhe ndeshjet direkte do të vendosin me siguri për titullin edhe pse jemi të parët sepse ka shumë rrugë përpara”.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje