A po e bën Globalizmi botën tonë më të mirë?

30 Janar 2017, 13:38Kulturë TEMA

Nga Melsen Kafilaj

“Një palë skajshmëri lindin të tjerat” (Ciceron)

I  përdorur për herë të parë si term në vitet 80-të nga profesori i shquar i Harvard Business School ,Ted Levit për të emërtuar konvergjencën e tregjeve financiare,fjala “Globalizëm”u bë shumë popullore dhe u aktualizua për të përshkruar mënyrën e re të zhvillimit të korporatave shumëkombëshe(MNC) dhe ekspansionin e tregut botëror.-E ndihmuar edhe nga Revolucioni i Madh Informatik dhe zbulimet e mëdha shkencore të kësaj periudhe ky koncept u transformua në një “Zeitgeist”(shpirt të kohës sonë) duke marrë një kuptim të qartë ekonomik dhe komercial të udhëhequr nga lokomotiva e MNC-ve(Multi National Corporations)

Ekspansioni i kapitalit në drejtim të vëndburimeve të lëndës së parë dhe krahut të lirë të punës solli për pasojë fuqizimin e mëtejshëm të këtyre korporatave dhe një bum ekonomik në Perëndim duke e thelluar gjithnjë e më tepër hendekun social ndërmjet Veriut dhe Jugut global.Shtimi i numrit të tyre në ditët e sotme në më shumë se 12 mijë të tilla dhe shtrirja e tyre hapësinore në ¾  e globit duke ndarë tregjet burimore me njëra-tjetrën është treguesi më i rëndësishëm për ta ilustruar këtë fakt.

I parë dikur si një shpresë mesianike prej popujve të zhgënjyer për tu rimërkëmbur ekonomikisht dhe për të përmirësuar mënyrën e tyre të jetesës,sot kjo dukuri është kthyer në një episod  të shëmtuar të fateve njerëzore duke nxitur urrejtje dhe protesta popullore anekënd botës nën moton:”Jo interesave,pro njerëzve”.-Por përse ndodh e gjithë kjo?!-Çfarë ka ngjarë në fakt?!-lind natyrshëm pyetja.

Mesa duket nuk jetojmë në botën më të mirë të mundshme.-Globalizmi ka prodhuar një zinxhir pasojash të rënda negative duke ia rihedhur edhe njëherë hekurat në duar Botës.Ai nuk po e bën botën tonë pak më të mirë se ç’ka qënë.Ai po e kthen atë në një ferr social të pabanueshëm,nën diktatin e zerove dhe njëshave elektronik financiar.Duke e kthyer njeriun në një kombajnë(makineri korrëse) ai po e ftoh frymërisht atë duke shqitur prej tij elementin e çmuar social dhe human përkundrejt prevalimit të egoizmit dhe motivit të përfitimit personal.-Ai po kultivon perceptimin e qënieve njerëzore në mjete dhe “thjesht” numra,duke i dehumanizuar ata.-Ky instikt shushunjash “për më shumë”,po i thith lëngun vital botës për ta kthyer atë më pas në një limon të shtrydhur në dorën e perëndive financiare.

Së dyti,globalizmi ekonomik ka ndikuar fuqimisht në thellimin e pabarazive sociale.Mjaft të përmëndim “shanty towns”në Indi dhe favellat e panumërta braziliane për ta demonstruar më së miri këtë fakt.-Madje në Sao Paolo,një nga dhjetë qytetet ku banojnë multimilardierët e botës,kanë ndërtuar një mur të lartë për të diferencuar “bijtë e Perëndisë së Parasë” nga “lebrozët”varfanjak favell-ian.-Të ndërtosh mur në Shekullin e Atomit për të ndarë njeriun nga njeriu?!-Këtë dëshiron të realizoj Globalizmi i shek.XXI?!

Së treti,kjo dukuri sunduese e kohës sonë ka prishur strukturën e tregut të punës dhe ka ndikuar në uljen e pagave.-Të udhëhequra nga motivi i Interesit personal,shpesh korporatat i delokalizojnë teknologjitë dhe kapitalin me qëllim përfitime sa më të mëdha me kosto minimale.Ata shkojnë pikërisht atje ku biznesi i tyre favorizohet më tepër në aspektin financiar nga shteti “pritës”,ku ka krahë të lirë pune dhe niveli i pagave për puntorët është më i ulët.-Ky proçes ka ndikuar jo vetëm në rritjen e nivelit të papunësisë në Perëndim por edhe në uljen e nivelit të pagave(Një faktor ndikues në këtë drejtim janë edhe turmat e panumërta të emigrantëve që po “pushtojnë”Perëndimin.)Ndërsa përsa i përket prishjes së strukturës së tregut botëror të punës,sipas statistikave zyrtare nga ËBO na rezulton që shtete si Kina,India,Indonezia dhe Meksika janë dominante në të për të treguar grushtin e rëndë të dhënë nga ky boksier i pamëshirshëm ndërkombtar.

Së katërti,fenomeni i globalizmit ekonomik favorizon hapur neokolonializmin prej MNC-ve.-Nga 240 shtete dhe mikroshtete të listuar në almanakun e Oxford-it,ajo që vihet re në këtë botim është se në ¾ e tyre prania e MNC-ve ndihet hapur.Ky ndikim shtrihet që nga ishujt-flamur të Paqësorit,Amerikën Latine e deri në brëndësi të Afrikës së Zezë,të cilën më mirë duhet ta quajmë “Afrika e Artë”.Shfrytëzohen jo vetëm metalet e çmuara dhe diamantet por edhe goma,hekuri,llamarina,pyjet,industria e peshkimit etj.-Dikur republikani kinez Sun Jat Sen kumtonte me pathos:”Bota ju përket të varfërve”.-Ne shtojmë:”Vetëm si Ide.Gjithmonë është dikush tjetër që e posedon atë”.

Së pesti,dukuria e Globalizmit dita-ditës duket se po rrezikon seriozisht nocionin e demokracisë.Globalizimi i tregtisë dhe financave prej alfakimëve ndërkombtar po ndikon fuqimisht në grryerjen e sovranitetit të shtetit dhe dhënies më tepër pushtet dhe influencë këtyre aktorëve transnacional të pandalshëm.Çfarë do të na rezervoj e ardhmja?!-A do të mbijetoj demokracia në vazhdim?!-Apo do të kemi Perandorinë e Panoptikonit dhe Numrit që profetizon Zbulesa?!

Së fundmi,lejomëni t’ju citoj ekonomistin e madh politik John Gray:

“Duke pasuruar një pjesë të saj dhe nga ana tjetër duke ndezur pasionet nacionaliste dhe fetare,globalizmi e bën botën tonë më të vogël.-Ai nuk e bën atë më të paqtë ose më liberale…Ai i kthen shoqëritë përmbys,duke shkatërruar mënyra të tëra jetese.”

1 komente në “A po e bën Globalizmi botën tonë më të mirë?”

  1. Asus says:

    Mire e ke ti mor shoku, po cdo te ndodhte me ne nqse nuk do te ishte rrezuar muri Berlinit dhe te mos ishin hapur kufinjte?

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje