Agolli shkrimtar i realizmit socialist? Ja çfarë shkruan vetë Dritëroi për këtë (dhe një poezi që “tronditi” sistemin)

15 Shkurt 2017, 10:08Kulturë TEMA

Pasi ndërroi jetë, shkrimtari i madh Dritëro Agolli është sulmuar ashpër nga disa analistë, si shkrimtar i realizmit socialist dhe që ka ndikuar në dënimin e disa poetëve dhe shkrimtarëve.

Por çfarë shkruante vetë shkrimtari për këtë gjë?

“Realizmi socialist ishte një metodë dogmatike letrare që ka ekzistuar vetëm në teorinë dhe kritikën letrare dhe në historinë e letërsisë , vetëm në shkrimtarët minorë dhe skematikë.

Në fakt realizmin socialist e përqafuan plotësisht shkrimtarët skematikë të gjysmës së dytë të viteve 40-të dhe ata të viteve 50-të. Në përgjithësi në këto vite ishte përqafimi masiv i realizmit socialist , i shtyrë nga entuziazmi spontan dhe i pavetëdijshëm për krijimin e një shoqërie të re dhe i një kulture të re proletare.

Pastaj në këtë metodë të realizmit socialist u futën shkrimtarët entuziastë qê vinin nga klasa punëtore dhe fshatarësia , të cilët në fakt ishin punonjës që nxiteshin për tu bërë shkrimtarë , që të përmirësonin strukturën e shtresës sociale të krijuesve.

Këta duheshin si besnikë për t’u bërë të nesërmen shefa dhe drejtues të sferës së artit në KQ të Partisë, në shtëpitë botuese , në redaksitë e revistave dhe gazetave, në RTV, në pallatet dhe shtëpitë e kulturës, në bibliotekat, në komitetin e kulturës dhe arteve, në komitetet e partisë në rrethe, në teatrot dhe kinostudio.

Këta ishin një kategori njerëzish gjysmë nëpunësish dhe gjysmë shkrimtarësh. Për këta realizmi socialist ishte një komoditet dhe një lehtësim botimi.

Me këtë nuk dua të them se edhe shkrimtarë të mirë e të nderuar nuk kanë shkruar vepra skematike, veçanërisht vjersha të veçanta, reportazhe apo artikuj.

Këto edhe unë vetë, që po flas, i kam shkruar dhe botuar. Por kjo nuk ishte një tendencë kryesore. Ishte një sëmundje e kohës.

Realizmi socialist ka qenë jashtë letërsisë së vërtetë shqiptare dhe nuk është përqafuar nga shkrimtarët e mirë. Ne duhet të dallojmë letërsinë e krijuar në socializmin real dhe metodën e realizmit socialist.

Këto janë dy gjëra të ndryshme , që shpesh ose nga injoranca ose nga nihilizmi identifikohen, duke thënë se letërsia socialiste është letërsi e realizmit socialist. Budallenjve një konfondim i tille u falet, por të mënçmëve nuk u lejohet .”

Kjo pjesë është shkëputur nga shkrimi “Marrëzitë në jetë më kanë shpëtuar nga marrëzitë në letërsi ” e Dritëro Agollit, në vitin 1995.

Ndërkohë, në kulmin e përqafimit masiv të realizmit socialist, Dritëro Agolli, që atëhere ishte vetëm 27 vjeç, pra në vitin 1958, ka shkruajtur këtë poezi, që nuk ishte normale për atë system:

Kjo grua

Kjo grua që bie erë çokollatë

Me mua ra dikur në dashuri ;

Tani jeton me burrin në pallate,

Që ngritëm vjet në bulevard të ri.

Dhe nuk e di, e lumtur është vallë,

Me burrin zemërbardhë e shtatlartë?

Qëndroj ta përshëndes,t’i them ca fjalë

Si kalimtar, si mik e shok i largët.

Po kokën nuk e kthen ajo nga unë ,

Trak-trukun e sandales më lë pas;

Atë në djalëri e desha shumë

Betoheshim të pritnim çdo tallaz!

Po bashkë s’patëm fat të lidhnim jetën,

Se desh apartament e telefona ,

Ndërsa unë ikja natën me gazetën

Dhe flija redaksive mbi poltrona.

Po unë e di,akoma natën në ëndërr

I shfaqem , e hap derën bojë hiri,

I shfaqem dhe i futem drejt në zemër,

Megjithëse pranë saj fle zemërmiri.

Kjo grua që bie erë çokollatë ,

Që desh nga unë apartament të ri ,

Tani jeton me burrin zemërbardhë;

Jeton e lumtur?

Nuk e di!

4 komente në “Agolli shkrimtar i realizmit socialist? Ja çfarë shkruan vetë Dritëroi për këtë (dhe një poezi që “tronditi” sistemin)”

  1. DA says:

    “…kjo nuk ishte nje tendensi…por nje semundeje..” Ha…ha…Pallavra, llogjike idjote. Kerkonte te lante mutin me shurre. Driteroi ashtu si edhe te tjere i sherbyen me zelle diktatures deri ne momentet e fundit. Driteroi desheronte ti jepte frymen dhe zemren e tij diktatorit, Enverit. Kjo eshte e keqja, ne vend qe te ulte koken e te heshte si bashkefajtor, i quan budallenj ata qe bejne “konfondime”. Balta (“veprat”) qe Driteroi krijoi ne kohen e diktatures nuk zbehet, ato do te mbeten ne historin e Shqiperise. Balta mbuloi balten.

    Dritëro Agolli: Elegji për Enver Hoxhën
    1.
    Ish i rëndë dimri i sivjetshëm
    Dhe pranvera erdhi me mundim
    Erdhi përmes shirash të rrebeshëm,
    Erdhi me një det me hidhërim.

    Falmë Enver, që vargu m’u rëndua,
    Falmë, Enver, që fjalët s’i them dot;
    Shqipërisë zemra iu lëndua,
    Shqipëria jote po derdh lot.

    Shqipëria Jote s’i kish parë
    Mbyllur as në gjumë syt e Tu,
    Qielli i ballit Tënd me yj të larë
    Ndriti dhe nga retë nuk u zu…

    Falmë, Enver, që po përmend në vjershë
    Fjalën vdekje mbushur gjëmë e zi,
    Fjalën vdekje Ti në varg s’e deshe,
    Deshe jetën në çdo poezi.

    2.
    Malet heshtin, malet ulin kryet,
    Roje rrinë në arkivolin Tënd,
    Janë vrejtur pishat nëpër pyjet,
    Po rënkon çdo plis e gur e shkëmb.

    Eh, shiriti i zi, një ton me hekur
    Më rëndon në krahun tim, Enver,
    Shqipëria s’të sheh dot të vdekur,
    Ndaj lumejtë e pikëllimit derdh…

    Falmë, Enver, nga dhimbja s’jam i qetë,
    Falmë Enver që kaq i dobët jam!
    Paska çaste kur njeriu I shkretë
    Veten se pushton e dot s’e mban!

    3.
    Falmë, Enver, kam bërë dhe gabime,
    Nëpër fluturime si nëj zog,
    Ndofta të kam sjellë dhe shqetësime
    Ndofta të kam thinjur ndonjë flok!…

    Ti na rrite dhe na bëre burra,
    Rrite çdo të ri dhe çdo plak,
    Ecëm nëpër male, shkrepa, gurra,
    Ndezëm komunizmin prag më prag.

    Ne me ty, me dorë i kapëm yjet
    Dhe i vumë përmbi Shqipëri;
    Ne me ty s’I ulëm kurrë kryet
    Nëpër gjysmëshekullin e ri.

    Falmë, Enver, që kryet i kam ulur
    Dhe ec rrugës dhe nuk vij në mënd;
    Neve, që furtunash jemi turrur,
    Çdo qelizë e trupit sot na dhëmb!

    4.
    Vallë a do mësohemi njëherë
    Pa të patur pranë dhe mes nesh,
    Bora nëpër male kur të bjerë,
    Dielli kur të dalë midis nesh,

    Plisat kur të ngrihen në luginat,
    Fushat kur të vishen me flori,
    Kur të nisë Komani turbinate,
    Kur të mbushet plot liqeni i ri,

    Kur të zgjohet herët Gjirokastra
    Dhe të hapen portat në sokak,
    Kur shamitë e nuseve buzarta
    Flokëve të çelin si zëmbak,

    Kur të mblidhen shesheve fëmijët
    Tok si luleshqerrat në livadh,
    Kur si zjarr të ndizen karafilët
    Dhe në gjoks të derdhet malli i madh,

    Kur Një majet duart të trokasin
    Mbushur plot me lule dhe me gaz,
    Kur pëllumbat kopshtit të gugasin
    Dhe të rrahin krahët në pullaz,

    Kur Tirana mes përmes të dritave
    Të lundrojë natën si në det,
    Kur shtëpitë e ëndrrës së petritave
    Të na duket sikur dikë pret,

    Kur të vijnë Kongreset e Partisë
    Me hap komunizmi ngadhnjimtar
    Dhe të ndritë balli i Shqipërisë
    Me flamurin Tënd të ngritur lart…

    5.
    Falmë, Enver, që frymë dot s’të dhashë
    Nga kjo frymë e gjallë e gjoksit tim!
    Zemrën time do ta nxirrja jashtë
    Të ta jepja Ty me ngazëllim!

    Ç’them dhe unë e ç’vargje hedh ën letër!
    Fjalët më përzihen, sigurisht!
    Vallë a mos jam bërë njeri tjetër
    Dhe harroj që jam një komunist?

    Jo, Enveri s’vdiq e s’është i vdekur,
    Është i gjallë e ndër të gjallë rron,
    Ngrihet sipër malesh kreshtëhekurt
    Dhe armatën komuniste çon.

    Si profet ngre kokën madhështore
    Dhe rrudh ballin mbushur me mendim,
    Dhe na thotë njihni veç fitore,
    Pastë nder e dritë vendi im!

    Dhe na thotë: ruajeni Partinë,
    Që e lidhëm më dyzetenjë,
    Jam mes jush, mes brezave që vijnë,
    Jam me mendje, frymë dhe me zë!

    6.
    Falmë, Enver, që jam trishtuar shumë,
    Ndofta kam përlotur ndonjë varg,
    Jam njeri me mish e gjak dhe unë,
    Ndonëse shoh si komunistët larg.

    Unë e di se zemra Jote e madhe
    Di të falë, e mua ti më fal
    Si poet u preka kësaj radhe
    Dhe në gjoks një lëmsh me lot m’u ndal.

    Jam krenar që rrojta me Ty bashkë
    Dhe jam bashkëkohas tok me TY,
    Nëpër popull shpirtin tënd e pashë,
    Pashë pranë të pavdekshmit sy!

    Jam krenar që gjendem në armatën,
    Që e ke ngritur Ti si arkitekt,
    Kjo armatë mprehur e mban shpatën,
    Se ia mprehe Ti mbi dyzet vjet…

  2. Shqipja says:

    Po mire mo njerez te mire pse flisni keshtu .
    Doni ta bejme zero e viti per shqiptaret te filloje nga 1990.
    As gjermanet nuk bene pas hitlerit.
    Pse kaq vrer ndaj te madhit DRITERO
    Po cte themi per te madhin kadare qe shkruajti Ku ti kerkoj rrenjet e tua Parti.
    Vetem ciniket, injorantet qe Jane bere me prof e doc e jane bosh flasim.
    Po pse nuk folet gjalle e kishit.
    Tani do shohim se Cdo te thoni per Kadarene pas vdekejes.

    Gazetare mos me bllokoni komentin

  3. shabani says:

    Driteroi kishte nje te mete te madhe dhe e meriton ta shani ,ishte shume i talentuar,ndersa ne shqiptaret kemi per zemer mediokritetin

  4. Jimi says:

    Dkord me kritiket ndaj Driteroit per cfare thane e nuk thane.
    Qe ta braktisim Driteroin tone, se ka qen e c’nuk ka qen, atehere na servirni juve “Driteroin” tuaj te ketyre 27 viteve, vetem keshtu ne munde ta bejm lanet Driteroin tone. Nese nuk kini rrini urte e mos hani m.t kote

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje