"Protesta, kundër reformës në drejtësi"

19 Shkurt 2017, 16:44Politika TEMA

Protesta e Partisë Demokratike është një përpjekje e opozitës për të rritur tensionin në vend, për të bllokuar implementimin e reformës në drejtësi dhe do të shërbejë si alibi për humbjen e radhës së PD-së në zgjedhjet e ardhshme, ka deklaruar nga Selaniku deputeti socialist Taulant Balla, në një takim me emigrantët shqiptarë, bashkë me zv/ministrin e Brendshëm, Stefan Cipa.

“Në këto momente, ka disa shqiptarë të futur në një imitacion të një tende për të protestuar. Edhe ata nuk dinë se përse. Sepse të kërkosh qeveri tjetër 4 muaj para zgjedhjeve, ndërkohë që shqiptarët në 18 qershor do të zgjedhin se cilën qeveri duan”, tha Balla.

Lidershipi i PD-së ka në këtë protestë interesa personale, që lidhen me sabotimin e implementimit të reformës në drejtësi dhe të procesit të vetting-ut, ka theksuar Balla.

“Protesta ka të bëjë me tensionimin e klimës politike në Shqipëri, sa kohë që Kuvendi i Shqipërisë tashmë duhet të jetë i angazhuar në vijimin e punës intensive në kuadrin tjetër ligjor në mbështetjen për implementimin e reformës në drejtësi”, u shpreh Balla.

Përsa u përket emigrantëve, Cipa dhe Balla kanë përsëritur premtimin e kryeministrit Edi Rama se zgjedhjet e ardhshme do të jenë të fundit ku shqiptarët e diasporës nuk do të mund të votojnë nga vendet ku ata jetojnë.

Stefan Cipa, zv/ministri i Brendshëm, deklaroi: “Ishte një takim me një pjesë të emigrantëve shqiptarë të Greqisë së veriut për t’i informuar për fillimin e implementimit të ligjit të regjistrimit të adresave të shtetasve shqiptarë me banim jashtë territorit të Republikës së Shqipërisë, si i vetmi ligj në këto vite të pluralizmit që është bërë për të ndihmuar emigrantët kudo që ndodhen”.

Deputeti socialist Balla ka theksuar se në axhendën e qeverisë mbetet prioritet regjistrimi i gjithë emigrantëve shqiptarë jashtë vendit, si dhe vazhdimi i negociatave me palën greke lidhur me njohjen reciproke të pensioneve.

2 komente në ““Protesta, kundër reformës në drejtësi””

  1. Gaz says:

    Kjo proteste duhet te ishte mbajtur para Shqupit.

  2. Titi says:

    Po me ata emra qe dolen se do bejne vetingun, do dalim edhe ne te protestojme o Taulant. Na mbajtet me shpres per 3 vjet se do reformoni drejtesine, po me ata anonimet qe keni zgjedhur u mor vesh se kush do i beje pazaret e vetingut.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje