Një çadër që po asfiksohet nga kthimi në vendin e krimit

21 Shkurt 2017, 21:03Blog TEMA

Nga Met Dervishi

Tri skenare të mundshëm kishte për  fatin e çadrës së protestuesve.

I pari do të kishte qenë ai i shndërrimit të saj në një tendë fushimi të jakobinëve për “revolucionin demokratik”. Por kjo nuk ndodhi e nuk kishte si të ndodhte. Vërtet që z. Berisha i nxiti instiktet jakobine të masës për përmbysje, por ai i la ata pa mësymjen mbi Bastijë, në rastin konkret mbi kryeministri, sulm që ai e ka inskenuar disa herë. Kësaj radhe ai i ka frenuar instiktet e militantëve të tij jo se është bërë demokrat që respekton institucionet, por se ka si gur në qafë 21 Janarin e vrasjes së katër vetëve dhe tani është kthyer në vendin e krimit.

Skenari i dytë do të kish qenë ai i shndërrimit të çadrës në tendë flijimi me greva urie për kauzat e mëdha të luftës kundër korrupsionit, kanabisit dhe zgjedhjeve të lira, por dhe kjo nuk po ndodh e nuk ka gjasa që të ndodhë.

Së pari, se z. Berisha vetë është kampion i instalimit të korrupsionit në këtë vend, së dyti, se ai është arkitekti i ngritjes së republikës-kështjellë të Lazaratit dhe, së treti, se ai është njëri nga varrmihësit e zgjedhjeve të lira e të ndershme në këtë vend. Kauzat e mëdha thirrin në skenën politike njerëz të mëdhenj, dhe z. Berisha tani po vuan vetminë e tij të madhe se ka spekuluar sa herë ka qenë në opozitë me kauza të tilla. Të cilat i ka përdorur gjithnjë jo për t’i dhënë frymë demokracisë në këtë vend, po për t’u ulur në tryeza politike negociatash duke bërë shantazh me destabilitetin për qëllimet e tij. Po të kishte qenë luajal me kauzat që gjakon tani, sot në axhendën e demokracisë shqiptare nuk do të ishin ende korrupsioni, kanabisi e zgjedhjet e lira.

Pra, edhe për këto tri kauza të mëdha, si për 21 Janarin, z. Berisha është kthyer në vendin e krimit dhe, besoj, ky do të jetë spektakli i fundit ku ai e kërcënon demokracinë e këtij vendi me destabilitet.

Më tej, që çadra të shndërrohej në tendë fushimi pë “revolucionin demokratik” apo tendë flijimi për kauza të mëdha me greva urie, të përndjekur e konsensus popullor do të duhej gjithashtu, që, së paku, z. Basha, si njëri nga frymëzuesit e kësaj proteste, të kishte sharmin e liderit të kauzës së vet. Por ky ka zgjedhur me kohë që të qëndrojë nën hijen e lisit  të tutorit të vet, madje dukej e duket mjaft i lumtur që fati ia solli në derë, pa e kuptuar që lisi ishte zgërbonjë e po i dilnin rrënjët. Dhe natyrisht, pa e menduar që, kur bëhesh ministër sa herë të thotë shefi dhe kur kandidon e i fiton zgjedhjet dhe në partinë tënde duke përjashtuar e terrorizuar  mbështetësit e kundërshtarit, nuk mund të bëhesh një ditë të bukur kampion i zgjedhjeve të lira që frymëzon konsensus popullor.

Sa për z. Spahiu, njërin nga tre mbushësit e topit me barot të të ashtuquajturit “revolucion demokratik”, nuk ia vlen të flasësh. Ky këto ditë ky po endet sa andej këndej nëpër kovaçhanat e mesjetës për të farkëtuar zinxhirët me të cilët do të lidhë rreth e qark kryeministrinë, dhe ashtu, të lidhur, do t’ua hedhë turmave ndër këmbë për ta ekzekutuar. Por, sakaq, gjen dhe kohë të merret me fustanet e znj. Vatutin, të cilën, me sa duket, e ëndërron dhe atë të lidhur me zinxhirë.

Siç shihet pra, dy skenarët e parë për çadrën s’kanë ndodhur ende e nuk kanë gjasa të ndodhin. Ajo as po bëhet tendë fushimi për shtabin e “revolucionit”, as po bëhet vendflijimi i kauzave të mëdha.

Por ka dhë një skenar të tretë, ajo  e shndërrimit të kësaj tende në çadër ahengu, aq më tepër që ky skenar përputhet me ftesën e z. Basha për festë e valle popullore.

Me ç’po shohim deri tani, gjatë këtyre tri ditëve, ky duket skenari më i mundshëm. Gjëja më e sigurtë tani për tani është që në çadër ka aheng me xhamadan vija vija. Mungojnë vetëm arinjtë e vegjël, dhe natyrisht, selfiet.

Është një çadër që po asfiksohet.

8 komente në “Një çadër që po asfiksohet nga kthimi në vendin e krimit”

  1. hë për hë.... says:

    Cadra eshte furiku ku pedeja enderon dhe kerkon qe te pjelle koqevene.

  2. kozmo says:

    Nuk mungojne dy Arinjte e medhenj , Berisha & Basha , sa per selfie , nuk ka mbetur asnje ahengxhi pa bere me keta dy Arushat .

  3. sokrat says:

    Nuk mungon ariu, pasi edhe ate e kane, Lulin!

  4. Epo kjo pune! says:

    i kane ardhur drejtesise ne shteg, ke “wanted” ne ate tente sa te duash. Pale qe shpiken dhe doktrinen e papame te marrjes se pushtetit me by…. Une ulem ne by… ti cohesh nga karrikja…. me siguri gjithe bota demokratike do heqe dore nga vota dhe do filloja fushata elektorale e by…

  5. Ledion says:

    Kjo cadra eshte kaq qesharake sa na kujton torten e 100 vjetorit. Ky Luli eshte i prirur per ide gjeniale.

  6. oldman says:

    Analize realiste dhe e kendshme. Bravo Meti!

  7. oldman says:

    Analize realiste dhe e kendshme. Bravo Meti!
    Por kujdes mos shfrytezohet edhe nga pala tjeter….per te harruar Vetting-un….

  8. Gojet e Liga says:

    Shifni Grigjen, ja ben me sy Lulit te vocerr… dhe gruaja e Lulit nuk hiken nga cadra e qefit, se ka frike se grigja ja perdhunon lulushen…hahahahahahaaaaaa

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email nuk do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme shënohen *

Lini një Përgjigje