Matilda Terpollari koordinatore e LIBRA thotë, se LIBRAT e Durrësit do të dalin në rrugë dhe do të shoqërojnë grevistët e Zharrzës deri në Tiranë.
“Deputeti i LIBRA, Ben Blushi është i vetmi që është pranuar nga grevistët në ambientet e tyre në fshatin Zharrëz dhe LIBRA-t janë të vetmit që ata pranojnë në marshimin në tyre”, deklaroi Terpollari.
Banorët e Zharrëzës, që prej 20 ditësh janë në grevë urie, janë nisur dje në këmbë drejt Tiranës.
Gjatë rrugës, qytetarëve i janë bashkuar dhe mbështetës të tjerë.
Banorët prej muajsh kanë ngritur zërin për shkatërrimin e shtëpive të tyre nga lëkundjet e tokës të shkaktuara nga metodat e nxjerrjes së naftës nga kompania Bankers Petroleum.
Ata u shprehën se shteti nuk i dëgjoi kërkesat e tyre nga Zharrëza, ndaj nisja drejt Tiranës ishte mundësia e vetme për tu përballur me qeverinë.
Banorët i kanë kërkuar qeverisë të dëmshpërblejë dëmet materiale dhe të ndalojë aktivitetin e kompanisë, që po rrezikon jetët e tyre.
Kjo është greva e dytë brenda dy muajve nga banorët e fshatit. Greva e parë, në dhjetor 2016, erdhi pas tre ditëve me lëkundje të mëdha të tokës nga shpimet e Bankers për të nxjerrë naftë. Greva e tyre nuk është transmetua nga pjesa më e madhe e mediave dhe qeveria nuk mori asnjë masë ndaluese.
Problemet e banorëve me kompaninë naftënxjerrëse kanë vite që vazhdojnë pa asnjë zgjidhje nga qeveritë.