Pas reagimit të ashpër të Partizanit se po dëmton garën duke favorizuar rivalët për titull me dënimin e tifozëve të tij, Federata Shqiptare e Futbollit ka dalë sot me një deklaratë zyrtare ku shpjegon arsyet që e shtynë Komisionin e Disiplinës të dënojë me katër ndeshje mbështetësit e kuq për incidentet e ndodhura në Kukës fundjavën e shkuar.
Sipas FSHF-së, shkak për dënimin e dhënë janë bërë vetëm rastet e përsëritura gjatë këtij sezoni nga tifozët. Federata më tej pasqyron një për një shtatë vendimet e mëparshme të dhëna nga Disiplina pas parregullsive të shfaqura nga tifozët e kuq gjatë këtij sezoni.
FSHF-ja thekson se madje klubi është paralajmëruar dhe është toleruar disa herë për sjelljen jokorrekte të tifozëve në stadium, raporton Panorama Sport.
Komunikata e plotë e FSHF-së:
“Në lidhje me vendimin e Komisionit të Disiplinës për dënimin me 4 ndeshjet e radhës pa tifozë për klubin e Futbollit Partizani, Federata e Futbollit duke mirëkuptuar ndjesinë e tifozerisë së kuqe, shpreh keqardhjen e saj, por njëherësh kërkon të bëjë me dije vetë opinionin publik, por edhe vetë klubin që vetëm RASTET E PËRSËRITURA ndjeshëm gjatë këtij sezoni nga ana e tifozerisë janë bërë shkak për dënimin e skuadrës në vijimësi. Më konkretisht, rikujtojmë edhe një herë të gjitha vendimet disiplinore të Partizanit gjatë këtij viti nga Komisioni, vetëm për shkak të tifozerisë:
1. VENDIM – Java e parë Partizani-Luftetari
Date 16.09.2016
KF “Partizani”, per sjellje te gabuar te tifozeve, duke hedhur mjete ndezese ne fushe pa shkaktuar akte dhune apo nderprerje te lojes, denohet me 200.000 (dyqindmije) leke gjobe ,ne baze te nenit 66/2 KDS.
2. VENDIM – Java e katërt Partizani-Tirana
Date 28.09.2016
KF “Partizani”, për sjellje te gabuar te spektatoreve, duke hedhur mjete ndezese ne fushe duke shkaktuar nderprerjen te shkurter te lojes, ne baze te nenit 66/3/a te KDS , denohet me zhvillimin e 1(nje) ndeshje pa spektatorne stadiumin perkates.
3. VENDIM – Java e tetë Korabi-Partizani
Date 26.10.2016
KF “Partizani”, per sjellje te gabuar të spektatorëve ne menyre te perseritur, ne baze te nenit 66/1 , denohet me gjobe ne masen 200.000 (dyqindmije) leke. Gjithashtu ne baze te nenit 13 te KDS paralajmerohet se ne rast perseritje masat disiplinore do te pershkallezohet.
4. VENDIM – Java e nëntë Partizani-Skenderbeu
Date 03.11.2016
KF “Partizani”, për sjellje të gabuar të spektatorëve në mënyrë të përsëritur, duke hedhur mjete ndezëse brenda rrethimit të fushës, duke ofenduar ne grup e duke shpalosur parulla ofenduese, ne baze te Nenit 66/3.a te KDS, denohet me 4 (kater) ndeshje pa spektatorë ne stadiumin perkatës. Detyrohet KF “Partizani” të zhdëmtojë stolat e stadiumit “Elbasan Arena”.
5. VENDIM – Java e 18-të Skenderbeu-Partizani
Date 13.01.2017
KF “Partizani”, per sjellje te gabuar te spektatoreve duke perdorur shprehje fyese dhe leshuar mjete ndezese, ne bazë te nenit 66 të KDS denohet me gjobe ne masen 150.000 (njeqindepesedhjetemije) lek.
6. VENDIM – Java e 21-të, Teuta-Partizani
Date 17.02.2017
F.K “Partizani”, paralajmerohet secili se, në rast perseritje te fenomeneve te tilla do te pershkallezohen masat sipas Kodit te Disiplines Sportive, bazuar ne nenin 13 te KDS.
7. VENDIM – Java e 22-të, Tirana-Partizani
Date 23.02.2017
KF “Partizani”, për sjelle të gabuar të spektatorëve duke përdorur mjete ndezëse, duke hedhur sende brenda rrethimit të fushës e duke përdorur fjalor ofendues ndaj kundërshtarit, në bazë të nenit 66/3.a të KDS denohet me zhvillimin e 1(një) ndeshje pa spektatorë.
8. VENDIM – Java e 23-te, Kukësi-Partizani
Date 01.03.2017
KF “Partizani”, per sjellje te gabuar te tifozerisë se saj ne menyre te perseritur, denohet me 4 (kater) ndeshje pa spektator ne ndeshjet e rradhes, bazuar ne nenin 66/2 te KDS. Detyrohet KF “Partizani” te zhdemtoje stolat e thyer ne stadiumin “Zeqir Ymeri” ne qytetin e Kukesit.
Sikundër edhe shikohet nga vendimet zyrtare të Komisionit të Disiplinës për KF Partizani, në plot 8 të tilla, ato të gjitha janë të specifikuara me një pikë: “Vetëm për sjellje të gabuar të spektatorëve në mënyrë të përsëritur”.
Komisioni i Disiplinës në jo pak herë e ka paralajmëruar dhe njëherësh, e ka toleruar klubin, për sjelljen jokorrekte në stadium të tifozerisë”.