Nga Met Dervishi
Oferta e shumicës për një tryezë politike do të duhej të kishte qenë një rast për një reflektim të thellë nga opozita si dhe një mundësi që do të krijonte kushtet për një dalje të butë nga perspektiva pa perspektivë e një proteste që tani identifikohet me një grusht njerëzish të irrituar. Ndërkaq, përgjigja flakë për flakë e opozitës me kërkesën për një qeveri me mbështetje të gjerë politike, përkundrejt shpresave se kjo protestë do të afirmonte lidershipin e z. Basha, provon të kundërtën: z. Basha vijon të jetë një instrument i axhendave të z. Berisha, që vazhdimisht në opozitë ka prodhuar kriza me protestues duke kërcënuar shqiptarët dhe faktorin ndërkombëtar me destabilitet.
Pse do të duhej një reflektim i thellë në këtë rast, një reflektim që, në fund të fundit, ka të bëjë jo më me perspektivën e një proteste, po me atë të vetë partisë demokratike? Përgjigja është e thjeshtë: opozita me protestën e saj nuk e ka luksin të vendosë kushte radikale për një qeveri me mbështetje të gjerë politike. Këtë, më mirë se kushdo tjetër , e din dhe vetë z. Berisha, që, me këtë përgjigje, vetëm se po përpiqet të fitojë kohë duke hedhur fall për aleatë ndërkombëtare të minutës së fundit.
Po kësaj radhe duket se nuk ka asnjë shenjë për shpresa të kësaj natyre për faktin e thjeshtë që protesta është identifikuar me një grusht njerëzish që nuk ia dolën të shndërohen në një flakadan për një protestë masive të pandërprerë.
18 shkurti ishte një demonstrim i fuqishëm në të cilin partia demokratike nxorri në shesh të gjitha resurset e saj. Masat e pakënaqura kishin dhe motivin për t’u shndërruar në masë të ndërsyer: rrëzimi i qeverisë. Megjithëse iluziv, një synim që arrihet lehtë, siç është dhe ai për rrëzimin e një kryeministri, i ndez masat e pakënaqura që janë gjithnjë të gatshme për ekzekutim publik.
Por, edhe masa të tilla, e kanë pikën e tyre të dobët: ato, po e panë që nuk rriten, nuk shtohen vazhdimisht, shpërndahen të zhgënjyera. Për t’i shpëtuar kësaj shpërndarjeje, ngaqë e dinte që s’i kishte kapacitetet për një protestë të pandërprerë, skenaristët e saj ngritën çadrën, duke shpresuar që ajo do të shndërrohej në një pishtar ( lirie, republikë e re etj. etj. që janë të gjitha eufemizma për parajsën e masave).
Mirëpo, përkundrejt pritshmërive, çadra mbeti si një pishtar i asfiksuar që nuk ushqen dot as vetveten, jo më të grishte mijëra e mijëra njerëz përreth saj, që do të kishte qenë pastaj, mbështetja për një protestë të dytë më të fuqishme se ajo e 18 shtatorit, etj.
Ndërkaq, pavarësisht se si komentohet, armiku më i madh i çadrës, ajo që ka ndikuar drejtpërdrejtë në asfiksimin e saj, qenë tendat e peticionit të shoqërisë civile, të cilat, jo rastësisht, z. Basha i etiketoi si pionierë të Enverit, jo të Vetingut. Ato qindra njerëz që iu drejtuan tendave për të vënë firmën e tyre kanë ndikuar drejtpërdrejtë në shuarjen e pishtarit të “revolucionit demokratik” dhe në reduktimin e masës së ndërsyer, që tani sheh se nuk është më e zonja të përmbysë sheshet me vrullin e saj. Dhe çadra u braktis në fatin e vet.
Kanë kaluar dymbëdhjetë ditë dhe flakët e pishtarit nuk ka republikë te re që i ushqen më, tashmë që është e rrethuar me tendat e Vetingut. Çka tregon, përveç të tjerash, që z. Berisha, megjithë konsultimet që ka marrë vazhdimisht nga PODESTA e company për ndërsimin e masave, tani ka kundërshtarë të rinj që i njohin instiktet e masave më thellë se ai, sa ç’tregon, gjithashtu, se tashmë Tirana është bërë një kryeqytet europian dhe po ndahet paqësisht nga masat e ndërkryera, që e kanë sulmuar atë vazhdimisht nga periferitë.
Në këto kushte, do të duhej të kishte pasur një reflektim më të thellë nga opozita, që të mos i përgjigjej flakë për flakë një ftese, e cila, përballë dështimit faktik, i dha asaj një shtegdalje dinjitoze nga kjo histori. Megjithatë, ka ende kohë që opozita të reflektojë dhe, njëkohësisht, të ndahet nga instiktet destabilizuese të ish- liderit të saj që ushqeheshin me Bathoret rreth e përqark kryeqytetit, të cilat tani janë qytetëruar.
Në partinë demokratike duhet të ketë njerëz që e kuptojnë se është më mirë të përballen me një beteje dinjitoze elektorale, të cilën dhe mund ta humbin, se sa me një katastrofë elektorale që është në prag. Kjo e dyta, katastrofa elektorale, nuk do të vinte në dyshim lidershipin e z. Basha, po vetë partinë demokratike.
Këmbanat bien për ato që kanë veshë… po duket se pishtarin e çadrës që po shuhet, nuk po e sheh askush…
fiks fare – asgje me shume, a me pak
Shume e sakte.