Në kuadër të vizitës në Berlin, kryeministri Edi Rama ka zhvilluar një takim me ministrin e Jashtëm të Gjermanisë, Sigmar Gabriel.
Gjatë takimit, Gabriel ka theksuar se Gjermania do ta çojë përpara përafrimin e Shqipërisë me BE. Sipas tij, plani qëndron tashmë në tavolinë.
“Ju falenderoj për reformat që jeni duke kryer. Ju falenderoj për angazhimin personal dhe qëndrimin tuaj në qetësimin e konflikteve në vendet fqinje” i ka thënë ai Ramës.
Sipas ministrit gjerman, “Në prag të proceseve zgjedhore, reformat nuk janë të thjeshta, por shumica e shqiptarëve dëshirojnë stabilizimin dhe avancimin e mëtejshëm drejt BE”.
Ai theksoi se Shqipëria ka mundësinë e madhe historike që t’i bashkohet BE. “Europa ka mundësinë të bashkëpunojë me Shqipërinë dhe fqinjët e saj për paqen e stabilitetin. Për këtë, ju jeni një garant” tha ai.
Ndërsa kryeministri Edi Rama ka shprehur mirënjohjen e tij për mbështetjen e Gjermanisë, sidomos për reformën në drejtësi.
“Falë mbështetjes jemi në një proces shumë të avancuar. Shpresojmë të jemi në lartësinë e sfidës për të filluar zbatimin e reformës me vettingun e gjyqtarëve e prokurorëve. Shqipëria, partner shumë i angazhuar për këtë marrëdhënie kaq të veçantë të Gjermanisë me rajonin”, ka thënë z. Rama.